Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bankers ka përgjegjësinë e plotë

Fjala e mbajtur nga Ministri Gjiknuri në mbledhjen e sotme në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese rreth ngjarjes së ndodhur në Marinzë

Faleminderit zoti Kryetar,

Besoj është në interes të publikut që unë të bëj një sqarim për ngjarjen. Pas investigimeve të bëra në terren, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka dalë në konkluzionet e një raporti paraprak. Që në momentin që ndodhi ngjarja, të gjitha strukturat e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të monitoruar situatën, për të bashkëpunuar me autoritetet lokale dhe kompaninë. Së pari, prioritet ishte të shmangnim cënimin e jetës së njerëzve dhe pasoja të kësaj natyre. U garantua perimetri dhe u evakuuan banorët. Më pas, nisi normalizimi i situatës dhe u deshën më shumë se 24 orë që të bëhej mbyllja e rrjedhjeve të gazit. Me urdhër të ministrit, atë ditë është ngritur një grup pune që do të bënte vlerësimin se përse ka ndodhur ky incident, cilët janë shkaktarët, cilat janë pasojat dhe më pas edhe masat që duhet të marrim ne si autoritet që mbikëqyrim këtë sektor.

Raporti del në konkluzionin se kemi të bëjmë me rrjedhje të pakontrolluara të gazit karbonik, gaz që është injektuar në vitet 89’-90’ nga Albpetrol në atë zonë për rritjen e presionit në nxjerrjen e hidrokarbureve. Kemi të bëjmë me një gaz të futur nga njeriu dhe nuk është një gaz natyror i krijuar në shtresat nëntokësore. Problemi ka qenë teknik i kompanisë, e cila duhet ta dinte pasi në atë zonë ekzistojnë rekorde dokumentare se ka patur futje të gazit nga Albpetroli. Duhej që shpimi i puseve, në bazë të lejes zhvillimore që ata kishin për shfrytëzim hidrokarburesh, të parashikonte edhe një linjë dytësore. Një linjë e cila teknikisht, nëse do të kishte çlirime të këtyre lloj gazeve të futura nga Albpetroli, të mund të ulte presionin e daljes në sipërfaqe.

Unë kam edhe një raport teknik të cilin do t’ia vë në dispozicion të komisionit. Pra, ajo ngjarje erdhi si pasojë e çlirimit të pakontrolluar të gazit karbonik e shoqëruar me daljen e ujërave nëntokësore apo problemet e ndryshimit të strukturës gjeologjike.

Përgjegjësia i takon totalisht shoqërisë që kryen operacionet e kjo është thënë e qartë. Ata janë në pozicionin që duhet të merrnin masa për ta parandaluar këtë çka ndodhi. Këto janë fenomene që kanë ndodhur edhe më parë, në historinë e hidrokarbureve shqiptare njihen raste të ngjashme të çlirimit të pakontrolluar të gazit. Për fat të keq, në këtë rast kemi qenë shumë pranë një zone të banuar dhe ky është një problem që duhet të mendohet edhe në perspektivë, se çfarë duhet të bëhet me kërkimet në këto zona. Ndodhja e ngjarjes pranë zonave të banuara e bëri rrezikun të ishte më i madh.

Rekomandimet e raportit të kontrollit kanë nisur të bëhen konkrete. Kemi pezulluar aktivitetin në këtë zonë të pusit dhe nuk do të bëhet asnjë veprim derisa të kemi një projekt të qartë e të integruar se si do të shfrytëzohet. Një projekt, i cili duhet të përcaktojë qartë mbrojtjet shtesë për komunitetin që banon aty si dhe teknologjia që do të mund të përdoret, duke marrë për bazë edhe rezervën e gazit që ndodhet në atë zonë.

Nga ana tjetër ka dhe disa detyrime të tjera që kanë të bëjnë me aspekte teknike të kontraktorëve të specializuar, të cilët duhet të kenë mundësinë të punojnë në këto zona në raste të tilla. Janë masa të karakterit ndëshkues dhe parandalues, sepse pa patur një plan të qartë se si do të operohet në këtë zonë të pusit ku po bëhet kërkimi, ne nuk do të lejojmë të shpohet më në atë zonë.

Kjo nuk do të thotë se do të ndërpritet i gjithë aktiviteti hidrokarbur. Duhet bërë e qartë, pavarësisht tensioneve normale që krijohen mes publikut e aktivitetit hidrokarbur dhe pasojave që ai sjell, industria e naftës është shumë e rëndësishme për vendin. Është një nga industritë që vazhdimisht ka pësuar ngritje dhe ne do ta inkurajojmë zhvillimin e kësaj industrie në përputhje me standardet mjedisore.

Për sa i takon aspekteve shëndetësore, ju e dini se Ministria jonë nuk është përgjegjëse direkte por po bashkëpunojmë me autoritetet e tjera për të monitoruar situatën. Strukturat e shëndetësisë po kryejnë studimet, po kryejnë matjet dhe konsultat e duhura me banorët që të kujdesen për aspektet e pasojave të çlirimit të gazit.

Duke qenë se përgjegjësia është direkte e shoqërisë që e ushtron aktivitetin hidrokarbur, të gjitha dëmet do të paguhen nga ajo. Ky fakt është pranuar qoftë publikisht apo edhe përmes komunikimeve tona zyrtare. Do të ketë një dëmshpërblim të plotë për të gjitha dëmet e krijuara nga ky aksident i ndodhur në Marinzë.

*** *** *** *** ***

Marrëveshja e kompanisë Bankers daton që në vitin 2004. Ishte më herët një kompani tjetër e cila u transformua më vonë në Bankers. Në marrëveshje përcaktohen detyrimet reciproke që ka shoqëria dhe shteti në kuadër të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve. Duhet kuptuar se në të gjithë botën, industria e naftës ka një regjim të veçantë juridik, ndryshe nga çdo biznes tjetër. Kjo për arsye se përfshin shumë kapital që duhet futur në fazën e investimit. Mund të shpenzohen edhe miliona euro e të mos përfitohet asnjë aktivitet ekonomik. Pikërisht, për të patur një garanci më të madhe për investimet, marrëveshjet hidrokarbure janë ndryshe nga regjimi fiskal për bizneset dhe aktivitetet e tjera ekonomike. Këtë rrugë ka ndjekur edhe Shqipëria dhe këtu nuk ka rast përjashtimor.

Këtu përfshihen detyrimet që ka kompania ndaj shtetit por edhe mënyra se si monitorohet sektori hidrokarbur, një monitorim që ndodh në dy drejtime. Albpetroli është bashkëzhvillues pasi është ai që ka marrëdhënien dhe detyrimin për monitorimin teknik e planifikimin zhvillimor të shoqërisë. Kjo bëhet përmes një komisioni të përbashkët dhe vendimmarrja quhet e përbashkët në këtë rast. Faza e dytë e kontrollit përfshin Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore e cila e aprovon planin e zhvillimit dhe ushtron kontrollin përmes auditit teknik e financiar. Aspektet teknike dhe Operacionale të kërkimit të naftës i monitoron Albpetroli ndërsa AKBN kryen auditimin financiar. Vitin e fundit kemi ndjekur praktikën e përfshirjes edhe të organeve tatimore në auditimet e kompanisë dhe kjo nuk kishte ndodhur më parë.

Nga një marrëveshje, shteti merr taksën minerare që është në masën 10% të prodhimit; ka 1% që e merr Albpetroli si bashkëprodhues; ka prodhimin paraekzistues që i jepet gjithashtu Albpetrolit. Këto janë të ardhurat që merr shteti shqiptar. Debati këtu është se sa mirë mund të monitorohen kompanitë hidrokarbure për sa i përket shpenzimeve operative që rekuperojnë shpenzimet kapitale që i duhen në jetën e kontratës. Nëse kontrata është 25-30 vite dhe investitorit i duhen le të themi 1 miliard dollar investime, duhen kontrolluar se si janë këto shpenzime kapitale. Kur shpenzimet kapitale të barazohen me të ardhurat e kompanisë, çdo gjë mbi të quhet fitim i pastër. Mbi fitimin e pastër fillon ndarja me 50% në industrinë e naftës, ndryshe nga bizneset e tjera ku tatimi i fitimit ka qenë 10 dhe tani ka shkuar 15%. Pra fillojnë dhe taksohen shumë më tepër kompanitë e naftës.

Nga autoritetet shqiptare janë bërë vazhdimisht monitorime, nuk mund të flas për cilësinë e tyre. Gjithsesi, si ministër them se mbase cilësia e tyre nuk ka qenë e duhur në auditimet e mëparshme. Kohë më pare, shteti shqiptar si rezultat i pafuqisë për ti mirë monitoruar u detyrua që të negociojë me Bankers për të përfshirë rentën minerare e cila nuk ka qenë. Këtë e bënë për të marrë diçka shteti në avancë dhe për të mos pritur derisa faktori “R” të barazohej. Patjetër që cilësia e auditimit duhet të jetë më e lartë dhe ne po e përmirësojmë këtë cilësi. Kemi kryer auditimet e fundit për të cilat jemi në fazën e ballafaqimit dhe për shkak të konfidencialitetit që ka marrëveshja hidrokarbure nuk mund të jap detaje. Marrëveshja parashikon se kur nuk ka dakordësi mes palëve mund të shkohet në arbitrazh ose përmes një pale të tretë e cila mund të jetë një ekspertizë e huaj e cila të monitorojë shpenzimet hidrokarbure.

Si ministër them se këto kontrata kur janë negociuar mund të bëheshin më mirë. Gjithësesi duhet thënë se nafta i ka të papriturat e saja. Sot që flasim është një vit shumë i keq për naftën dhe situate do jetë edhe më problematike nëse çmimi i naftës do të ulet akoma më shumë pasi nafta e Patos Marinzës është e rëndë dhe ka çmimin 35% më ulët se brenti. Ulja e mëtejshme e çmimit të naftës do ta vinte në pikëpyetje të gjithë industrinë shqiptare të naftës. Ka një kosto shumë të lartë nxjerrja e naftës në Shqipëri edhe për shkak të përbërësve tjerë që përdoren për ti rritur cilësinë për ta tregtuar.

Padyshim këtu ka të bëjë edhe serioziteti i kompanive dhe ndaj ne pak kohë më parë organizuam një samit për të ftuar kompanitë ndër më seriozet të cilat kanë padyshim standarde shumë më të mira.

*** *** *** *** ***

Po u përgjigjem përmbledhtazi disa pyetjeve të deputetëve. Qeveria shqiptare e ka ndjerë shqetësimin menjëherë, ka reaguar në kohë duke marrë masat e nuk ka diçka për tu kritikuar këtu. A mund të parandalohen ngjarje të tilla? Mbi të gjitha duhet të parandalohen nga ana e kontraktorit që ka marrë përsipër ti kryejë këto operacione. Nuk ka patur ndonjë problem nga autoritetet shqiptare të tipit të dhënies së ndonjë lejeje të pastudiuar apo që mund të shkaktonte pasojë. Neglizhenca e kontraktorit dhe përgjegjësia që ka e që do ta kërkojmë e ngarkon atë me kostot. Sa i takon përgjegjësisë ligjore, unë di që ka një hetim të hapur nga pikëpamja penale por nuk mund ta komentoj këtë hetim.

Duke u ndalur tek përfitimet e komunitetit, vet reforma territoriale rrit kapacitetet e autoriteteve vendore dhe është diçka për tu përshëndetur. Do të kemi autoritete vendore me kapacitete të plota teknike që të ardhurat e siguruara nga renta të mirëadministrohen. Në një nga amendimet e fundit që i kemi bërë marrëveshjes për shkak të taksave, kemi kërkuar edhe elementët e programeve sociale dhe ekonomike ku shteti të ketë një rol. Më parë kemi vënë re se ndonjë kryetar komune me bashkëpunimin direkt me kompaninë bënte ndonjë zgjidhje të momentit duke anashkaluar interesat e komunitetit. Do të ketë një monitorim që këto programe do të jenë në përputhje me programet zhvillimore rajonale. Nga pikëpamja e zgjidhjeje afatgjate, nuk jam në gjendje ta them në këtë moment por mund të shikohet edhe opsioni i një zhvendosjeje të popullatës që të mos interferohet aktiviteti i naftës. Nuk mund të them se e kemi të gatshme sot pasi këto gjëra kërkojnë studim dhe kanë edhe implikimet e tyre. Bazuar në këtë ngjarje, një masë e tillë duhet parë dhe duhet marrë në të ardhmen.

Nuk mund të marr përsipër të them se nuk do të ketë më aksidentet industriale por garantoj se autoritetet shtetërore që lëshojnë lejet dhe monitorojnë ato nuk do të mbyllin sytë karshi kërkesave ligjore dhe parametrave teknike që nesër mund të shërbejnë si shkak për krijimin e ngjarjeve. Neglizhenca e njerëzve apo kontraktorëve të ndryshëm nuk mund të parashikohet dhe është pjesë e natyrës njerëzore. Me rëndësi është që shteti të reagojë në kohë.

Sa i takon çështjes së ndotjes, realisht unë nuk e kam ekspertizën e duhur për matjet dhe efektet e ndotjes. Një studim i tillë po bëhet nga institucionet kompetente të shtetit.

Jo nga të dhënat e kompanisë por referuar ekspertëve të institucioneve tona që janë në terren, gazi i çliruar nuk ka qenë hidrokarbur por karbonik. Nëntoka mund të ketë përzierje të gazit karbonik me ndonjë element tjetër që mund të shkaktojë ndonjë ndotje. Gjithsesi ajo fontanë e gazit nuk ishte metan apo gaz hidrokarbur.

Faleminderit!

energjia.al 09.04.2015