Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri pret investitorët turq

Në kuadër të vizitës së Presidentit turk në Tiranë Rexhep Taip Erdogan, një grup investitorësh u pritën në takim prej Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri falenderoi investitorët për interesin e shprehur për tu njohur me mundësitë e investimit në fushën e energjisë, industrisë hidrokarbure dhe asaj minerare.

“Kam kënaqësinë ta ndaj me ju faktin se disa kompani turke janë tashmë prezentë në investimet e fushës së energjisë në Shqipëri dhe interesi i tyre po shtohet. Kjo edhe për vet faktin se Turqia është një vend që ka një zhvillim jashtëzakonisht të madh në fushën e energjisë, sidomos në investimet në hidrocentrale. Ka shoqëri tashmë shumë të konsoliduara, me projekte goxha të mëdha, që eksperienca dhe kapitali i tyre mund të jetë shumë i vlefshëm edhe për rastin e Shqipërisë, për zhvillimet që ne duam të ndërmarrim në fushën e hidroenergjisë”, u shpreh Ministri.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese dhe se burimet ujore në Shqipëri e krijojnë këtë mundësi shfrytëzimi.

Ministri sqaroi se nga pikëpamja financiare, tregu energjetik po konsolidohet. “Kemi një disiplinë më të mirë financiare, pagesë të energjisë më të madhe se në vitet e kaluara dhe ulje të humbjeve dhe vjedhjeve në rrjet. Kjo e bën tregun e energjisë elektrike me premisa më të qëndrueshme”, nënvizoi ministri.

dritan spahiuPolitikat e ndjekura nga qeveria, reforma dhe lufta ndaj abuzimit me energjinë, në këndvështrimin e ministrit kanë rritur interesit e sipërmarrësve të huaj për këtë sektor.

“Po bëjmë investime shumë të domosdoshme në sektorin e shpërndarjes së energjisë, ku përveç një programi të Bankës Botërore, kemi edhe investimet e vet kompanisë . Po bëjmë investime të mëdha në interkonektivitetin e Shqipërisë me vendet fqinje, përsa i përket transmetimit të energjisë elektrike, pra shkëmbim i energjisë elektrike. Të gjitha këto investime kaq të nevojshme në infrastrukturë janë një premisë shumë e mirë dhe një domosdoshmëri për qëndrueshmërinë e investimeve të huaja në prodhimin e energjisë elektrike”, u shpreh Z. Gjiknuri.

Shqipëria, vijoi ai, deri në vitin 2020 do të ketë mbi 420 milion dollarë investime publike në infrastrukturën energjetike, përfshirë edhe shpërndarjen. “Besoj, me ritmin që kemi, mbi 500 milion dollarë të tjera të investuara do të jenë në sektorin privat të prodhimit të energjisë elektrike. Një pjesë e projekteve janë duke u zhvilluar, por priten edhe projekte të tjera të maturohen në vitet që vijnë”, nënvizoi ministri.

Investitorët më pas u njohën me ndryshimet e fundit në ligjin e sektorit të energjisë elektrike dhe thjeshtimin e procedurave për investitorët.

Projekti i gazsjellësit TAP dhe ndikimi që ai ka për Shqipërinë ishte një tjetër temë e diskutuar në këtë takim me investitorët. Z.Gjiknuri theksoi se projekti TAP dhe njëkohësisht puna që po bëhet për masterplanin e gazit dhe studimin e fizibilitetit krijojnë mundësi të reja për infrastrukturën e gazit në Shqipëri dhe hapen mundësi të reja investimi.

“Turqia dhe kompanitë turke kanë një eksperiencë edhe në këtë drejtim. Turqia është nga ato vende që gazifikimin e ka filluar në dekadat e fundit, do të thotë që ka një eksperiencë relativisht të re me gazifikimin. Pra, edhe kjo është një mundësi për kompanitë turke dhe ky është një rast i mirë për të krijuar lidhjet e nevojshme me ministrinë për të marrë informacion në lidhje me zhvillimet e mundshme në këtë drejtim”, u shpreh ministri.

Drejtuesit e drejtorive teknike në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë prezantuan konkretisht projektet dhe fushat me interes për investitorët turq ndërsa më pas ju përgjigjën pyetjeve të delegacionit rreth energjinë, fushës së hidrokarbureve dhe mineraleve.

energjia.al 13.03.2015