Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

RENEA arreston të shumëkërkuarin që vrau biznesmenin e kromit

Forcat RENEA kanë arrestuar në Bulqizë të shumëkërkuarin Fadil Tërnova. Policia thotë se 32- vjeçari është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ishte i shpallur në kërkim për disa vepra penale. Tërnova u arrestua në kuadër të operacionit “Fundi i arratisë” dhe në momentin e ndërhyrjes u gjend i fshehur në ambientet e një bodrumi. Ternova është arrestuar edhe më parë nga forcat RENEA.

“Në fshatin Vajkal të Bulqizës, pas rrethimit të banesës dhe ndërhyrjes profesionale u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit të kërkuar Fadil Tërnova, 32 vjeç, i cili në momentin e ndërhyrjes u gjend i fshehur në ambientet e bodrumit të hapur enkas në një prej dhomave, që ishte i mbuluar me pllakat e dyshemesë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit, forcat speciale RENEA gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë tip “Glock” që e mbante pa leje dhe fishekë luftarak.

Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim që prej vitit 2018, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosje për të mos kallëzuar krimin” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Për këto vepra penale, Gjykata e Shkalles së Parë Dibër i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”.

 

Shtetasi Fadil Tërnova është person me rrezikshmëri të theksuar kriminale, i dënuar për vrasjen e biznesmenit të koromit Shefqet Shehu, në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës, i arrestuar e dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, si dhe i proceduar disa herë për vepra të ndryshme penale kundër personit si “Përndjekja”, “Kanosja”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik’’ dhe “Shkatërrim i pronës’’.

Gjithashtu ky shtetas dyshohet se është organizator dhe autor kryesor për disa raste të ndodhura më parë për “Shtrëngim për dhënie pasurie”. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

Shqiptarja.com 03.07.2020