Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë fshihet pas? Albpetrol shet sasinë gjigande të naftës, me çmim në minimumin historik

Qeveria Shqiptare pritet të zhvillojë këtë të Mërkurë tenderin për shitjen e rreth 118 mijë ton naftë të “Albpetrol”, në një procedurë që duket se është e paracaktuar.

Kompania shtetërore e naftës ka vendosur të zhvillojë ankandin në një moment tërësisht të papërtshtatshëm, kur çmimi i “arit të zi” është në minimumet e tij historikë, për shkak të pandemisë botërore COVID-19.

Por, pikërisht, tek “momenti i papërshtatshëm” duket se fshihet një lojë, në të cilën luhen shifra në euro me shumë zero.

Fituesi i ankandit, për emrin e të cilin “Boldnews.al” ka marrë sinjalizime paraprake, pritet të blejë 117 mijë ton naftë bruto me një çmim minimal.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi pak ditë më parë se, në datë 8 Prill 2020, do të zhvillohet ankandi për sasinë prej 117. 639 ton naftë, sasi e krijuar stok nga kompania “Albpetrol”.

Ankandi nuk ka përcaktuar një vlerë fillestare për nisjen e tij, por ka dhënë referenca me përqindje mbi çmimin e Brent+k. Në bazë të përllogaritjeve të përafërta, çmimi fillestar është rreth 1.5 miliardë lekë të vjetra, një vlerë shumë e ulët krahasuar me sasinë e madhe të naftës të parashikuar për t’u shitur në ankand.

Pra, qartësisht, pritshmëritë e kompanisë “Albpetrol” mbi vlerat monetare që pritet të përfitojë, janë shumë të ulta.

Burime nga kompania shtetërore e naftës, të cituar në media, kanë deklaruar se “pavarësisht çmimeve të ulta të kësaj periudhe, puna vazhdon dhe nafta do të tregtohet”.

Pikëpyetjet mbi ankandin

Koha e ankandit, çmimi i ulët, si edhe sasia e madhe e stokut të naftës të krijuar në kompaninë “Albpetrol”, krijojnë dyshime të forta se, përtej procedurave formale, mund të fshihet një lojë e madhe parash.

Kompania fituese e ankandit pritet të blejë sasinë gjigande të naftës për një çmim, në çdo rast, disa herë më të ulët se sa vlera mesatare e naftës. Kjo, për shkak se “Albpetrol” ka vendosur të zhvillojë ankandin më të madh të tij, në momentin më të keq të mundshëm, për shkak të pandemisë botërore COVID-19.

Është rastësi? Të dhëna të ndryshme, të mbërritura në “Boldnews.al” dëshmojnë për të kundërtën. Procedurat e “Albpetrol” duket se kanë paracaktuar fituesin dhe ai do të sigurojë rreth 118 mijë ton naftë për një çmim, me të cilin, në kohë normale, mund të blinte shumë më pak.

Një pikëpyetje tjetër, shumë e rëndësishmë, është edhe sasia e stokut të krijuar nga kompania “Albpetrol” sh.a.

Të dhënat zyrtare tregojnë se sasia e naftës e hedhur në ankandin e datës 8 Prill 2020 është më e madhja, krahasuar me procedurat e mëparshme të ngjashme.

Ky stok gjigand krijon dyshime, më së paku, për keq-menaxhim të situatës në “Albpetrol”, si edhe mos-eficensës në kontratat e nënshkruara nga kompania shtetërore e naftës.

Në fund të vitit 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi një dëm ekonomik rreth 2 milionë dollarë në kompaninë “Albpetrol”, i ardhur kryesisht nga performanca e ulët në realizimin e kontratave të shitjes së naftës.

Mesa duket, pavarësisht konstatimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Albpetrol” sha, nën drejtimin e Erjola Muka, ka vijuar me dështimin në realizimin eficent të kontratave të shitjes.

Kjo dallohet lehtësisht nga stoku i madh i naftës, i krijuar në depozitat e kompanisë, të cilat tashmë janë nxjerrë në ankand për një vlerë tejet të ulët.

Ankandi i “Albpetrol” sha, për shitjen e rreth 118 mijë tonë naftë, dështoi rreth dy muaj më parë, për shkak se nuk kishte blerës.

Tashmë, “Albpetrol” ka rihapur tenderin, por me kushte të ndryshuara, për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Çmimi fillestar i ankandit është ulur ndjeshëm, për shkak të uljes së koeficientëve në tregun ndërkombëtar të naftës.

Në këtë mënyrë, kompania “e paracaktuar” do e ketë shumë më të lehtë për të siguruar sasinë gjigande të naftës bruto, për një çmim “qesharak”.

BoldNews,  07.04.2020