Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kili, ngujohen 73 minatorë, kërkojnë pagat

Më shumë se 70 minatorë kilianë, të cilët janë në grevë që prej dy javësh, janë ngujuar në zgafellë, 900 metra nën tokë, dhe kërcënojnë se nuk do të pranojnë më as ujë, as ushqim.

“Ata i kanë bllokuar hyrjet gjë që na pamundëson të shkojmë atje ku gjenden. Ata nuk kanë mjete komunikimi dhe kanë thënë se nuk duan as ushqim, as ujë”, ka deklaruar për mediet lokale Luis Chandia, kryetari i sindikatës së minierës së thëngjillit Santa Ana, në rajonin e Concepcion, rreth 550 km në jug të Santiagos, përcjell “zeri.info”.

Në përgjithësi, 73 minatorë kanë nisur grevën më 11 gusht dhe janë ngujuar në galeri 650 m nën tokë. Ata kërkojnë pagat që nuk u janë paguar që nga qershori. Luis Chandia ka treguar se grevistët kanë vendosur të zbresin në thellësi 900 metra, ku rrezikojnë të përballen me probleme shëndetësore dhe të furnizimit me oksigjen.

Minatorët thonë se nuk do ta ndalin grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Por, drejtuesit e minierës, dy biznesmenë lokalë, thonë se ia kanë dorëzuar një tjetrit dhe se ata nuk kanë të bëjnë me këtë konflikt. Ndërkohë, qeveria u ka dhënë ndihma financiare familjeve të minatorëve dhe ka nisur një procedurë në organet e drejtësisë në mbrojtje të grevistëve.

Gazeta Zëri,  26.08.2015