Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Drafti, burg për abuzuesit e karburanteve

Administratorët dhe biznesmenët e subjekteve që abuzojnë me cilësinë e naftës që u shesin qytetarëve, do të rrezikojnë burgun. Kjo është një ndër masat ashpërsuese që po diskutohet nga qeveria shqiptare në kuadër të aksionit të nisur në të gjithë vendin kundër abuzuesve me cilësinë e naftës, që në ditët e para nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Burimet pranë kabinetit qeveritar bëjnë me dije se Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, janë duke përgatitur disa ndryshime në “Ligjin për tregtimin e hidrokarbureve”. Sipas të dhënave, një nga ndryshimet pritet të jetë edhe konsiderimi si vepër penale i të gjitha abuzimeve që kryhen me cilësinë e naftës. Bëhet fjalë për çdo ndërhyrje që bëhet në nënproduktet e naftës, duke shtuar lëndë të tjera apo hollues që prishin standardin fillestar të tyre.

Deri tani, për këtë shkelje parashikohej masë administrative me gjobë, që varionin nga 1.5 milionë deri në 2 milionë lekë. Nëse shkelja përsëritej, gjoba rritej me 50% e deri në mbyllje të subjektit. Ndryshimi do të kërkojë ndërhyrje edhe në Kodin Penal. Burimet pranë qeverisë shpjegojnë se dënimi nuk është përcaktuar ende, pasi drafti është në proces diskutimi. Masat shtrënguese dhe penalitetet u paralajmëruan nga vetë Kryeministri Rama që në shpalljen e aksionit kundër abuzuesve të naftës. Ai tha se ndëshkimet do të ishin të ngjashme me ato të abuzuesve të energjisë elektrike dhe se aksioni do shtrihej që nga rafineritë e naftës, pikat me pakicë, e deri në pikat kufitare. Në këtë operacion janë përfshirë katër ministri: Ministria e Ekonomisë, e Financave e Energjisë dhe ajo e Brendshme.

Nga kontrollet e ushtruara gjatë këtyre ditëve janë zbuluar raste të ndryshme abuzimi dhe janë proceduar penalisht pronarët e subjekteve, kryesisht për shmangie të taksave. Në ditët e para të operacionit, duket se ndërmarrja e katër ministrive nuk ka pasur rezultatet e pritura. Aktualisht, rezultate ka pasur vetëm në disa qytete, ndërsa shumica nuk janë përmendur fare në komunikimet e policisë me median. Madje, edhe në pesë qytetet e përmendura rezulton se Fieri ka rezultate të përditshme dhe masa të forta ndaj abuzuesve, pasi qytetet e tjera kanë shënuar shifra më të vogla, thuajse inekzistente. Por, sikur të mos mjaftonte mungesa e shifrave, nga burime pranë policisë mësohet se ka pasur edhe një mungesë bashkëpunimi mes katër institucioneve të përfshira në këtë operacion, i cili u paralajmërua nga vetë Kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë ka bërë një bilanc të aksionit disaditor për kontrollin e karburanteve në terren. Sipas saj, gjatë këtij operacioni, janë kontrolluar 43 pika tregtimi të karburanteve me pakicë, në qytetet e Durrësit, Tiranës, Fierit, Lezhës dhe Beratit. Sipas njoftimit, janë proceduar penalisht 21 subjekte për fshehje të ardhurash, ndërkohë që pesë subjekte janë proceduar edhe për ruajtje, magazinim dhe tregtim të mallrave kontrabandë. Si pasojë e kësaj, janë arrestuar në flagrancë pesë pronarë apo administratorë pikash të tregtimit të karburanteve dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Gjashtë pika tregtimi hidrokarburesh janë bllokuar. Ndërkohë, nga Inspektorati Qendror Teknik janë konstatuar shtatë subjekte që tregtonin karburant me cilësi të manipuluar.

Gazeta Shqip, 11.05.2015