Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Spahiu: 1 mld euro për infrastrukturën e gazit

Brenda pesë viteve të ardhshme, Shqipëria duhet të ketë gati gjithë infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të nisë të funksionojë tregu i gazit. Si një ndër vendet e pakta në rajon pa këtë treg dhe i vetmi që nuk ka ende lidhje me rrjetet ndërkombëtare, vendi ynë ka mundësinë për të përfituar nga (diz)avantazhet e për të vënë në zbatim teknologjinë më të fundit. Zyrtarisht parashikohet që deri në qershor të 2016-s të ketë përfunduar masterplani i gazit

Nga Elona Bedalli

Shqipërisë i nevojiten afërsisht një miliard euro për të ngritur një sistem të plotë gazi, një treg që të funksionojë brenda të gjitha rregullave të “lojës”, por edhe si një nyje e rëndësishme e rrjetit paneuropian. Në funksion të kësaj, qeveria është duke përfunduar të gjithë kuadrin rregullator e ligjor që do t’i shërbejë krijimit të këtij tregu, operimit të projektit Trans Adriatic Pipeline, por edhe zhvillimit e shfrytëzimit të burimeve natyrore ekzistuese dhe të reja të gazit natyror. Në një intervistë për “Monitor”, Dritan Spahiu, drejtor i Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, thotë se po vazhdon puna për hartimin e plotë të masterplanit të gazit natyror, që parashikohet të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm. Hartimi i tij do të bëjë krijimin e një panorame të plotë, që nuk do t’i shërbejë vetëm projektit të fizibilitetit, por edhe të gjithë investitorëve të huaj e vendas që do të duan të përfshihen në këtë treg me mundësi ende të paeksploruara.

 

Masterplani, dokumenti që do të përcaktojë rrugën e gazit

Flet Dritan Spahiu, Drejtoria e Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve, Ministria e Energjisë dhe Industrisë

 

Qeveria duket se tashmë është përqendruar te krijimi i të gjithë kuadrit ligjor që do të ndihmojë në ngritjen dhe funksionimin e tregut të munguar të gazit, në çfarë faze jemi aktualisht?

dritan spahiuKëshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin e ri për gazin natyror dhe do të nisë të diskutohet së shpejti. Ky draft ka mbi 100 nene dhe është prekur e gjithë gama e sektorit të gazit natyror, duke filluar nga transmetimi, shpërndarja, mbrojta e konsumatorëve, ndarja e operatorëve, licencimi. Të gjitha kompanitë që do të jenë të licencuara, do të jenë të monitoruara. Enti Rregullator do të ketë kompetenca më të forta dhe më të qarta. Një gjë e tillë do të thotë se tregu i gazit natyror do të monitorohet i gjithi nga Enti i Energjisë. Nga ana tjetër, ministria në këtë projektligj ka përcaktuar kompetenca të qarta në lidhje me inspektimin. Pra, mund të themi se kemi një kuadër të plotë rregullator e ligjor për sektorin e gazit natyror, që do të bëjë të mundur edhe certifikimin e projektit TAP si transmetues (OST) gjë e cila sot për sot mungon. E gjithë kjo do të bëjë të mundur ‘shtrimin’ e rrugës së tregtimit të gazit natyror, jo vetëm për projektin TAP, sepse duhet të kujtojmë se kemi edhe një tjetër projekt, që është IAP. Projektligji detyron ministrinë që të hartojë një kuadër të plotë rregullator nënligjor (aktet), urdhrat që do të zbatohen kryesisht nga Enti Rregullator i Energjisë, por padyshim edhe ministria do të ketë pjesën e saj.

Për ministrinë hapet një “front” i ri pune, por megjithatë ne jemi të bindur se në vitin 2020 do të jetë miratuar e gjithë baza ligjore e rregullatore për funksionimin e duhur të projektit, në përputhje edhe me direktivat e Bashkimit Europian.

Në këto kushte, çfarë mund të themi për masterplanin e gazit natyror?

Në lidhje me masterplanin, në një vështrim të parë, projekti TAP nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë, sepse gazi vjen nga Azerbajxhani dhe shkon në Itali. Ministri i Energjisë ka kërkuar që të ketë një pikë dalëse të gazit në Shqipëri, që do të ndërtohet nga ana e kompanisë TAP. Por, me shumë gjasa, do të ketë edhe dy pika të tjera dalëse (pra në total tri pika) e kjo për të bërë të mundur që në Shqipëri të mbetet mjaftueshëm gaz.

Ku mund të jenë këto pika dalëse, a ka një projekt paraprak?

Natyrisht ka disa diskutime, me shumë gjasa do të mund të jenë në Fier, Kuçovë apo edhe në Patos. Por, çështja është ende në proces diskutimi dhe ndoshta do të marrë njëfarë kohe, sepse gjithçka do të varet edhe nga kërkesat e konsulentëve, por edhe nga vendimet e rregullatorëve.

Synimi ynë është që këto pika dalëse t’i shërbejnë TEC-it të Vlorës, por edhe projektit tjetër të gazit IAP (Adriatic-Ionnian Pipeline, që ne shpresojmë që TEC-i i Vlorës të jetë përdoruesi i parë i gazit që do të transmetohet nga tubacionet e TAP. Një pikë do të ketë të gjitha pajisjet e nevojshme, qoftë për rregullimin e presionit, për matjet, që kanë një kosto të konsiderueshme e që janë marrë përsipër nga kompania TAP.

Po çfarë po bën ministria për furnizimin me gaz natyror?

Nga njëra anë është mundësia e ardhjes së gazit nëpërmjet tubacioneve të TAP dhe nga ana tjetër ajo e përdorimit. Falë një investimi prej 1.1 milionë eurosh i “Western Balkans Investment Framework” (WBIF) ka nisur zyrtarisht më datë 2 qershor hartimi i Masterplanit të Gazit në Shqipëri, ndërsa një muaj më vonë (më datë 2 korrik) u paraqit një raport paraprak. Bazuar edhe nga puna e bërë mund të themi se në qershor të vitit 2016, do të përfundojë hartimi i masterplanit, ndërsa në tetor të po këtij viti, përfundon edhe plani që do të identifikojë projektet prioritare që do të vlerësohen nga konsulenti si të tilla për krijimin e tregut të gazit në Shqipëri.

Çfarë nënkupton kjo?

Do të identifikohen disa segmente që nga konsulentët do të vlerësohen si të rëndësishme, qoftë lidhja Fier–Vlorë apo ndërtimi i TEC-eve të tjera. Projektet prioritare që do të listohen do të kenë edhe disa vlerësime, që më vonë do të shërbejnë për ndërtimin dhe funksionimin e tregut të gazit natyror. Më pas do të shqyrtohen edhe projektet teknike të detajuara për të kaluar më pas në fazën e zbatimit.

Në përdorimin e gazit, cilit segment do t’i jepet më shumë prioritet?

Skema fillestare (e cila më pas do t’i nënshtrohet përmirësimeve) e masterplanit të gazit përcakton si prioritet të parë furnizimin e TEC-it të Vlorës me gaz natyror, pse jo dhe ndërtimi i mundshëm i TEC-eve të tjerë nëse do të jetë e mundur në gjurmën e projektit TAP. Nëse verifikohet se këto projekte janë fizibël, atëherë do të vazhdohet me ndërtimin e tyre. Gjithsesi kjo është një çështje që do të kërkojë studime më të detajuara, sepse duhet parë kostoja krahasuar edhe me burimet e tjera të energjisë, si me hidro apo me naftë. Nga ana tjetër, duhet të merret në konsideratë edhe çështja e sigurimit të prodhimit. TEC-et janë më të sigurta në prodhimin e energjisë, sepse nuk varen nga kushtet atmosferike. Kjo është një çështje që do të trajtohet me përparësi.

Kategoria e dytë që ne do të trajtojmë është ajo e klientëve industrialë, të cilët sot përdorin për nevojat e tyre energjinë elektrike ose naftën. Kemi pasur disa kërkesa nga kompani të ndryshme që duan të sigurojnë furnizim, por kjo do të jetë pjesë e

masterplanit. Së pari, kërkesa e tyre ka të bëjë me furnizimin me gaz natyror, më pas në varësi edhe të preferencave të tyre ato mund të bëhen edhe pjesë e tregut. Por, për këtë duhet të kuptojmë në radhë të parë sa është kërkesa. Duhet kuptuar që TAP do të jetë vetëm një operator transmetues. Në këto kushte, mund të bëjmë një paralelizëm me energjinë elektrike ku kemi: OST, OSSH dhe OSHEE. Ndaj ne do të duhet të gjejmë një kompani që do të bëjë shpërndarjen, si dhe blerjen sepse TAP është vetëm transmetues. Ne, shpresojmë që në qershor të vitit 2016, kur të ketë përfunduar edhe hartimi i masterplanit, të mund të kemi edhe një ide më të qartë të projekteve prioritare.

Fakti që Shqipëria është ndër vendet e vetme në rajon që nuk kanë lidhje me gazin që mbërrin në Europë përbën më shumë dizavantazh apo…?

Ky dizavantazh sot mund të konsiderohet avantazh, pasi ndërtimi i rrjetit do të mund të bëhet me teknologjinë më të fundit. Me ndërtimin e gazsjellësit TAP, Shqipëria do të bëhet një nyje e rëndësishme energjetike në rajon. Gjithashtu do të shikohet edhe lidhja e Kosovës më Shqipërinë dhe ky është një prioritet i përcaktuar edhe në rang qeveritar. Nga ana tjetër, edhe shtete të tjera si Maqedonia kanë shprehur interes për t’u përfshirë në këtë rrjet, gjithashtu edhe Serbia e Mali i Zi.

Në masterplan, çfarë rëndësie do të ketë trajtimi i vendeve të gazit, si pika grumbullimi nëntokësore, siç është rasti i Dumresë apo Divjakës?

Po ato do të jenë pjesë e termave të referencës që do të përcaktohen nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, do të jenë terma shumë të qarta. Ne kemi kërkuar me këmbëngulje që konsulentët të shikojnë me kujdes çështjen e prodhimit të gazit natyror. Në Shqipëri, prodhimi i naftës llogaritet në rreth 1.4 milionë tonë në vit, ndërsa i gazit është në nivele të papërfillshme, në një kohë kur rreth 30 vjet më parë, shifrat ishin shumë të larta.

Një tjetër moment është ai i zbulimit të gazit nga kompanitë Petromanas dhe Shell, sikundër ka edhe disa zona të tjera gazmbajtëse, ndaj dhe ne kemi kërkuar nga konsulentët që të vlerësohen edhe potencialet prodhuese në vend. Pra, nëse bëhet një zbulim komercial i gazit natyror, atëherë ai duhet të trajtohet tërësisht në Shqipëri, duke u vlerësuar edhe si eksport. Në këto kushte, gazsjellësi TAP do të ketë pika dalëse, por edhe hyrëse.

A ka shfaqje interesi nga ana e TAP për t’u futur në këto burime gazmbajtëse dhe çfarë do të sjellë studimi i fizibilitetit?

TAP është licencuar si transmetues, por në çdo rast ne do të presim rezultatet e masterplanit. Ne kemi konsultime të vazhdueshme me kompaninë TAP për këtë dokument, sikundër edhe me kompanitë e tjera. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka nënshkruar me Azerbajxhanin një memorandum mirëkuptimi në lidhje me financimin e studimit të fizibilitetit të masterplanit. Kuptohet që këto dy dokumente do të kenë pika të përbashkëta, por jemi në pritje të rezultateve të para të masterplanit. Ndërsa brenda vitit 2020, ne do të mund të kemi një infrastrukturë të gatshme mbi të cilën do të ngrihet edhe tregu i gazit.

A keni marrë sinjale nga investitorë të huaj që shfaqin interes për të hyrë në tregun e gazit, duke qenë se Shqipëria po krijon kuadrin rregullator?

Kuadri ligjor është pothuajse i përfunduar, pritet që të kalojë për miratime në instancat ligjore. Por, investitorët e huaj kanë nevojë për studime të detajuara mbi të cilat do të ngrenë planet e tyre të biznesit, ndaj besojmë se në vitin e ardhshëm, ne do t’i kemi idetë shumë më të qarta në lidhje me kostot, përfitimet, etj.

Gazi në shifra

  • Prodhimi i gazit natyror ka filluar në vitin 1968 me vendburimin e Divjakës me prodhim 70 Mcm/vit.
  • Prodhimi “pik” ka qenë në vitin 1982 me 0.937

Bcm.

  • Numri i përgjithshëm i puseve të shpuar të gazit është mbi 500.
  • Prodhimi kumulativ i gazit natyror vlerësohet me 3.15 Bcm, kurse i gazit shoqërues të naftës 8.7 Bcm.
  • Mbas viteve ’90, prodhimi i gazit natyror u zvogëlua në

mënyrë të shpejtë dhe sot ka arritur në 12 Mcm/vit.

  • Aktualisht numri i puseve prodhues të gazit natyror është zvogëluar në rreth 20 dhe prodhimtaria e tyre është minimale (nga 300 në 200 Nm³/ditë).

kerkesa per gaz rajon

Tregu shqiptar i gazit natyror

Konsumatorët kryesorë të gazit natyror deri në 2015-n parashikohet të jenë:

TEC-et me gaz, industria, shërbimet dhe pjesërisht sektori rezidencial

tregu i gazit shqiperi

Struktura e konsumit

Deri në vitin 1990, tregu i gazit natyror furnizonte industrinë e plehrave kimike, industrinë e naftës dhe të energjisë elektrike dhe shumë pak sektorin rezidencial.

Aktualisht, prodhimi i gazit natyror shërben për industrinë e naftës.

Shqipëria është i vetmi vend europian që ende nuk është i lidhur me rrjetet ndërkombëtare të gazit natyror.

Për vlerësimin e tregut të gazit natyror që nga viti 1994 janë kryer shumë studime, si nga “Partex”, “Sofregaz”, “Ruhrgas”, “Tenneco Gas”, Banka Botërore etj.

Revista Monitor,  20.09.2015