Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, jo humbje, jo dëme

Subvencionet e energjisë ‘gllabërojnë’ para. Ato gjithashtu vrasin njerëz dhe ‘transformojnë’ planetin.

Gabimet në politikëbërjen ekonomike janë të shumta, por ndër më të këqijat janë ato të subvencioneve të energjisë, shkruan The Economist. Ato ‘ushqejnë’ humbjet, tkurrin shpenzime të tjera, pasurojnë ndërmjetësit dhe ndihmojnë më shumë të pasurit se të varfrit, që përdorin pak energji.

Duke përfshirë kostot e ndotjes, faturat janë edhe më të larta. Një dokument i ri i FMN-së e përllogarit atë në 5.3 trilionë dollarë, ose 6% të PBB-së globale – më shumë se të gjitha shpenzimet qeveritare në kujdesin shëndetësor. Subvencionet më të mëdha jepen në vendet më të varfra (ku mund të arrijnë 18% të PBB-së), dhe pjesa më e madhe shkon për qymyr, karburantin më të keq, që asnjë vend nuk e takson siç duhet. Në të kundërt, subvencionet e energjisë së ripërtëritshme (kryesisht në botën e pasur dhe që nuk mbulohet në dokumentin e FMN) llogariten për një shifër të vogël prej 120 miliardë dollarësh dhe do të reduktoheshin në qoftë se lëndët djegëse të prodhuara nga fosilet do të tatoheshin plotësisht.

Subvencionuesi më i madh i lëndëve djegëse nga fosilet është Kina me 2.3 trilionë dollarë, pasuar nga Amerika (700 miliardë dollarë), Rusia (335 miliardë dollarë), India (277 miliardë dollarë) dhe Japonia (157 miliardë dollarë).

Shifra të mëdha gjenerojnë probleme të mëdha. Në këtë rast, ato gjithashtu përfshijnë hapësira më të mëdha për gabim. Përkufizimi i përbashkët dhe i rreptë i subvencioneve është ‘para-taksave’: ndërhyrje direkte për të mbajtur një çmim artificialisht të ulët.

Mbi këtë bazë, kostoja e subvencioneve të karburantit është e një magnitude më të ulët, në 333 miliardë dollarë. Për më tepër, ajo është më e ulët se 492 miliardë dollarë në vitin 2011. Çmimi në rënie i naftës ka ndihmuar disa prej shkelësve më të këqij të tillë si India që tanimë po i reduktojnë subvencionet.

Megjithatë, autorët e FMN-së përdorin një përkufizim më të gjerë të ‘post-taksave’, përfshirë përjashtimet tatimore (karburanti shpesh nuk taksohet) dhe kosto më të gjera sikundër është ndotja. Tre të katërtat e dëmit që shkakton ndotja, thonë ata, shkojnë në mjedisin lokal (duke dëmtuar shëndetin e njeriut); pjesa tjetër llogaritet si kosto e ngrohjes globale. Në të njëjtën mënyrë, përfitimet që do të rezultonin nga eliminimi i subvencioneve, përfshijnë përgjysmimin e numrit të të vdekurve shkaktuar nga ndotja e ajrit dhe reduktimi i emetimeve të CO {-2} me një të pestën. Një studim i mëparshëm i vitit 2013 përllogariti se kosto e përgjithshme e subvencioneve të karburantit, përfshirë dëmin e mjedisit, ishte 2 trilionë dollarë. Shifra e re pasqyron supozime më të errëta në lidhje me dëmtimin e shëndetit nga lëndët djegëse prej fosileve të subvencionuara, veçanërisht qymyri: duke rillogaritur efektin e shkurtimit të jetesës nga emetimet e dioksidit të squfurit për 45% me 3 trilionë dollarë ekstra. Përfshirë emetimet e injoruara më parë të dioksidit të azotit dhe pluhurit që llogariten për një tjetër shifër prej 24%; produkte të tjera, të tilla si kongjestioni, 23%.

Sikundër pranojnë autorët e FMN-së, kjo është një fushë në të cilën ka shumë paqartësi. Shkencëtarët nuk pajtohen mbi lidhjen mes emetimeve dhe motit të keq dhe mënyrën e ndarjes së ‘faturës’ për ndryshimet klimatike mes brezave të ardhshëm (me sa duket më të pasur) dhe popullsisë aktuale.

Por, edhe dizavantazhet më të matshme të subvencioneve të karburantit janë të tmerrshme.

Revista Monitor,  08.06.2015