Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervistë me z.Çobo, administratorin e Bankers

Intervista/ Flet Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Leonidha Çobo/ Si rezultat i taksave shtesë, si dhe amendimit të marrëveshjeve, kompania duhet të rikuperojë këto taksa, si dhe investimet para se të mund të deklarojë fitime

Si e vlerësoni performancën e Bankers gjatë vitit 2014?

Viti 2014 ishte një tjetër vit i arritjeve të rëndësishme për Bankers. Përmes investimeve tona kapitale rekord prej 291 milionë dollarësh në operacionet në Shqipëri, ne shpuam 160 puse të reja horizontale që kanë rezultuar me një rritje të prodhimit prej 14%, duke e çuar prodhimin në një mesatare prej 20,690 fuçi në ditë (3,290 tonë/ditë) gjatë gjithë vitit (1.2 milionë tonë/vit). Ky është prodhimi i naftës më i lartë në Shqipëri në 35 vitet e fundit, si dhe më i larti në historinë mbi 85-vjeçare të fushës, duke aplikuar teknologji bashkëkohore në një vendburim të vjetër si ai i Patos Marinzës. Në vitin 2014, aktiviteti ynë u fokusua në reduktimin e kostove dhe përmirësimin e efikasitetit të operacioneve tona përmes investimeve në impiantet e trajtimit si dhe në infrastrukturën sipërfaqësore, duke e bërë çdo fuçi më të vlefshme për Bankers dhe për qeverinë. Gjatë vitit 2014, Bankers pagoi rreth 14% të të ardhurave të përgjithshme të saj për qeverinë shqiptare në formën e rentës minerare, si dhe taksa të tjera si akcizë dhe taksë mbi karbonin, për një vlerë totale rreth 126 milionë dollarë. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, kompania ka investuar gjithashtu në metodat e dyta për të bërë të mundur jo vetëm rritjen e rikuperimit të naftës, por edhe mirëmenaxhimin e energjisë së shtresës për t’i dhënë këtij vendburimi një jetëgjatësi në interes të të gjithëve. Ndërkohë që çmimet e naftës filluan të bien në gjysmën e dytë të vitit 2014, Bankers ka treguar fleksibilitet dhe përgjegjshmëri në operacionet hidrokarbure, duke reduktuar aktivitetin për të mbrojtur qëndrueshmërinë afatgjatë me investimet në këtë vendburim. Aftësia jonë për të reduktuar shpenzimet, së bashku me programin mbrojtës (hedging) 80$ për fuçi, na mundësoi një rënie të butë në vitin 2015, duke na lejuar të mbajmë një program kapital të reduktuar në vitin 2015, pavarësisht rënies prej 50% të çmimeve të naftës.

Bazuar në deklarimet tuaja në bilancin e këtij viti, AKBN nuk ju ka njohur 303 milionë dollarë shpenzime. Cili është komenti juaj?

Shifra e saktë është 251 milionë dollarë, Bankers në përputhje të plotë me rregullat në fuqi, ka dorëzuar observacionet ndaj raportit të AKBN-së duke argumentuar dhe duke mbështetur të gjitha investimet e panjohura dhe duke refuzuar gjetjet e AKBN-së. Në bazë të politikës së korporatës, Bankers nuk komenton publikisht mosmarrëveshjet e pazgjidhura.

Kur planifikoni të realizoni fitime?

Gjatë dhjetë viteve të fundit të operacioneve të saj në Shqipëri, Bankers ka investuar mbi 2 miliardë dollarë dhe vazhdon të riinvestojë 100% të të ardhurave (cash-flow) përsëri në Shqipëri, për të zhvilluar më tej këtë vendburim, investim i cili e ka kthyer vendburimin e vjetër të Patos Marinzës në nivelet që ne po flasim dhe prodhimin e naftës në Shqipëri më të lartin në 30 vitet e fundit. Si rezultat i ndryshimeve të kuadrit fiskal, duke përfshirë amendimet në marrëveshjen tonë në vitin 2008, kur nafta ishte 140 dollarë për fuçi dhe në vitin 2013, kur nafta ishte 110 dollarë për fuçi, Bankers ka rënë dakord me qeveritë shqiptare për të parapaguar një pjesë të fitimeve te qeveria në formën e rentës minerare prej 10% të aplikuar mbi të ardhurat që nga viti 2008, si dhe taksat shtesë të akcizave, karbonit dhe taksën e qarkullimit që nga viti 2014. Aplikimi i taksave shtesë (renta minerare, akciza, taksa e karbonit, taksa e qarkullimit, etj.) të cilat nuk kanë ekzistuar në industrinë e naftës në kohën kur marrëveshjet janë nënshkruar në vitin 2004, si dhe amendimet e mëvonshme të këtyre marrëveshjeve kanë bërë të mundur parapagimin e fitimit tek autoritetet shqiptare për një total rreth 283 milionë dollarësh. Si rezultat i këtyre taksave shtesë si dhe amendimit të marrëveshjeve, kompania duhet të rikuperojë këto taksa, si dhe investimet para se të mund të deklarojë fitime. Është e rëndësishme që të sqarohet drejt edhe opinioni publik se në 10 vjet që Bankers ka operuar në Shqipëri, aksionerët tanë kurrë nuk kanë shpërndarë fitim (dividend) nga investimet tona në Shqipëri, ndërkohë që autoritetet shqiptare, qeveritë lokale dhe Albpetrol kanë mbledhur mbi 500 milionë dollarë nga renta minerare, prodhimi paraekzistues dhe taksat direkte të paguara nga Bankers, nga të cilat, rreth 283 milionë dollarë nuk ishin parashikuar në marrëveshjen e vitit 2004.

Sa kanë ndikuar çmimet e naftës tek investimet tuaja?

Çmimet e naftës kanë rënë më shumë se 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo rënie ka prekur ndjeshëm aftësinë tonë për të investuar me të njëjtin ritëm që ne do të dëshironim dhe që kishim parashikuar një vit më parë. Si pasojë e rënies së të ardhurave, në vitin 2015 kompania është detyruar të reduktojë në 2 numrin e sondave të shpimit dhe të shpojë 60 puse të reja, nga 6 sonda shpimi dhe 160 puse në vitin 2014. Për sa u përket investimeve tona në vend, politika e kompanisë është që të jetë shumë e përgjegjshme në kushtet aktuale dhe është detyrim që investimet të reflektojnë këtë situatë, me çmimet aktuale të naftës nën 50 dollarë/fuçi, me detyrimet fiskale për t’u paguar të rentës minerare dhe taksave të tjera, mendoj se do të kalojnë disa vite para se aksionerët tanë të shohin fitime, ndërkohë që në të njëjtën kohë autoritetet shqiptare do të vijojnë të marrin 15-20% të të ardhurave bruto para se aksionerët të shohin ndonjë fitim.

Në muajin prill, kompania u përfshi në një incident gjatë shpimit të një pusi. Si po reagoni që incidente të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen?

Gjatë orëve të para të mëngjesit të 1 prillit (e mërkurë), Bankers aktivizoi Planin e Përgjigjes ndaj Emergjencave, si rezultat i një çlirimi të pakontrolluar të dioksidit të karbonit gjatë shpimit të një pusi horizontal, në skajin lindor të fushës naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Gazi nuk ishte helmues ose i ndezshëm dhe nuk ka pasur viktima si pasojë e çlirimit. Pas çlirimit, Bankers është përqendruar në dy objektiva kryesore, së pari, koordinimin me zyrtarët e komunitetit lokal për të rikuperuar zonën e prekur dhe për të kthyer banorët në jetesën e tyre normale, nëpërmjet punëve riparuese dhe kompensimin e duhur për dëmet. Komisioni i ngritur nga autoritetet për të përcaktuar dhe për të vlerësuar dëmet nga incidenti ka përfunduar raportet e tij dhe marrëveshjet e kompensimit janë duke u nënshkruar me të gjitha palët e prekura. Së dyti, Bankers ka realizuar një vlerësim të plotë teknik të praktikave tona të shpimit, për të siguruar se kjo nuk do të ndodhë përsëri. Hapa të rëndësishëm janë bërë për rehabilitimin e zonës dhe nuk pritet të ketë më dëme materiale apo të qëndrueshme. Bankers operon duke respektuar standardet më të larta ndërkombëtare të industrisë nxjerrëse, prioriteti ynë kryesor është shëndeti dhe siguria e punonjësve tanë, mbrojtja dhe rikuperimi i ambientit si dhe e banorëve të komuniteteve në të cilët ne operojmë.

Si e vlerësoni klimën e të bërit biznes në Shqipëri?

Momenti për të zhvilluar një biznes është i vështirë, jo vetëm në Shqipëri, jo vetëm në sektorin tonë, por më gjerë. Në vitin 2008 dhe 2013, kur industria jonë ishte shumë më e fortë dhe çmimi i naftës mbështeste investime të konsiderueshme dhe fitime potenciale, kompani të tilla si Bankers kanë pranuar kërkesat e qeverisë për të parapaguar pjesën e tyre të fitimit. Aktualisht situata në këtë industri është shumë e dobët, zhvillimi i një vendburimi të naftës shumë të rëndë si ai i Patos Marinzës është shumë i vështirë. Pikërisht tani, industria jonë ka nevojë për mbështetjen e qeverisë për të ruajtur investimet dhe për të realizuar projekte dhe plane në këtë periudhë të vështirë. Bankers shpreson që autoritetet shqiptare të vlerësojnë mundësinë që të bashkëpunojnë për të gjetur mënyra për të inkurajuar dhe për të ndihmuar investimet dhe për të stimuluar këtë industri në këtë moment shumë të vështirë të saj, e cila është një nga kontribuuesit kryesorë në ekonominë shqiptare. Vendime të thjeshta si rimbursimi në kohë i TVSH-së mund të parandalojnë kompani si Bankers (detyrimi ndaj së cilës do të arrijë në 30 milionë dollarë në shtator), nga marrja e vendimeve të vështira si shkurtimi i stafit dhe për pasojë, të shkojë në rënie të prodhimit të naftës, si rezultat i mungesës së investimeve të vazhdueshme.

Revista Monitor,  07.09.2015