Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rreziku i emetimit të gazit është eleminuar

Bankers Petroleum Albania bën të ditur sot se operacionet të ndërmarra për të izoluar pusin kanë përparuar me sukses dhe rreziku i emetimit të mëtejshëm të gazit është eliminuar.

Ndërsa shumica e banorëve tani janë duke u inkurajuar të kthehen në shtëpi, puna vazhdon së bashku me autoritetet shtetërore për të plotësuar nevojat e banorëve që vazhdojnë të jenë të prekur nga këto ngjarje të fundit, thuhet në njoftimin e Kompanisë.

Përpjekjet për pastrim janë duke vazhduar dhe kompania në ditët në vazhdim, zotohet do të punojë së bashku me autoritetet shtetërore për të vlerësuar ndikimin dhe për të siguruar kompensimin e duhur.

Sot, zyrtarë nga Ministria e Energjetikës kanë reaguar duke thënë se janë marrë masa për të adresuar çdo shqetësim nga familjet në atë zonë.

Sekretari i përgjithshëm i MEI, Koli Bele deklaroi se mund të ketë nevojë për të shtuar kontrollet, por në industrinë nxjerrëse ka raste aksidentesh, ndaj nuk duhet të rendim pas deklaratave ndëshkuese.

Drejtoria e Policisë së Fierit ka njoftuar nisjen prej ditës së djeshme të procedimit penal ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, si shkaktare e shpërthimit të gazit. Policia është ende në pritje të specialistëve të AKBN-së për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit, ndërkohë që është konstatuar dëmtimi i banesave të 9 familjeve në këtë zonë.

Një ditë më parë, në orët e para të mëngjesit ndodhën dy shpërthime në dy puse në Marinëz, Fier. Deri më sot, 127 familje janë evakuar. Aktualisht, komisioni për verifikimin e dëmeve do të përllogarisë dëmshpërblimin që do të marrin banorët për dëmet në shtëpi dhe toka bujqësore.

Revista Monitor, 03.04.2015