Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndërtimi i “Kosova e Re”, gjysmën e dytë të vitit tjetër

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” pritet të filloj në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Ekonomia, plani i parë i diskutimeve me kancelaren Merkel. Statusi i Trepçës nuk zgjidhet këtë vit. Numri i të papunëve në Kosovë, shqetësues. PTK nuk privatizohet këtë vit. Për këto dhe të tjera tema, flet për KosovaPress, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Stavileci , tha se deri në fund të këtij muaji pritet që t’i përfundojnë të gjitha procedurat me kompaninë amerikane që ka shprehur interesimin për ta zhvilluar projektin për Termocentralin “Kosova e Re”, rreth modelit financiar, qëndrueshmërisë me energji elektrike dhe çmimin që do ta paguajnë qytetarët.

Pas kësaj procedure, Ai thotë se do të hyjnë në fazën tjetër ku do ta shpallet ofertuesi i preferuar sipas procedurave dhe në momentin e arritjes së marrëveshjes do të nis faza tjetër, ajo e ndërtimit.

“Procesi i ndërtimit të Termocentralit të Kosovës së Re është në një fazë të avancuar. Ne jemi duke diskutuar me kompaninë ofertuese, pra investitorin amerikan i cili ka shfaqur interesim për ta zhvilluar projektin, për ta financuar projektin dhe në momentin që ne arrijmë marrëveshjen, pastaj kalojmë në fazën e dytë të ndërtimit dhe të operimit të këtij termocentrali. Presim, pra që gjatë këtij muaji pas analizimit të detajeve të fundit financiare ta kemi një përfundim të këtij procesi dhe nëse gjithçka shkon në rregull ne investitorit amerikan do të mund t’ia jepnim statusin e ofertuesit të preferuar ashtu siç parashihet me terma të referencës së këtij projekti dhe të kalojmë në fazën tjetër”, tha Stavileci.

Ai thekson se nëse bisedimet shkojnë sipas planit, pretendojnë që ndërtimi i Kosovës së Re të nisë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, sipas tij askush nuk mund ta di me saktësi se kur do të nisë, po ajo që ata po bëjnë tash është që ta përmbyllin fazën e parë për të vazhduar me fazën e ndërtimit.

“Ne presim që gjatë këtij muaji t’i përfundojmë detalet e modelit financiar për arsye se për neve është shumë e rëndësishme që përveç rëndësisë të plotësimit të objektives që lidhet me furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike edhe përballueshmëria, pra se si do të jetë çmimi i energjisë që do ta paguajnë qytetarët tonë në periudhën e ardhshme…Pra si fazë e re dhe nëse gjithçka shkon si duhet ne mendojmë që në vitin e ardhshëm, nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm do të mund të niste ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’”, theksoi ai.

Ndërsa, rreth interesimit të kompanisë gjermane “Bilfinger” për të ndërtuar kapacitete të reja në “Kosova A”, Stavileci tha se kjo kompani ka bërë një ofertë dhe një prezantim projekti, por që nuk e arsyeton ekonominë e tij.

“Për sa i takon Kosovës A, ne kemi pra një plan që lidhet me dekomisionimin e saj dhe dekomisionimi saj lidhet drejtë për drejtë edhe me fatin e projektit të ardhshëm të ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese. Në ndërkohë janë paraqitur kompani si ajo që ju e përmendet të cilët kanë alternativa të ndërtimit të Kosovës A. Ka bërë një ofertë, një prezantim teknik, por një prezantim teknik nuk e arsyeton pra ekonominë e një projekti dhe për të qenë i plotë dhe për të pasur fizibilitet dhe arsyshmëri të plotë ekonomike, ai duhet ta ketë edhe modelin financiar, edhe modelin ligjor se si do të bëhet dhe ne kemi kërkuar edhe më herët kur na është prezantuar që të jepet një plan financiar ku do të kemi një konstruksion financiar dhe burimet e financimit pra për këtë projekt”, tha Stavileci.

Për investimet e kompanive gjermane, është biseduar edhe me kancelaren Angela Merkel, gjatë vizitës që ka pasur kryeministri Isa Mustafa, ku pjesë e delegacionit ishte edhe ministri Blerand Stavileci. Ai thotë se me kancelaren biseduan rreth fatit të ekonomisë së Kosovës, e cila lidhet ngushtë me zhvillimet politike.

“Fati i ekonomisë sonë është i lidhur ngushtë momentalisht edhe me zhvillimet politike të cilat janë diskutuar dhe kanë qenë në planin e parë të diskutimeve me kancelaren Merkel. Mos të harrojmë që shteti gjerman është edhe me investime edhe me prezencën e investitorëve këtu në vendin tonë, por edhe në bilancin tregtarë është njëri ndër shtetet prijëse dhe ne mendojmë që kjo duhet të avancohet dhe të thellohet edhe më shumë në periudhën vijuese”, shtoi ai.

Ministri Blerand Stavileci ka folur edhe për kombinatin metalurgjik Trepça, për të cilin tha se do ta rregullojnë statusin e tij me një strategji zhvillimore dhe projektligj të veçantë, por kjo nuk pritet të bëhet gjatë këtij viti.

“Ju e dini që Trepça ende është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe tash jemi duke u përgatitur për dy veprime të cilat lidhen dhe fati i të cilave është i lidhur ngushtë, pastaj edhe me periudhën kohore të bërjes së strategjisë dhe ligjit për Trepçën. Pra kompletimi i bordit të AKP-së, një dhe e dyta themelimi i një grupi punues qeveritar i cili do ta jap, do ta përgatisë terrenin dhe orientimet strategjike në përgjithësi për sektorin minerar të Kosovës, por në veçanti për Trepçën…Dhe unë mendoj që nuk mund ta them me muaj saktësisht se kur do të ndodh kjo, por besoj që brenda atyre afateve ligjore që tash edhe me ligj jemi të detyruara t’i respektojmë”, tha ministri Stavileci.

Megjithatë, ai thotë se një pjesë mund të kryhet brenda këtij viti dhe një pjesë tjetër në fillim të vitit tjetër, ndonëse ai në këtë proces nuk e sheh si me të rëndësishëm faktorin kohor, pasi sipas Stavilecit, më e rëndësishme është cilësia e strategjisë dhe e ligjit, modeli ekonomik, kreativ dhe i qëndrueshëm, me të cilin gjiganti Trepça do të mund të rimëkëmbet.

Derisa, ka mohuar se prolongimi i zgjidhjes së statusit të Trepçës po bëhet për shkak të futjes në agjendën e bisedimeve me Serbinë të cilat po zhvillohen në Bruksel. “Jo, ne tash e dimë që ne kemi, nuk është se tash do të nis dialogu me Serbinë, ai ka nisur më herët. Ne e kemi ligjin, pra është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe tash jemi në kuadër të një procesi të dialogut që e dini. Sot për sot kanë qenë pesë tema që janë lidh me ato marrëveshje dhe jo tema të tjera jashtë marrëveshjes dhe momentalisht e dini që diskutohet pra për energjinë, për telekomunikacionin, për asociacionin, për urën dhe për polisat e sigurimit të automjeteve. Ajo tashmë është e kryer dhe kanë mbetur këto katër tema dhe nuk ka ndonjë temë tjetër që momentalisht diskutohet, absolutisht janë spekulime kur përmenden Trepça , Ujmani, asnjëherë nuk janë diskutuar dhe nuk do diskutohen”, tha Stavileci.

Ministri Stavileci ka folur edhe për numrin e papunësisë, ku sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, aktualisht numri i të papunëve në vend shkon deri në 35 për qind. “Po, pa dashur ta analizojmë apo të japim një vlerësim për numrin, mendoj cili do që të jetë në ato vlera është i lartë , është shqetësues dhe ne e kemi thënë shumë herë që papunësia është njëra prej plagëve më të mëdha të shoqërisë sonë dhe jo rastësisht investimet që janë bërë viteve të fundit, por edhe program i ri qeveritar, objektivin e parë të definuar e ka rritjen e qëndrueshme ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, tha ministri Stavileci.

Për këtë, ai thotë se Qeveria fokusin kryesor në programin e saj e ka në agjendën ekonomike, ku do ta përkrahin sektorin privat, sidomos sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sipas Stavilecit, këto ndërmarrje duke qenë të përkrahura nga Qeveria dhe nga sektori financiar me politika të ndryshme, do të zhvilloheshin dhe do t’i zgjeronin kapacitetet prodhuese, përpunuese, të ofrimit të shërbimeve, të produkteve të reja, çka do të bënte që të hapeshin vende të reja pune.

Ndërsa, sa i përket privatizimit të Post ës dhe Telekomit të Kosovës, ministri Stavileci tha se këtë vit nuk do privatizohet PTK-ja. “Jo, nuk e besoj sepse është shumë shpejtë këtë vit janë procese që kërkojnë një kohë më të madhe. Ju e dini që ato procese që kanë nisur më herët kanë zgjatur, por ne e kemi lënë aty në kuadër të programit qeveritar në vitin 2016-2017, pra për periudhën para privatizimit dhe të privatizimit”, tha Stavileci.

Ai shtoi se do të jenë dy faza, para privatizimi dhe privatizimi, pas një procesi të dështuar vitin e kaluar për ta privatizuar PTK-në. Stavileci tha se do të investojnë në PTK për t’ia rritur vlerën në treg edhe pastaj do të nisin procedurat e privatizimit.

Telegrafi,  13.07.2015