Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria nuk ka prenotuar ende gazin e TAP

Qeveria shqiptare nuk e ka porositur ende sasinë e gazit që do të vijë në tregun vendas përmes gazsjellësit TAP, megjithëse e ka nisur studimin e fizibilitetit dhe hartimin e masterplanit për ndërtimin e rrjetit të shpërndarjes së gazit në vend.

Kreu i “Albpetrol” Endri Puka sugjeroi se negociatat mund të ishin më të mira përsa i përket sasisë së destinuar për tregun shqiptar. “Gjatë negociatave që janë bërë me TAP vitet e kaluara, mund të ishte negociuar më mirë pjesa e një sasie të dedikuar për tregun shqiptar pasi nga 10 miliardë metër kub që do përcjellë TAP nga kufiri i Greqisë me Turqinë në Itali, 8 miliardë janë prenotuar nga Italia, një miliard nga Bullgaria dhe një miliard nga Greqia. Ndërkohë që Shqipëria nuk ka prenotuar”, tha ai.

Ndërsa drejtori i TAP-it për Shqipërinë, Shkëlqim Bozgo, tha se sasia fillestare do të fillojë të transportohet në vitin 2019, kur do të nisin edhe punimet intensive për gazsjellësin. Pavarësisht se sasia fillestare prej 10 miliardësh është prenotuar tashmë, ai e la të hapur mundësinë e përfitimit të gazit për Shqipërinë. “Pavarësisht se 10 miliardët e parë të kapaciteteve tashmë janë të caktuara, sërish ekziston mundësia që për nevojat konkrete që mund të ketë Shqipëria të gjendet hapësirë nga kapacitetet e TAP. TAP-i shumë lehtë mund ta rrisë kapacitetin nga 10 deri në 20”, tha Bozgo, transmeton “TCH”.

Përfaqësuesi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) tha se, para nënshkrimit të marrëveshjeve për përfitimin e gazit nevojitet ndërtimi i infrastrukturës që duhet të jetë e gatshme brenda tre viteve. Konsumatorët e parë që mund të përfitojnë nga gazi natyror janë TEC-i i Vlorës, rafineritë e Ballshit dhe Fierit si dhe Bankers, nevoja e të cilave përllogaritet në 500 milionë metra kub.

Gazeta Shekulli, 17.09.2015