Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miniera e Kukësit, nga rrëmbimi në Rilindje

Industria e kromit në Kukës, pothuaj e shuar prej shumë vitesh, po rigjallërohet. Fabrika e pasurimit të kromit në Kalimash, me investimet e kryera nga investitorë seriozë në këtë fushë, po rrit kapacitet për

përpunimin e kromit në vend. Në këtë fabrikë ishte Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Ministri i Industrisë dhe Energjetikës Damian Gjiknuri.

Miniera e kromit në Kalimash, sipas studimeve, ka rezerva industriale prej 1.23 milionë tonë krom. Si rezultat i investimeve të kryer, fabrika e pasurimit të kromit do të përpunojë rreth 150 mijë tonë krom në vit.

Ministri Gjiknuri tha se investimet në sektorin minerar po rriten edhe si rrjedhim i lehtësirave të krijuara nga qeveria në legjislacionin e kësaj fushe, duke rigjallëruar një industri prej shumë vitesh të shuar.

Vlera e investimeve të realizuara aty, sipas drejtuesve të fabrikës, është 6.2 milionë dollarë dhe se gjatë operimit të fabrikës dhe të minierës, numri i të punësuarve do të shkojë do të shkojë në 500. “Deri tani janë investuar 6.2 milion dollarë. Ka një punësim prej 300 persona. Me përgatitjen e fabrikës së pasurimit do të arrijë në 350. Me tej do të shkohet me fabrikën e ferrokromit e cila do të kërkojmë 150 punonjës të tjerë. Vetëm gjatë muajit maj priten rreth 2 milion dollarë makineri-pajise që do të vijnë për të kompletuar fabrikën e pasurimit.”

Deri në mesin e vitin 2014, miniera e kromit në Kalimash është shfrytëzuar nga individë në mënyrë të jashtëligjshme. Nisur nga ky fakt, Kryeministri u shpreh se Kukësi dhe Shqipëria ka humbur shumë si pasojë e këtij fenomeni, duke shprehur bindjen se tashmë gjithçka është në rrugën e rimëkëmbjes. Kryeministri premtoi mbështetje maksimale ndaj kompanive investuese.

“Shqipëria ka humbur shumë dhe Kukësi ka humbur shumë. Sot realisht jemi ne kushtet kur kjo industri po rilind me te vërtetë dhe ne do t’i japim mbështetje maksimale kompanive, do t’i japim mbështetje maksimale edhe për faktin se faktikisht, ashtu siç e shprehen dhe vete minatorët, trajtimi është dinjitoz, paga është dinjitoze. 700 dollarë pagë është sot vërtetë dinjitoze.”

Kryeministri nënvizoi si domosdoshmëri përgatitjen e të rinjve në këtë fushë nëpërmjet arsimit profesional.

”Së bashku me kompaninë të bashkërendojmë forcat dhe financimin me bashkinë e re të Kukësit, me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të ndërtuar dhe një shkollë profesionale, që te kemi mundësi që të formësojmë të rinjtë. Shkollat profesionale siç e kemi bërë në Bulqizë, këtu apo kudo ku janë këto pika, do të ndihmojë që kompania me mbështetjen e shtetit të ketë mundësi të rekrutojë të rinj, t’i kualifikojë, t’i përzgjedhë dhe pastaj menjëherë t’i fusin në punë.”

energjia.al 05.05.2015