Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroacia: Terminali i gazit në KRK, strategjik

Qeveria kroate e shpalli ndërtimin e planifikuar të terminalit të gazit të lëngshëm natyror – LNG – në ishullin Krk një ‘projekt strategjik investimi’.

Planet për të ndërtuar një terminal të LNG në Krk, potencialisht i rëndësishëm për furnizimin e Kroacisë dhe Europës Qendrore me gaz, datojnë vite më parë. Qeveria, që nga ajo kohë, ka themeluar një kompani, LNG Croatia, përgjegjëse për organizimin e tenderëve për ndërtim.

Sipas një ligji mbi projektin strategjik të investimeve, të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me projektin, do të përshpejtohen dhe shënjohen si një prioritet i lartë.

Projekti është me vlerë rreth një miliard euro në total – vetë terminali kushton rreth 600 milionë euro – dhe vlerësohet si i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe në këtë mënyrë për punësim të ri.

Ndërtimi do të fillojë në mes të vitit 2016 dhe do të zgjasë tre vite.

Kroacia përdor rreth 2.7 miliardë metra kub gaz në vit dhe kështu që terminali do të jetë në gjendje të furnizojë vendet e rajonit dhe BE-së me gaz, si dhe me një kapacitet nga 4 deri në 6 miliardë metra kub.

Terminali LNG në Krk është klasifikuar një projekt afatmesëm në strategjinë europiane të sigurisë energjetike, së bashku me Gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP, dhe korridorin e tij kroat, naftësjellësin Jon-Adriatik, IAP, me të cilin do të lidhet potencialisht terminali Krk.

BE-ja e mbështeti projektin në tetor 2014 duke ofruar 4.9 mln euro në drejtim të studimit të fizibilitetit për projektin. BE-ja e quajti të rëndësishëm në ‘ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për të garantuar sigurinë energjike të Europës’.

Robin Dunningan, sekretari për politikat energjetike në Departamentin Amerikan të Shtetit, në dhjetor të vitit 2014 ka konfirmuar gjithashtu interesin amerikan në projekt. Ajo vuri në dukje se ai i krijonte Kroacisë për t’u bërë një qendër e shpërndarjes së furnizimit me gaz për rajonin.

Dunningan shtoi se SHBA-ja dëshiron që TAP të kalojnë nëpër Kroaci dhe Bosnjë, duke i dhënë rajonit një furnizim alternativ me gaz dhe duke reduktuar kështu varësinë rajonale nga gazi rus.

Në bisedime me Kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç, në shkurt të vitit 2015, nënpresidenti amerikan, Xhozef Bajden, propozoi që gazi nga terminali LNG në Krk të mund të përdoret për të furnizuar Serbinë me anë të një tubacioni që kalon përmes Hungarisë.

Revista Monitor,  04.08.2015