Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kërkesë për moratorium HEC-esh

Uji është një element i rëndësishëm jetik për ekzistëncën e të gjitha gjallesave. Burimet ujore janë të rëndësishme jo vetëm në këndvështrimin e ujit të pijshëm, por ujërat janë thelbësore për bujqësinë, peshkimin dhe industrinë. Dita Botërore e Ujit (22 Mars), sjell në vëmendje pikërisht rëndësinë që ka mirëmenaxhimi i burimeve ujore, për të siguruar vazhdimësinë e jetës. Çdo shoqëri synon dhe tenton të zhvillohet, por çështja qëndron se ky zhvillim duhet të jetë i qëndrueshëm.

Me rastin e kësaj dite të shënuar të ujit, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) organizoi një tryezë të rrumbullakët me tematikë: “Uji dhe zhvillimi i qëndrueshëm” ku morrën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Sekretariatit Kombëtar Teknik të Ujrave, organizatave të shoqërisë civile mjedisore, Rrjetit për Mbrojtjen e Natyrës, medias etj.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), nga viti 2002 deri më sot janë firmosur 170 kontrata konçesionare për ndërtimin e 499 hidrocentraleve me kapacitet 2087 MW dhe prodhim vjetor 9005 GWh. Ajo ç’ka është më shqetësuese, është se një pjesë e tyre do të ndërtohen në zona të mbrojtura, theksoi në takim ekspertja e ujrave e organizatës INCA, znj. Emirjeta Adhami. Gjithashtu evidentohet një ndërtim i HEC-eve, pa një vlerësim strategjik mjedisor (VSM).

Presidenti i INCA-s z. Genti Gromidha hodhi idenë e bërjes së një kërkese nga organizatat e shoqërisë civile mjedisore, për moratorium të konçesioneve për HEC-e për një periudhë 3 vjeçare dhe ndalim të tyre në zona të mbrojtura. Një ide e tillë, morri aprovim unanim nga organizatat mjedisore të pranishme. Drafti i kërkesës do t’u dërgohet organizatave mjedisore për t’a parë dhe firmosur. Qëllimi i moratoriumit 3 vjeçar të konçesioneve është ndalimi i ndërtimit pa kriter të HEC-eve, derisa të forcohen mekanizmat ligjorë dhe të hartohen aktet nënligjore të ligjit për menaxhimin e integruar të burimeve ujore.

Ndërsa zoti Besnik Bare, anëtar i Komisionit Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese , Tregtinë dhe Mjedisin u shpreh se: “Duhet të bëjmë një presion bashkarisht që të kemi produkte, për misionin e përbashkët”.

Organizatat mjedisore të pranishme në takim si: Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Qendra Grupimi Ekolëvizja, Qendra EDEN, PPNEA, EcoAlbania, Instituti i Kërkimeve Urbane (URI), Milieukontakt Shqipëri, SEEP etj. prezantuan projektet e realizuara deri tani si dhe ato që po zbatojnë në drejtim të mbrojtjes së burimeve ujore.

Takimi u mbyll mjaft këndshëm duke paraqitur disa sekuenca nga dokumentari “HEC-et, mjedisi dhe komuniteti”, edhe pse problematika e trajtuar në fakt nuk është aspak e këndshme. Dokumentari është realizuar nga rrjeti ECIM (Ekosistemi i Komunikim Informimit Mjedisor), në kuadër të Programit SENiOR-A, mbështetur nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) dhe Qeveria Suedeze. (Linku i dokumentarit: https://www.youtube.com/watch?v=L9Y3b-j4TsE)

Ky aktivitet i organizuar nga Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) është mbështetur në kuadër të Programit SENiOR-A dhe projektit DASHI.

Ekolëvizja,  23.03.2015