Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria përgatitet për master-planin e gazit

Në Kuadrin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), Banka Evropiane e Investimeve ka autorizuar përgatitjen e një Master Plani Gazi për Shqipërinë dhe një Plan Projekt Identifikimi. Projekti i financuar nga Komisioni Evropian me një buxhet prej 1,100,000 Euro, do të përgatisë një master plan gjithëpërfshirës afatmesëm për gazin natyror që shqyrton gjithë aspektet (teknike, ligjore dhe rregullatore, ekonomike, të tregut, sociale etj.) që lidhen me futjen e gazit në disa rajone të Shqipërisë. Projekti përputhet me synimet strategjike të Shqipërisë në sektorin e energjisë. Në vijim të përgatitjes dhe marrëveshjes për Master Planin e gazit, do të përgatitet dhe do të miratohet një portofol përparësish për projekt investimin për gazin, me qëllim që t’i bëhet e mundur qeverisë së Shqipërisë të tërheqë burime financiare për të zbatuar këto projekte të rrjeteve të gazit.

Ky projekt po ndërmerret me kërkesën e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, me sponsorizim projekt në WBIF nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), që mund të veprojë si financiere e mundshme për projekte parësore dhe që do të përfshihet në përgatitjen e studimit. Përveç ministrive përkatëse, përfitues të tjerë të këtij projekti do të jenë Enti Rregullator i Energjisë dhe Albpetrol. Zhvillimi i njohurive vendore, aftësive dhe ekspertizës brenda këtyre institucioneve në Shqipëri lidhur me zhvillimin e sistemit të gazit është një aspekt kyç i asistencës teknike që do të sigurohet.

Studimi do të shqyrtojë burime potenciale gazi në Shqipëri dhe përfshin eksplorimin e brendshëm, gaz nga Tubacioni Jon-Adriatik (pas ndërtimit), furnizimet përmes TAP / TANAP, një magazinim potencial nëntokësor gazi, si dhe terminalin e Gazit Natyror të Lëngëzuar. Parashikimi i kërkesës për konsumimin e ardhshëm të gazit në vend do të shqyrtojë çdo sektor të madh të vendit, përfshirë shërbimet dhe industrinë, si dhe do të vlerësojë përfitimet nga stimujt për kalimin nga energjia elektrike te gazi, me gjasë vendosjen e çmimit të gazit (në tregjet me pakicë dhe me shumicë), si dhe iniciativat për eficiencën e përdorimit final të energjisë.

Do të kryhet gjithashtu një itinerar dhe plan i mirë urbanistik i sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit me synim rrjetin e gazit teknikisht me kosto më të ulët dhe në mënyrën më efikase të mundshme nga ana ekonomike, si dhe me ndikim sa më të paktë në mjedis.

11080258_835340223202449_4241525660730551277_o

Projekti është programuar të përfundojë në nëntor 2016, dhe me qëllim që të ndahet dhe të diskutohet me palët e interesuara kyçe plani për zhvillimin e studimit, më 2 qershor 2015, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë u mbajt një takim prezantues. Gjatë këtij takimi grupi i ekspertëve të WBIF / IPF paraqiti një përmbledhje të përqasjes së tyre për projektin.

Ky projekt lidhet me studimin e fizibilitetit përfunduar më parë nga WBIF për Tubacionin Jon-Adriatik (Kroaci – BH – Mali i Zi – Shqipëri), me Studimin e Fizibilitetit për një Terminal GNL në Krk të Kroacisë, me projektin në vazhdim të KE-së për Unazën e Gazit, si dhe me studimin e Master Planit të Gazit në Malin e Zi që nisi në nëntor 2014 dhe po kryhet nga asistenca teknike e Njësisë së Projektit për Infrastrukturën (IPF3) që zbatohet nga Konsorciumi COWI.

energjia.al 02.06.2015