Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KOSTT letër mbështetje për grevistët e Ballshit

Letër mbështetëse për grevistët e Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar

Motra e vëllezër sindikalistë,

Në emër të gjithë anëtarësisë së sindikatës sonë po ju shkruaj për të shprehur mbështetjen tonë për të gjithë punëtorët e rafinerisë së Ballshit. Shpresojmë që kjo letër ta gjejë secilin prej jush, në veçanti koleget tuaja që tani janë në grevë urie, të shëndetshëm, më të fortë e më të palëkundur se kurrë më parë.

Këmbëngulësia juaj është një inspirim, për më tepër, një mësim për të gjithë ne se si duhet qëndruar kundër padrejtësive. Greva juaj filloi me grevistët burra për dy javë dhe tash po vazhdon nga grevistet gra me grevën e tyre tashmë mbi njëjavore. Te ky moment na lejoni që të shprehim në veçanti rëndësinë e gruas punëtore dhe le ta mendojmë edhe njëherë të gjithë ne, forcën e kolegeve tona të cilat në këtë luftë si asnjëherë tjetër ushtrojnë barazinë e tyre dhe ia mësojnë shoqërisë se lufta për barazi kërkon sakrificë nga të gjithë.

Lajmi për këtë padrejtësi të madhe që po përjetoni ka kaluar tashmë çdo kufi, e sidomos atë Shqipëri-Kosovë. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me ju dhe e quajmë të turpshme manovrën e qeverisë suaj e cila ju kushtëzon me ndalimin e veprimit tuaj sindikal për të bërë diskutime. Ne jemi me ju. Në një shtet të së drejtës, vendimet e gjykatave nuk diskutohen, ato vetëm zbatohen. Ne i bëjmë thirrje qeverisë suaj, që të ndalojë manovrat e tilla të turpshme, e të sigurojë zbatimin e vendimit të gjykatës dhe të mbrojë interesin publik përballë atij privat.

Neve në Kosovë grevat e tilla të urisë na kujtojnë rrethanat e shtypjes së para luftës dhe grevën historike të minatorëve tonë në Trepçë gjatë vitit 1989, të drejtuar ndaj një superfuqie dhunuese siç ishte Jugosllavia e asaj kohe. Ne ngadhënjyem. Jemi të bindur se edhe greva juaj do të ketë vetëm një përfundim: fitoren.

Më lejoni ta mbyll këtë letër me një ndjenjë faji që rrethanat nuk na lejojnë të ushtrojmë veprim sindikal më konkret për t’u solidarizuar me ju, por zemrat dhe mendjet tona nuk do të jenë të qeta deri sa çështja juaj të zgjidhet. Qëndroni të fortë e të palëkundur!

Jua shtrëngoj duart fort,
Juaji,

Arian MalokuKryetar i shoqatës sindikale
“Unioni i Punëtorëve të KOSTT-it

energjia.al 22.10.2020