Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Në Maj nis puna për masterplanin e gazit

Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me kompaninë shtetërore azere të naftës SOCAR organizuan në Tiranë seminarin e dytë të Nivelit të Lartë për Studimin e Fizibilitetit të Masterplanit të Gazit në Shqipëri. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të SOCAR, Shell, British Petroleum, WBIF dhe TAP AG.

Mbledhja u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë Z.Koli Bele. Ai e konsideroi shumë të rëndësishëm koordinimin mes të gjithë aktorëve për të patur një produkt sa më profesional, Masterplanin e Gazit dhe Studimin e Fizibilitetit.

“Kemi ndërmarrë të gjitha hapat e duhura si qeveri, në mënyrë që në vitin 2019-2020, kur parashikohet që gazi të kalojë në tubacionin e gazsjellësit TAP, edhe Shqipëria të jetë jo vetëm e lidhur, por të ketë mundësi, infrastrukturë të zhvilluar, plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit”, u shpreh Z.Bele.

Në vijim të takimit të parë mbajtur në muajin Shkurt, përfaqësuesit e WBIF prezantuan një grafik të punës me të dhëna konkrete të fazave të hartimit të Masterplanit.

Puna do të nisë në muajin Maj 2015 dhe parashikohet që Masterplani të jetë i gatshëm në tetor/nëntor të vitit 2016. Paralelisht, kompania SOCAR do të fillojë punën për Studimin e Fizibilitetit, një tjetër dokument mjaft i rëndësishëm që i shërben objektivit strategjik për gazifikimin e vendit.

Western Balkans Investment Framework (WBIF) financon me 1.1 milion euro hartimin e Masterplanit të Gazit (GMP) dhe të Project Identification Project (PIP), sipas aplikimit të MEI-t në shkurt 2014.

Kompania SOCAR, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësin TAP, si dhe aktorët e tjerë të interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë Studimin e Fizibilitetit të Master Planit të Gazit.

energjia.al 19.04.2015