Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kthesa e papritur e Serbisë drejt TAP-it

Shpallja e papritur e Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në 28 maj, duket jo rastësisht nga Tirana, se Serbia ka vendosur të kërkojë diversifikimin e burimeve të saj energjetike dhe në këtë kuadër është e gatshme të bashkohet me gazsjellësin europian Transadriatik, TAP, mund të thuhet se shkaktoi një vetëtimë emotive në qarqet diplomatike në Ballkan dhe në një farë shkalle, edhe në Europë. Them “vetëtimë emotive”, sepse ishte diçka e re dhe e padëgjuar më parë që Serbia afishon një qëllim, që në një farë mënyre e distancon atë nga protektori dhe aleati i saj kryesor strategjik, Rusia. Që nga viti 2003, kur është hedhur për herë të parë ideja e gazsjellësit TAP e deri në 28 maj 2015, qeveritë serbe kurrë nuk janë shprehur në përkrahje të atij projekti. Tani qeveria dhe diplomacia serbe nxituan të përfitojnë nga elementi “befasi” dhe po tentojnë të krijojnë përshtypjen se Serbia po kërkon rrugët që e lidhin me BE dhe me Amerikën. Siç deklaronte në 3 qershor Jelena Miliç, drejtore e Qendrës së Studimeve Euroatlantike në Beograd, “fakti, që Vuçiç përmendi diversifikimin e burimeve të gazit, u paraqit në Serbi si një mrekulli”.

Fusha e jetës ku ndodhin më pak mrekulli është diplomacia dhe politika e jashtme. Ajo që ndodh më shpesh në diplomaci dhe në politikën e jashtme janë blofet, të cilat natyrisht vishen me mbulesat e befasisë dhe të mrekullisë. Ndaj qëndrimi i ri, i shpallur nga Kryeministri i Serbisë në Tiranë në 28 maj, meriton një vështrim më të thelluar, sepse hyn tek ato qëndrime, të cilat në një mënyrë apo tjetër sugjerojnë nevojën e përgatitjes për t’u përballur me taktika të reja të diplomacisë së Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare të rajonit, në marrëdhëniet e rajonit tonë me qendrat botërore të fuqisë dhe në drejtim të strategjisë për influencë në rajon.

Le ta shohim çështjen në fillim në planin energjitik. Çfarë do të thotë të bashkohet Serbia me gazsjellësin Transadriatik, i cili do të transportojë gazin e Azerbajxhanit nëpër Turqi, Greqi, Shqipëri dhe Itali. Faktori i parë që duhet llogaritur është se pozicioni gjeografik i Serbisë është jokufitar me shtetet nga do të kalojë gazsjellësi TAP. Që Serbia të bëhet pjesë e këtij gazsjellësi, do të duhet të shndërrohet në degëzim të një degëzimi, i cili mund të jetë Bullgaria, Maqedonia ose Kosova. Ka edhe një alternativë, që Serbia teorikisht mund ta marrë jo direkt nga TAP, por nga gazsjellësi tjetër, Adriatiko-Jonian, IAP, i cili do të lidhet dhe furnizohet nga gazsjellësi TAP në Shqipëri dhe do të kalojë nëpërmjet Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë për në Europë. Përsëri i bie që Serbia të bëhet degëzim i një degëzimi të gazsjellësit TAP. Mirëpo qeveritarët serbë nuk kanë folur për lidhje me gazsjellësin IAP, por kanë folur për bashkim me projektin TAP: Po ta shohësh më thellë, ideja serbe është që Serbia jo të jetë degëzim i një degëzimi të gazsjellësit europian TAP, por të bëhet vend tranzitimi i gazsjellësit TAP: Që Serbia të bëhet vend tranzitimi, do të thotë që: Ose gazsjellësi TAP të ndërtojë dy korridore paralele nëpër Ballkan, njërin nga Shqipëria dhe tjetrin nga Serbia, gjë që është e pamundur të mendohet. Ose do të thotë që gazsjellësi TAP të ndryshojë trajektoren e caktuar të tanishme dhe të mos kalojë nga Shqipëria për në Itali. E thënë më thjesht, synohet që Serbia të zëvendësojë Shqipërinë. Në fakt, kjo e fundit është ëndrra reale e Serbisë dhe jo më kot ministri serb i Energjisë, Aleksandër Antiç, hodhi në 30 maj idenë se Serbia dëshiron të lidhet me TAP-in nga Bullgaria, (në një kohë që TAP nuk kalon nëpër Bullgari) dhe të bëhet shtet tranzitues.

gjiknuri firmos tubin e pare te tapDuket qartë se këtu nuk kemi të bëjmë më, as me diversifikim të burimeve të energjisë, por kemi të bëjmë me diversion të korridoreve të energjisë. Serbia po insiston me çdo kusht që të fitojë pozicionin e shtetit qendror të rrjetit të gazsjellësve ballkanikë, ashtu siç ka qenë e zonja deri tani të fitojë vendin qendror të kryqëzimit të rrjetit rrugor e hekurudhor ballkanik, si në projektet e mëdha të Bashkimit Europian, ashtu edhe në projektet e mëdha infrastrukturore të Kinës në Ballkan. (Por kjo është një temë dhe një shqetësim strategjik në vete). Serbia e humbi pozicionin e qendrës së depozitimit dhe të shpërndarjes së gazit rus, të cilin e kishte të planifikuar nga Moska me gazsjellësin “South Stream”, që do të kalonte nga Bullgaria dhe Serbia, dhe për të cilin kishin filluar punimet në të dyja vendet. “South Stream” u ndërpre në dhjetor të vitit të kaluar dhe Rusia e spostoi vendin e startit të gazsjellësit nga Bullgaria te Turqia. Por në kompleksitetin e situatës juridike të Bashkimit Europian po krijohet mendimi se edhe tentativa e dytë ruse për gazsjellësin “South Stream 2″, që do të kalonte nga Greqia në Maqedoni dhe në Serbi nuk duket shpresëdhënëse, për shkak se shtetet anëtare dhe kandidate të BE duhet t’i nënshtrohen legjislacionit dhe politikës së përbashkët energjetike të BE:
Në këtë klimë shfaqet qëndrimi i ri i Kryeministrit të Serbisë për t’u bashkuar me gazsjellësin TAP, në emër të diversifikimit të burimeve të energjisë, në një kohë që duket edhe jorealiste, edhe mision i pamundur, që Serbia të jetë pjesë e gazsjellësit TAP, dhe aq më pak vend tranzitimi i gazsjellësit TAP:
Faktori i dytë që duket se nuk llogaritet apo lihet anash me qëllim është dominimi i plotë rus mbi Serbinë në fushën e energjisë. Nuk duhet harruar se industria serbe e gazit dhe e naftës, NIS, është pronë e Gazpromit dhe e Rusisë. Serbia ia dha Rusisë katër herë më lirë se ç’vlente industria serbe e naftës dhe e gazit, në shkëmbim të vetos ruse kundër pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB në vitin 2007, kur diskutohej çështja e statusit të Kosovës. Është e lehtë të kuptohet se nuk është Qeveria serbe që vendos për industrinë e naftës dhe gazit, por është Gazpromi. Asnjë lëvizje reale strategjike në fushën energjetike nuk mund të bëjë Serbia pa konsulencën, interesin dhe vendimmarrjen e Rusisë. Në mënyrë të natyrshme derivon se edhe qëndrimi i ri befasues për diversifikimin e burimeve energjetike dhe bashkimin me gazsjellësin TAP, duhet të jetë konsultuar më parë me rusët. Në Moskë nuk bëri përshtypje deklarata e Kryeministrit të Serbisë dhe ambasadori rus në Bashkimin Europian, Vladimir Çizhov, deklaroi në 29 maj se nuk ka asgjë të habitshme që Serbia po kërkon burime të tjera energjetike dhe kjo nuk do të thotë se po heqin dorë nga zbatimi i projekteve të përbashkëta energjetike me Rusinë. Rusia furnizon 75-80 për qind të nevojave të përvitshme të Serbisë për gaz, të cilat Serbia nuk mund t’i zëvendësojë kaq kollaj. Pikërisht ditën që kryeministri serb shpallte në Tiranë qëndrimin e tij properëndimor energjitik, drejtori i kompanisë kryesore shtetërore të naftës dhe gazit “Serbijagas”, Dushan Bajatoviç, në Beograd, në Kongresin e Biznesit Europian, sulmonte ashpër Bashkimin Europian se “po pengon ndërtimin e infrastrukturës energjetike të Serbisë”.

Pas aspektit energjetiko-politik, qëndrimi i Kryeministrit të Serbisë duhet parë edhe në aspektin diplomatik. Vuçiç e shpalli qëndrimin në Tiranë, për ta bërë më të besueshëm, në prag të vizitës së tij në SHBA. Ai kishte nevojë që të shkonte në Uashington me një “dhuratë diplomatike” dhe për këtë qëllim shpalli qëndrimin e ri, qëllim të cilin as nuk e kamufloi, kur deklaroi se pjesëmarrja e Serbisë në TAP është e rëndësishme për “miqtë amerikanë”.

Serbia duket se ka vendosur në planin diplomatik të rrisë impostimin propagandistik proeuropian dhe proamerikan. Kjo lëvizje vjen nga fakti se në BE dhe në SHBA po arrin një pikë ngopje durimi me politikën e jashtme joperëndimore të Serbisë dhe sidomos pakënaqësia për thellimin e aleancës së saj strategjike me Rusinë, në kohën e një krize dhe përplasjeje gjeopolitike të Perëndimit me Rusinë. Serbia, e cila nuk ka dënuar as aneksimin e dhunshëm të Krimesë dhe as agresionin e Rusisë në Ukrainën Lindore, e cila ka refuzuar sanksionet e BE dhe të SHBA-ve kundër Rusisë, e cila ka zhvilluar dhe po zhvillon në territorin e saj manovra të përbashkëta ushtarake me forcat desantuese ruse, e cila ka bllokuar normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara me ndërmjetësimin e BE, mendon se me një grim diplomatik properëndimor mund të zbusë shqetësimin e Perëndimit për politikën e jashtme serbe.

E zbërthyer në disa drejtime, është tepër e vështirë të besohet se ka një kthesë të vërtetë të Serbisë drejt TAP-it, drejt shkëputjes nga Rusia, drejt Europës apo drejt Amerikës. Garnitura aktuale qeverisëse në Beograd, e cila ka dalë nga kabineti i Sllobodan Millosheviçit, ka kredencialet minimale për t’u besuar se mund ta bëjë dhe se vërtetë dëshiron ta bëjë këtë ndërrim kursi të politikës së jashtme serbe. Çështja shtrohet se në disa kryeqytete europiane ka grupe të elitës politike, të cilat kanë qejf të dëgjojnë dhe priren të besojnë melodinë e re energjetike dhe diplomatike të Serbisë. Këto janë grupet që kanë prirjen të harrojnë si atë që ka bërë Serbia në dekadën e fundit të shekullit të kaluar kundër popujve joserbë, ashtu edhe atë që po bashkëpunon Serbia me format dhe me institucionet e subversionit rus në Ballkan. Këto janë grupet e teorisë së “simetrisë së fajit në ish- Jugosllavi”, të cilat kanë insistuar që nga fillimi i konflikteve në ish-Jugosllavi e deri në ditët tona të ngritjes së Gjykatës Speciale në Kosovë, se agresori dhe viktima duhen trajtuar njëlloj.

Është naivitet diplomatik dhe shtetëror të besohet se blofet energjetike dhe diplomatike janë sinjal i një kthese të vërtetë të Serbisë për largimin nga Rusia dhe për bashkimin përfundimtar me Perëndimin. Dhe disa diplomatë europianë nuk duhet të nguten dhe të lidhin së koti periudhat historike, duke bërë paralelizma me kohën e ish-Jugosllavisë së Titos. Tito ishte kroat, kurse Vuçiçi dhe Nikoliçi janë serbë.

Gazeta Shqiptare, 09.06.2015