Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ligji për energjinë, kur sekuestrohet pasuria

Kuvendi i Shqipërisë ka shtyrë në tërësi ligjin për energjinë, ndërsa e ka miratuar në parim me 67 vota pro, 19 vota kundër dhe 1 abstenim projektligji për energjinë elektrike.

Në ligjin e ri për energjinë elektrike të miratuar nga qeveria, rregullat e mbledhjes së detyrimeve me forcë të energjisë janë përforcuar edhe më shumë.

Me këtë ligj qeveria i jep të drejtë OSSHE-së të konvertojë borxhin me barrë hipotekore.

Çka do të thotë se sekuestroja mund të bjerë edhe mbi shtëpinë dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në rast se nuk shlyhen rregullisht faturat dhe kamatëvonesat.

Ligji i ri, i cili është formuluar pa bujë dhe pa konsultime publike, ka kaluar pa shumë publicitet miratimin nga qeveria, siç ndodh me të tjera ligje kësisoj dhe tashmë është gati për në Kuvend. Ligji i ka mbajtur thuajse të pandryshuara të drejtat e konsumatorëve, por ka ashpërsuar ndjeshëm masat ndaj debitorëve.

“Nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj furnizuesit të ngarkuar me shërbimin universal si detyrim i shërbimit publik, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç inicimit të procedurave të ndërprerjes së energjisë inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe inicimin e ekzekutimit të detyrueshëm, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile dhe ligjin nr.8662, datë 18.9.2000 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, për çdo vlerë të papaguar detyrimi”, thuhet në nenin 90 të projektligjit.

Gjithashtu ligji përcakton se, në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 150 000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2 000 000 lekë për klientin jofamiljar, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar.

Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm. Ligji i ri për energjinë ndahet në 10 pjesë, ku ndërhyrjet më të rëndësishme janë bërë në forcimin e penaliteteve për arkëtimin e energjisë dhe në liberalizimin e tregut të energjisë.

Ora news,  24.04.2015