Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kush e prish cilësinë e hidrokarbureve

Shoqata e Hidrokarbureve ka bërë përgjegjëse një pakicë kompanish abuzuese për prishjen e cilësisë së karburanteve që hidhen në tregun shqiptar. Përmes një reagimi zyrtar, Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure (SHSHH) drejtoi gishtin nga disa shoqëri të dala nga hiçi me lidhje të dyshimta me segmente të shtetit jo vetëm për prishjen e cilësisë, por edhe për skema evazioni fiskal.“Ekziston një pakicë spekulante që shfaqet nga “hiçi” shpesh dhe në lidhje dyshuese me segmente të shtetit, që duke ndërtuar skema borxhi ndaj ndërmarrjeve shtetërore, Doganave, Tatimeve, apo Bankave, befas mbyllin një kompani duke u shmangur kështu nga të gjitha borxhet.

“Edhe pse ligji 8450 i ndryshuar me ligj 70 cakton qartë se tabela, marka që subjekti reklamon duhet të jetë e mbështetur me dokumentacion furnizimi nga kjo markë, ka në treg plot raste që marka e reklamuar nuk ka lidhje me karburantin që shet” theksonte Shoqata në një reagim zyrtar lidhur me aksionin e ndërmarrë këto ditë nga Qeveria për ndalimin e abuzimeve në tregun e karburanteve.

Produkti vendas

Në deklaratë Shoqata fajësonte gjithashtu produktet e prodhuara në vend për prishjen e cilësisë së karburanteve. “Njësitë e prodhimit në vend, që nga të voglat deri tek më të mëdhatë si dhe ARMO në radhë të parë, duhet të nisin nga karta teknologjike e pastaj nga lënda e parë që përdorin (nafta Bruto), pasi prej aty duhet të përcaktohet nëse prodhojnë dot naftë me standardet që kërkojmë” theksonte deklarata.

Dhe kur themi ’standard që konsumatorët të mos kenë më probleme’, sipas saj duhet që veç përmbajtjes squfuri nën 10 ppm, të garantojmë edhe: a) treguesit e standardit për Cetan, b) pikën e Flakërimit, c) niveli i Destilimit, d) përqindja e ujit në përmbajtjen e produktit.

“Sepse pa u garantuar këto tregues nuk ka cilësi karburanti. Nga importi treguesit e sipërpërmendur mbërrijnë 100% të garantuara.
Ne gjykojmë se po lejuam që prodhimi vendas të shkelë ndonjë nga këto parametra situata në këtë sektor nuk ka për t’u rregulluar” theksonte Shoqata.

Fiskalizimi
Sot në vend kemi vetëm një laborator pranë IQT dhe një pranë doganës, të dy të paakredituar dhe me teknologjinë që përdorin nuk i analizojnë dot të gjithë parametrat e cilësisë. “Sa i takon procesit të fiskalizimit, në treg ka një grup me kompani që janë 100% të fiskalizuara, madje kanë paguar 3 herë kostot e ngritjes së këtij procesi, aq herë sa u është kërkuar ne vite ndërrimi i tyre, por nga ana tjetër ekziston edhe një tjetër grup që asnjëherë nuk kanë tentuar të jenë nën këtë regjim operimi” theksonte Shoqata në deklaratë, ku edhe përshendeste aksionin e qeverisë për ndaljen e abizmeve me karburantet që u tregtohen shqiptarëve.

Shqiptarja.com 03.05.2015