Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers: Pa rentën dhe taksat, do dilnim me fitim

Kompania deklaron se ka ende ka ende për të rikuperuar edhe 125 milionë USD. Flet për Monitor, Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Leonidha Çobo….

Shpërthimet e puseve të naftës në Marinës sollën sërish në vëmendje debatin se sa i fituar ka dalë shteti dhe qytetari nga shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore përmes marrëveshjeve koncesionare. Ndonëse ka nënshkruar marrëveshjen në 2004, kompania vijon të rezultojë me humbje fiskale (sipas marrëveshjes me qeverinë shqiptare nuk paguhet tatim fitimi deri sat ë rikuperohet gjithë investimi), ndonëse në bilancin e raportuar në bursë fitimi për 2014-n ishte mbi 100 milionë dollarë.

Në një intervistë për Monitor, Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Leonidha Çobo, ka pohuar se nëse nuk do të kishin ndodhur ndryshime fiskale (renta prej 10% në vitin 2008, si dhe taksa e akcizës, karbonit dhe qarkullimit, tatimi mbi të ardhurat personale për personelin e huaj në 2014), kompania do të kishte rezultuar me fitim fiskal 120 milionë USD në 2014.

Kompania nuk jep një afat se kur planifikon të dalë më fitim, ndërsa pohon se ka ende për të rikuperuar edhe 125 milionë USD.

INTERVISTA/ Flet Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Leonidha Çobo

Në bilancin e raportuar në bursa, Bankers Petroleum rezulton për vitin 2014 me një fitim prej 128 milionë dollarësh. Por në bilancin e dorëzuar tek autoritetet shqiptare për 2014-n sa është fitimi/humbja. Si i shpjegoni diferencat në dy bilancet?

Pasqyrat financiare të konsoliduara të shoqërisë mëmë, Bankers Petroleum Ltd (BPL) të raportuara në bursë dhe të cilat janë publike për këdo që është i interesuar janë të përgatitura në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF). Gjithashtu, edhe pasqyrat financiare të Bankers Petroleum Albania Ltd (BPAL) degë e shoqërisë së huaj, të cilat depozitohen tek autoritetet tatimore, janë të përgatitura në përputhje me SNRF sipas parashikimeve të legjislacionit shqiptar. Pra, parimet mbi të cilat raportimet janë përgatitur nuk ndryshojnë, që do të thotë të dyja Shoqëritë (BPL dhe BPAL) kanë raportuar fitim kontabël. Pasqyrat financiare të konsoliduara të BPL përfshijnë aktivitetin financiar të të gjithë grupit, ku pjesë e tij është edhe BPAL. Vlen për t’u sqaruar që fitimi kontabël neto prej 128 milionë USD në vitin 2014 i përket grupit, ku përfshihet edhe rezultati neto i BPAL prej afërsisht 105 milionë USD. Pjesa e mbetur prej 24 milionë USD është rezultat neto i Shoqërisë në Kanada.

Është e rëndësishme të kuptohet që në çdo industri, fitimi kontabël ndryshon nga fitimi fiskal, i cili është bazë për llogaritjen e tatimfitimit. Pra nuk duhet ngatërruar dhe të merret për bazë fitimi kontabël për të llogaritur tatimfitimin. Në sektorin hidrokarbur, llogaritja e fitimit fiskal bëhet mbi bazën e një ligji të veçantë, i cili ndryshon nga industritë e tjera. Ndryshimi thelbësor midis fitimit fiskal për industritë e tjera dhe atij fiskal për sektorin hidrokarbur vjen pasi në fitimin fiskal në sektorin hidrokarbur përfshihen në shpenzime 100% e vlerës së aktiveve të qëndrueshme që në momentin e blerjes, ndërkohë që në industritë e tjera, në llogaritjen fitimit fiskal, njihet si pjesë e shpenzimeve vetëm amortizimi vjetor i aktiveve të qëndrueshme, i cili varion nga 2-25%. Në sektorin hidrokarbur, fitimi i tatueshëm përcaktohet, duke zbritur vlerën e shitjeve kumulative historike nga vlera kumulative historike e investimeve operative dhe kapitale, por, nga ana tjetër, norma e tatimfitimit në sektorin hidrokarbur është 50%, ndërsa për industritë e tjera është 15%. Nëse çka më sipër do ta shikonim në këndvështrim më të gjerë, shteti shqiptar do të përfitojë 50% të fitimit të të gjithë projektit, si dhe vlerën e aktiveve, në një kohë kur risqet e investimit i përballon të gjitha investitori.

Kur planifikon shoqëria të dalë me fitim të tatueshëm në Shqipëri?

Marrëveshja Hidrokarbure dhe Licencë Marrëveshja midis Bankers dhe autoriteteve Shqiptare janë firmosur në 2004, ku ka patur një sistem fiskal për sektorin Hidrokarbur. Në bazë të përcaktimeve të marrëveshjeve të lidhura me shtetin shqiptar dhe parashikimeve të sistemin fiskal mbi të cilin u bazuan këto marrëveshje, Bankers ka bërë të mundur realizimin e investimeve të konsiderueshme në këtë projekt. Në vitin 2008, me ndryshimet fiskale të ndodhura u prezantuan renta minerare prej 10% mbi vlerën e shitjeve. Në vitin 2014 me ndryshimet e mëtejshme fiskale të ndodhura u aplikuan taksa shtesë për sektorin Hidrokarbur, si ajo e akcizës, karbonit dhe qarkullimit, tatimi mbi të ardhurat personale për personelin e huaj etj. Si rezultat i këtyre ndryshimeve fiskale Shteti Shqiptar ka arkëtuar rreth 250 milionë USD nga të ardhurat e realizuara, çka ka sjellë rritjen e kostove me po të njëjtën vlerë. Nëse nuk do të kishin ndodhur këto ndryshime fiskale atëherë Bankers do të kishte mbuluar të gjitha kostot hidrokarbure dhe do kishte rezultuar me fitim fiskal gjatë vitit 2014 prej rreth 120 milionë USD. Në këtë skenar Shteti Shqiptar do të kishte arkëtuar për efekt të tatim fitimit 50% të fitimit fiskal ose 60 milionë USD, ndërkohë edhe Bankers do të kishte rikuperuar gjithë investimin e kryer dhe do të kishte fituar 60 milionë USD. Por në fakt me ndryshimet e bëra Shteti Shqiptar ka arkëtuar 250 milionë USD, kurse Bankers ka ende për të rikuperuar edhe 125 milionë USD. Ndryshimet fiskale që prej vitit 2008 e më pas në këtë industri kanë bërë që Shteti Shqiptar të ketë arkëtuar efektivisht në mënyrë alternative një përfitim më të madh tatim fitimi dhe më herët në kohë, nga sa parashikohej në marrëveshjet fillestare në 2004. Kjo është realizuar në formën e rentës minerare apo taksave të tjera shtesë, në vlerën e 250 milionë USD, ndërkohë që investitori (Bankers) në këtë mënyrë nuk ka mundur të rikuperojë investimin e kryer duke e shtyrë në kohë si pasojë e këtyre kostove shtesë.

Në pasqyrën e aktiv-pasivit, çfarë tregon zëri “tatim kontabël i shtyrë-jo korent, që për vitin 2014 ishte 373 milionë dollarë?

Detyrimi i tatimit të shtyrë të Shoqërisë rezulton nga diferencat e përkohshme midis vlerës neto të aseteve dhe detyrimeve të njohura në pasqyrat financiare sipas SNRF dhe vlerës së taksueshme të aseteve dhe detyrimeve të llogaritura sipas parashikimeve të ligjit fiskal në sektorin hidrokarbur. Praktikisht, detyrimi për tatimin e shtyrë, i njohur në fund të vitit, përfaqëson një vlerë të përllogaritur të tatimfitimit, i cili parashikohet të paguhet në të ardhmen në momentin kur të ardhurat kumulative do të tejkalojnë kostot kumulative kapitale dhe operative. Totali i tatimfitimit që parashikohet të paguhet gjatë jetës së projektit do të jetë më i lartë se përllogaritja e detyrimit të tatimit të shtyrë, kjo si rrjedhojë e zhvillimit të biznesit dhe kushteve të tregut, por kjo vlerë nuk është subjekt i paraqitjes në pasqyrat financiare sipas SNRF.

Në pasqyrën e cash flow rezulton që shpenzimet kapitale në 2014-n kanë qenë 291.3 milionë dollarë. Nëse mund të bëni një ndarje sipas zërave kryesorë, për çfarë kanë qenë këto investime.

Shpenzimet kapitale të realizuara nga Bankers gjatë vitit 2014 mund të ndahen sipas grupeve më poshtë:

rreth 70% e investimeve kapitale gjatë vitit 2014 kanë shkuar për shpimin dhe kompletimin e përafërsisht 160 puseve horizontale
rreth 7% është investuar për infrastrukturën sipërfaqësore mbështetëse
rreth 6% për injektimin e polimerit, dhe
pjesa mbetur për depozitimin e ujit apo rikompletimin e puseve ekzistues.
Sipas AKBN, kompania juaj ka raportuar shpenzime të fryra, me qëllim mospagimin e tatimfitimit dhe duhet të kishte filluar të dilte me fitim që nga viti 2011. Si është komenti juaj. Në bazë të kontratës, AKBN ka tre vjet kohë për të verifikuar bilancet tuaja. A keni pasur ndonjë ankesë apo koment zyrtar për bilancin e vitit 2011 (meqë ka kaluar periudha trevjeçare).

Bankers është shoqëri publike kanadeze dhe operon me standardet më të larta ndërkombëtare jo vetëm nga ana operacionale, por edhe financiare. Bankers ka qenë dhe është transparente, dhe objekt kontrolli jo vetëm i autoriteteve shqiptare, por edhe nga institucionet e auditimit ndërkombëtar, në emër të investitorëve dhe institucioneve financiare (IFC & BERZH). Bankers është krenar për eficencën e operacioneve hidrokarbure dhe kostot me të cilat është bërë e mundur që vendburimi i Patos-Marinzës të prodhojë maksimumin historik prej 1.2 milionë tonësh në vitin 2014, duke maksimizuar përfitimet jo vetëm për shtetin shqiptar dhe ekonominë vendase, por edhe për investitorët tanë. AKBN, si autoriteti përgjegjës për auditimin e kostove hidrokarbure dhe tatimfitimit ka bërë auditin për vitin 2011, ndaj të cilit ne kemi dorëzuar observacionet së bashku me dokumentet justifikuese. Pasi AKBN të shqyrtojë observacionet e paraqitura nga ne dhe nëse do të ketë përsëri mosmarrëveshje midis palëve, ato do të zgjidhen siç e parashikon Licencë-Marrëveshja.

Marrëveshja koncesionare e Bankers

Bankers Petroleum është degë e kompanisë kanadeze me të njëjtin emër. Sipas burimeve nga vetë kompania, dega është e angazhuar në kërkimin për zhvillimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror në Shqipëri, objekti kryesor i degës së saj në Shqipëri është kryerja e operacioneve hidrokarbure të naftës në zonat e miratuara nga marrëveshja e hidrokarbureve, prodhimi dhe shitja e naftës dhe kryerja e çdo marrëveshjeje dhe aktiviteti në lidhje me hidrokarburet. Ajo e kryen aktualisht aktivitetin në Shqipëri në përputhje me licencë-marrëveshjen e lidhur me Albpetrol sh.a., më datën 19.06.2004.

Dega operon në Patos, në fushën e naftës në Marinzë në vijim të një marrëveshjeje me Albpetrol sh.a., kompania shtetërore e naftës, nën licencën ekzistuese të Albpetrol-it me Agjencinë Kombëtare për Burimet Natyrore (AKBN). Licenca ka një afat 25 vjet me opsionin për të zgjatur marrëveshjen me kompaninë e zgjedhur dhe për 5 vite të tjera. Në përputhje me Marrëveshjen Hidrokarbure dhe Licencë-Marrëveshjes, shoqëria gjatë fazës së kërkimit dhe zhvillimit do të mbulojë të gjitha shpenzimet e veta si për investimet, ashtu dhe ato operative, me të ardhurat e mundshme nga shitja e produktit të nxjerrë. Kompania ka gjithashtu të drejta ekskluzive për të eksploruar në bllokun “F” sipas marrëveshjes përkatëse.

Revista Monitor, 21.04.2015