Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Faturat e prapambetura të energjisë – Ka familje që nuk paguajnë dot as 1 mijë lekë në muaj

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen se shumë familje në nevojë janë në pamundësi të plotë të shlyejnë faturat e prapambetura të energjisë, shkak për të cilin i ka kërkuar Entit Rregullator të studiojë mënyrat për mbështetjen e tyre. Në raportin e depozituar në Kuvend, Avokati I Popullit thotë se në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, gjatë kësaj periudhe fokus të veçantë kanë marrë ankesat për cilësinë dhe ofrimin e shërbimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në vështirësi dhe pamundësi ekonomike; për pagesën e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike; për mungesën e shërbimeve të ofrimit të ujit të pijshëm, sigurisë ushqimore etj.

E drejta për të pasur disa shërbime jetësore si shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe furnizimi me energji elektrike është një nevojë thelbësore njerëzore, një e drejtë themelore, mungesa e së cilës përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.

Në mjaft raste rezultojnë detyrime financiare të akumuluara ndër vite, ku edhe pse palët kanë lidhur akt-marrëveshje për pagesën me këste të detyrimeve të prapambetura të konsumit të energjisë elektrike, përsëri subjektet familjare janë ndodhur në kushtet e pamundësisë financiare, qoftë edhe pagesës së një shume minimale prej 1000 lekësh për shlyerjen e detyrimeve të tyre.

“Në këto rrethana, i kemi sugjeruar Entit Rregullator të Energjisë gjetjen e mundësive sa më të përshtatshme për konsumatorët vulnerabël, me qëllim përfshirjen e politikave të mbrojtjes sezonale, ku të mund të mbahen si referencë kushtet atmosferike, temperaturat ekstreme të ftohta në dimër dhe shumë të nxehta në verë.Në të gjitha këto raste kemi rekomanduar të ndalohet ndërprerja e energjisë elektrike për konsumatorët, kryesisht në orarin 08:00 – 23:00 të ditës”, në raportin e Dërguar në Kuvend.

Scan,  28.06.2020