Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

AP: Në Marinzë u helmuan 250 banorë

Hetimi administrativ i ndërmarrë nga Avokati i Popullit në lidhje me situatën e banorëve të Marinzës ka nxjerrë në pah mjaft problematika. Nga monitorimi, ka rezultuar se 250 banorë janë helmuar nga gazi i shpërthimit të puseve të naftës së kompanisë “Bankers Petrolium”. Sipas Avokatit të Popullit më shumë se 10 për qind e banorëve kanë shfaqur simptoma të helmimit, si pasojë e ndotjes. Ndërkohë, ai deklaron se nuk pati evakuime të banorëve nga institucionet shtetërore përkatëse dhe se u bë një largim i pjesshëm i banorëve nga vetë kompania. Avokati i Popullit, Totozani, u ka bërë thirrje katër ministrive asaj të Shëndetësisë, Mjedisit, Bujqësisë dhe Energjisë të marrin një sërë masash për të përmirësuar jetesën e banorëve. “Institucionet përgjegjëse të marrin masa për evakuimin e përkohshëm të banorëve nga zona me rrezikshmëri të lartë intoksikimi, deri në normalizimin e situatës. Të kryhen të gjitha matjet e specializuara në mënyrë periodike për të mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm nivelin e ndotjes në vendburimin e Marinzës, në shkallë rajonale e më gjerë. Të bëhet kontroll sistematik për ruajtjen në mënyrë permanente të nivelit higjieno-sanitar, kimik në të gjithë zonën e Marinzës, në përputhje me normat ndërkombëtare’, rekomandon Totozani. Gjithashtu, ai shton se duhet të ofrohet kujdes shëndetësor i specializuar falas për të gjithë banorët e Marinzës. Avokati i Popullit, në rekomandimet e tij, thekson se nuk duhet të konsumohen produktet bujqësore nga kjo zonë dhe u ka bërë thirrje institucioneve të dëmshpërblejnë banorët e Marinzës. “Të merren masa për moslejimin e konsumimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale të prodhuara në zonën e ekspozuar nga ndotja me elementë toksikë. Të merren masat e nevojshme për dëmshpërblimin material dhe jomaterial në ndihmë të banorëve të Marinzës të dëmtuar që lidhen me pronën, shëndetin dhe jetën. Institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë transparente të gjithë vendimmarrjen e tyre lidhur me skemën e dëmshpërblimit, banorët që përfitojnë dhe masën e dëmshpërblimit”, thuhet në rekomandimet e Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Ai ka kërkuar edhe rehabilitim të tokave bujqësore, pasi shpërthimi i ndodhur ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në tokat bujqësore. Ndërsa ka kërkuar edhe ngritjen e një komisioni ekspertësh shqiptarë, prej Këshillit të Ministrave për studimin e shpërnguljes së banorëve të Marinzës në rast se jeta dhe shëndeti i tyre rrezikohet edhe në të ardhmen. Pas shpërthimit të puseve të naftës në Marinëz, banorët u përballën me një sërë problemesh. Së pari, ata kishin frikë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, pasi i trembeshin një tjetër shpërthimi të mundshëm. Gjithashtu, uji dhe produktet bujqësore nuk konsumoheshin për shkak të ndotjes së shkaktuar nga shpërthimi i puseve të kompanisë “Bankers”. Mëngjesin e datës 1 prill, qindra banorë të fshatit Marinëz janë zgjuar nga tronditje të fuqishme të tokës të shoqëruara me shpërthimet e ujërave të puseve të tyre nëpër oborre, çarje të tokës dhe me çlirimin e gazit metan që krijuan një situatë të pazakontë dhe të frikshme për ta. Dhjetëra familje kanë braktisur menjëherë banesat e tyre dhe kanë kërkuar ndihmë, ndërkohë që situata vazhdonte të përkeqësohej. Shpërthimi i fontanës së pusit P29 ka ardhur si pasojë e mungesës së monitorimit të vazhdueshëm të punimeve që po kryheshin. Ndërkohë, nxitimi për përfundimin sa më shpejt të punimeve mund të ketë çuar në rritjen e presionit të gazit në brendësi të pusit.

Produktet

Avokati i Popullit, në rekomandimet e tij, thekson se nuk duhet të konsumohen produktet bujqësore nga kjo zonë dhe u ka bërë thirrje institucioneve të dëmshpërblejnë banorët e Marinzës

Masat

“Institucionet përgjegjëse të marrin masa për evakuimin e përkohshëm të banorëve nga zona me rrezikshmëri të lartë intoksikimi, deri në normalizimin e situatës”

Gjithashtu, ai shton se duhet të ofrohet kujdes shëndetësor i specializuar falas për të gjithë banorët e Marinzës.

Gazeta Shqip, 18.05.2015