Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Udhëzuesi i BE-së për energjinë është kosto-efektiv

Duke përafruar politikat e energjisë me udhëzuesin e Bashkimit Evropian për energjinë, duke mbyllur të gjitha termocentralet me qymyr dhe duke i zëvendësuar ato me burime të energjisë së rinovueshme, vendet e Evropës JL mund të kenë një sistem energjitik më të pastër dhe më të lirë.

Këto janë gjetjet që vijnë nga 7 modele të reja energjie të zhvilluar për rajonin e Evropës JL, të bazuara në të dhëna të aksesueshme dhe në mbi 500 konsultime me aktorë të ndryshëm interesi, të cilat u prezantuan sot në një konferencë të organizuar nga SEE Change Net në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, në kuadër të Javës Evropiane për Energjinë e Qendrueshme.

Këto modele tregojnë gjithashtu se duke zbatuar qëllimet e Udhëzuesit të BE për Energjinë, shtetet do të reduktojnë me 60% konsumin e tyre vjetor të energjisë, në vend që ta rrisin atë me 6% sipas skenarëve të propozuar nga Business as Usual (Biznesi si zakonisht). Këto shtete gjithashtu do të rrisin eficencën e energjisë në të gjithë sektorët, të parandalojnë rritjen e kostove shëndetësore si dhe të reduktojnë rreziqet klimatike.

“Nëse rruga e shtruar nga BE është teknikisht e mundur për tu zhvilluar dhe me të njëjtën kosto që ka përqasja aktuale ,“Rruga drejt asgjësë”, e cila po udhëheq qeveritë e Evropës JL larg standarteve Evropiane, atëherë pse nuk po investojmë në një system energjitik i cili do të jetë më i drejtë, më i pastër dhe më efikas për të gjithë banorët e Evropës JL?”, pyet Garret Tankosić-Kelly, Drejtor i SEE Change Net, i cili udhëhoqi këtë sesion.

Modelet e energjisë për Evropën JL bazohen në Llogaritësin 2050, i cili është zhvilluar nga Departamenti i Energjisë dhe Ndryshimeve Klimatike (DECC) në Mbretërinë e Bashkuar. Zëvendës Drejtori i DECC, Tom Counsell, shpjegoi përfitimet që ka Llogaritësi 2050: “Në Mbretërinë e Bashkuar, kemi zbuluar se arrijmë në një nivel diskutimi më të lartë, kur diskutojmë për të ardhmen e energjisë, nëse angazhohemi në një proces i cili është transparent, i sfidueshëm, dhe që ka mjete që përdoren lehtë sikundër është Llogaritësi 2050. Jemi shumë të kënaqur që shtete dhe rajone të tjerë kanë zhvilluar teknika të njëjta, kështu që edhe ato të mund të kenë debate të fuqishme, dhe të një cilësie të mirë, rreth zgjedhjeve dhe vendimeve më të mira për ta.”

“Këto modele energjie tregojnë se udhëheqja e energjisë dhe klimës nëpërmjet koordinimit rajonal mund të shndërrojë në realitet vizionin për një zhvillim të qendrueshëm dhe hapjen e vendeve të punës në sektorin e energjisë”, thotë Dan Kammen, drejtor i laboratorit për Energji të Rinovueshme dhe të Përshtatshme të Berkeley UC (RAEL), i cili prezantoi rezultatet kryesore të modeleve të energjisë. “Nëpërmjet këtij udhëzuesi për energjinë dhe klimën, Evropa JL po tregon se duke përfituar nga zhvillimi i shpejtë i teknologjive të energjisë së pastër dhe ndarjes së njohurive, mund të bëhet një lider në marshin drejt të ardhmes së energjisë që ne duam, dhe jo thjesht atë që rastësisht kemi trashëguar.”

Sipas të dhënave të publikuara nga raporti më i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetit, Evropa JL harxhon mesatarisht 19% të GDP së saj në kosto ekonomike për vdekjet nga ndotja e ajrit, e barabartë me 30 bilion dollarë.

Në kundërshti me përqasjen aktuale të rajonit, “Rruga drejt asgjësë”, e cila do të rezultojë në reduktimin e emisioneve me vetëm 25% për 2050, rruga drejt BE do të thotë që të mos ketë ndërtime termocentralesh të reja përvec atyre që tashmë po ndërtohen në rajon. Kjo rezulton në reduktimin e emisioneve me 80% për vitet midis 2010 dhe 2050.

“Duke investuar të njëjtën sasi parash në energji të rinovueshme dhe jo në praktikat e dëmshme të përfitimit të energjisë nga linjiti, duke investuar në reduktimin e humbjeve të energjisë në rrjet, dhe duke rritur eficencën e energjisë e mitiguar ndotjen, rajoni mund të fillojë udhëtimin e tij në një rrugë të re, të nevojshme dhe të qendrueshme për energjinë ”, deklaron Ana Ranković nga organizata Fractal në Serbi, në emër të grupit të modeluesve të energjisë, që përfaqësojnë 9 organizata të Evropës JL, të cilët kanë punuar për krijimin e modelve të energjisë.

Ekolëvizja, 19.06.2015