Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Abuzime dhe dështim, largohet nga detyra drejtoresha e Albpetrol, Eriola Muka

Eriola Muka, Drejtoresha e kompanisë shtetërore të naftës, “Albpetrol”, mësohet se do të largohet nga detyra paraditen e së Premtes, vetëm 6 muaj pasi mori detyrën.

Mandati i saj në krye të “Albpetrol”, megjithëse i shkurtër, u karakterizua nga një seri e gjatë dyshimesh për abuzime me detyrën dhe emërime me bazë nepotike.

Boldnews.al” ka raportuar më parë se gjatë ditëve të kaluara, Muka është thirrur dy herë në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë shpjegime mbi dy kallëzime të ndryshme në adresë të saj, për “shpërdorim detyre”.

Gjithashtu, Muka konsiderohet si personi përgjegjës për procedurat e dyshimta të një ankandi, më të madhin në llojin e tij, për shitjen e rreth 118 mijë ton naftë, pikërisht në momentin kur çmimi i “arit të zi” është në minimumin e tij historik, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.

Hetimet penale

Drejtoresha e deritanishme e “Albpetrol”, Eriola Muka, është nën hetim penal në Prokurorinë e kryeqytetit, në dy çështje të veçanta.

Në njërin prej kallëzimeve, siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”, drejtoresha Muka është akuzuar nga dy punonjës për ndërhyrje të paligjshme në rrjetet kompjuterike.

Gjithashtu, në një tjetër kallëzim penal, Muka akuzohet nga një person tjetër, për “shpërdorim detyre” gjatë drejtimit të “Albpetrol”. Redaksia ka në dispozicion të dhëna të shumta për kallëzimet, por nuk i publikon detajet, për të ruajtur sekretin hetimor.

Ankandi i dyshimtë

Në periudhën Shkurt-Prill 2020, “Albpetrol”, e drejtuar nga Eriola Muka, ka zhvilluar dy herë tenderin për shitjen e 118 mijë ton naftë të prodhuar nga kompania shtetërore.

Ankandi i parë, zhvilluar në Shkurt 2020, dështoi pasi, sipas informacionit zyrtar, nuk pati ofertues.

Në Prill 2020, pikërisht në kulmin e pandemisë Covid-19, e cila u shoqërua me ulje drastike të çmimit të naftës në të gjithë tregjet botërore, Eriola Muka shpall tenderin e ri.

Në ankandin e ri, çmimi u ul ndjeshëm, duke krijuar dyshime për një skemë favorizuese për blerësin potencial të sasisë gjigande të naftës. “Boldnews.al” ngriti më herët dyshimet se ankandi ishte i paracaktuar.

Edhe ky ankand i dytë u anulua, ndërkohë që nuk janë bërë ende publike shkaqet. Në mungesë të një informacioni zyrtar, mund të aludohet se një ndër shkaqet e anulimit, mund të jenë edhe dyshimet e ngritura publikisht për procedura me fitues të paracaktuar.

Emërimet nepotike

Eriola Muka ka shënuar një dështim spektakolar edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore, gjatë periudhës 6-mujore që është në krye të “Albpetrol”.

Java e parë e saj e punës në kompaninë shtetërore të naftës u karakterizua nga shkarkimi masiv i një grupi punonjësish.

Më tej, Muka është akuzuar për emërime nepotike, si edhe shkarkime në masë, në kundërshtim me përcaktimet ligjore.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike për Fierin, Luan Baçi, pak kohë më parë ka publikuar një listë emërore të punësuar në ‘Albpetrol”, të cilët janë lidhje nepotike të drejtoreshës Muka.

Kompania “Albpetrol” ka pasur gjithnjë problematika, sa i përket menaxhimit të institucionit dhe administrimit të produktit të saj, naftës.

Por, Eriola Muka shënon një rast rekord negativ, pasi asaj i mjaftuan vetëm 6 muaj që të përfshihet në një seri veprimesh të dyshuara si abuzive.

Bold News,  24.04.2020