Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mashtroi me mbledhjen e borxhit të CEZ, arrestohet

Një nga biznesmenët më të favorizuar në punë publike gjatë qeverisë “Berisha” është arrestuar me akuzën e mashtrimit. Kastriot Ismailaj akuzohet se ka krijuar disa shoqëri fantazmë, të regjistruara në vende të huaja, të njohura si “parajsa fiskale”, të cilat fituan “tenderin” për të mbledhur borxhet e kompanisë CEZ Albania në vitet 2011 dhe 2012. Burime zyrtare nga akuza qendrore pohojnë se kompanitë e Ismailajt nuk kanë kryer asnjë punë në terren, por kanë vjedhur haptazi CEZ-in dhe shtetin shqiptar. Krahas dyshimeve për pastrim parash apo edhe për transferimin e miliona eurove jashtë vendit, akuza thotë se hetimet zbuluan mashtrimin me pasoja të rënda, të cilat shkojnë deri në 5 milionë euro.

Kërkesa për arrest

Burimet zyrtare pohojnë se me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Ismailajn, administrator i disa kompanive, një prej të cilave ka pasur si aktivitet kryesor mbledhjen e borxheve të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ. Biznesmeni dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të parave në vlerë mbi 5 milionë euro. “Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, ka rezultuar se Ismailaj është ortak apo administrator i disa shoqërive tregtare të regjistruara në Shqipëri, të cilat përgjithësisht nuk kanë aktivitet tregtar, por në llogaritë e këtyre shoqërive janë kryer transaksione financiare, të cilat shkojnë në disa milionë euro”, thotë akuza. Sipas saj, pak ditë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga Gjykata e Krimeve të Rënda konfiskimin e disa llogarive bankare në emër të këtij shtetasi, në shumën e rreth 3.4 milionë dollarëve.

Skema e mashtrimit

Sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, nisur nga materiali referues prej institucioneve ligjzbatuese, rezulton se ky Ismailaj, nëpërmjet manovrave financiare, ka krijuar një skemë mashtrimi të madhe, me qëllim përfitimin e padrejtë të pasurive në vlera të konsiderueshme. Mësohet se Ismailaj ka krijuar disa kompani fiktive, pa aktivitet, por që në llogaritë bankare të tyre kanë qarkulluar para në vlera disa milionë euro. Kompanitë e tij janë: “Adriatic Development Corporation Ltd”, AIC, ASSET, DEBT INTERNATIONAL ADVISORY, VL MARKETING DISTRIBUTION dhe “Kastriot ISMAILAJ”. Sipas akuzës, ai ka krijuar dhe është përfshire si në ortakëri në Gjibraltar me kompaninë ofshore “Hassans Client 2ACC”, shoqëri e regjistruar për asistencë ligjore ndërkombëtare. Përveç kësaj, si dërgues parash rezultojnë edhe shoqëritë “United Recourses Ag” dhe “Dominicus Ag” me qendër në Zvicër. Akuza thotë se një nga shoqëritë e krijuara është edhe “DEBT Internacional Advisory”. Kjo shoqëri është themeluar me datën 5 korrik 2010, me një kapital prej 50 mijë USD, me seli në adresën “Trident Chambers, Virgin Islands”. Drejtore e vetme e kësaj shoqërie është caktuar shtetasja J. M. Me vendimin e datës 02.08.2010 të drejtorit të vetëm është miratuar krijimi i degës së kësaj shoqërie në Tiranë, Shqipëri, duke emëruar si përfaqësues ligjor Kastriot Ismailajn. Po kështu, është autorizuar përfaqësuesi i shoqërisë për të realizuar procedurat e regjistrimit të kësaj dege në regjistrin tregtar të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Shoqëria “Debt International Advisory – Dega Shqipëri”, është regjistruar në regjistrin tregtar me datën 04.08.2010, me objekt të veprimtarisë “Investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fusha të ndryshme, në burimet natyrore, energjetike, infrastrukturën energjetike, transport ndërkombëtar në rrugë ajrore, rrugore, detare, hekurudhore, shitblerje aksionesh, tregtimi, import-eksport i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve”. Ky subjekt, thotë prokuroria, ka pasur si përfaqësues ligjor deri në muajin dhjetor të 2014-s, Kastriot Ismailajn. Me datën 1 tetor 2010, subjektet “Debt International Advisory” dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes sha, kanë lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit. Objekti i marrëveshjes ka qenë, ndër të tjera, detyrimi i të porositurit të mbledhë prej debitorëve të porositësit, me mbështetjen dhe shpërblimin e porositësit të gjitha borxhet dhe kamatat që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh, duke përdorur mjete juridike të përshtatshme. Kjo marrëveshje është firmosur nga shtetasi Kastriot Ismailaj dhe shtetasi J. H., me detyrë kryetar i bordit drejtues dhe shtetasi J. I., me detyrë anëtar i bordit drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes sha. Marrëveshja e parë nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqërisë “CEZ Shpërndarja” dhe për këtë arsye, më datë 1 shkurt 2011, midis këtyre palëve është nënshkruar një marrëveshje e dytë me të njëjtin objekt dhe për një afat dyvjeçar. Kjo marrëveshje është zgjidhur në muajin tetor të vitit 2011.

Vjedhja e parave

Akuza thotë se nga tërësia e të dhënave të administruara gjatë hetimit të këtij procedimi penal arrihet në konkluzionin se qëllimi i vetëm i Kastriot Ismailajt, nuk ka qenë mbledhja e borxhit të shoqërisë dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të shoqërisë “CEZ Shpërndarja”. “Shtetasi nën hetim, Kastriot Ismailaj, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive, ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën 512 004 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë “CEZ Shpërndarja” si rrjedhojë edhe për shtetin shqiptar, i cili ka zotëruar 26% të aksioneve të kësaj shoqërie. Paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit (vjedhjes) Ismailaj nuk i ka përdorur me qëllim realizimin e kontratës, por i ka riinvestuar (i ka futur në depozitë) i ka transferuar jashtë vendit, i ka përdorur për qëllime personale. Në këtë mënyrë, ky shtetas ka kryer veprën penale të ‘mashtrimit me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim’, si dhe veprën penale të ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Provat e prokurorisë

  • Kontrata: Paraqitja e të dhënave të rreme nga shtetasi Kastriot Ismailaj përpara nënshkrimit të kontratës së datës 01.10.2010, në lidhje me strukturën dhe eksperiencën e shoqërisë DIA;
  • Dokumentet: Paraqitja e dokumenteve fiktive për punë, të cilat nuk janë kryer realisht (raporti i identifikimit të debitorëve apo i ashtuquajturi DIR) dhe përfitimi në mënyrë të paligjshme i shumës 1.5 milionë euro, pikërisht për punën e pakryer;
  • Marrëveshja: Paraqitja e të dhënave të tjera fiktive dhe të pavërteta përpara lidhjes së marrëveshjes së datës 01.02.2011, të cilat i janë përcjellë Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë në Pragë, i cili ka miratuar marrëveshjen e dytë;
  • Kontrata 2: Paraqitja e të dhënave fiktive për punën e kryer pas lidhjes së marrëveshjes, kontratës së dytë;
  • Investimi: Moskryerja e asnjë investimi dhe mosblerja e asnjë mjeti apo pajisjeje me qëllim kryerjen e shërbimit që ishte marrë përsipër të kryhej sipas kontratës së datës 01.02.2011.

Policia

“Ismailaj ka pastruar më shumë se 10 milionë USD në ‘parajsat fiskale’”

Policia e Shtetit thotë se Kastriot Ismailaj ka pastruar më shumë se 10 milionë USD në vendet që njihen si “parajsa fiskale”. Në një njoftim për shtyp, policia tha se 52-vjeçari është arrestuar pas vendosjes së masës së sigurisë arrest me burg nga Gjykata e Tiranës, i akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe pastrim të produkteve penale. Më pas, duke dhënë detaje nga çështja, policia thotë se Ismailaj, nëpërmjet mashtrimit financiar, krijimit të shoqërive fiktive dhe ofshore në Shqipëri dhe në vende me parajsa bankare e fiskale si, Gjibraltar, ishujt British Virgin, Zvicër, Kongo, Lihtenshtein, Luksemburg etj., ka pastruar më se dhjetë milionë dollarë. “Nga hetimet proaktive të mëparshme është bërë sekuestrimi i afro 4 milionë dollarë në llogaritë e tij bankare, si dhe tre automjete veturë. Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me prokurorinë”, thotë policia.

Gazeta Shqip, 13.05.2015