Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zvicra jep grant për tregun e gazit në vend

Ambasadorja Beatrice Maser, Drejtore në Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) së bashku me ministrat Damian Gjiknuri dhe Shkëlqim Cani nënshkruan një marrëveshje të re sot e cila përkushton 6.6 milion Euro për zhvillimin e tregut vendas të gazit, zbatimin e projektit TAP dhe menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

“Jam e lumtur t’ju njoftoj që pak çaste më parë nënshkruam Marrëveshjen e Projektit për Ndërtimin e Kapaciteteve për Zhvillimet e Mëdha të Infrastrukturës së Gazit në Shqipëri”, tha Sh.S. Ambasadore Beatrice Maser, Kryetare e Divizionit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Drejtorinë e Çështje të Jashtme Ekonomike tek SECO dhe Delegate e Këshillit Federal Zviceran për Marrëveshje Tregtare. Ajo tha se projekti dhe investimet e TAP janë të një rëndësie të lartë strategjike për Shqipërinë. Ndërmjet rezultateve të pritura nga ky kontribut ajo përmendi:

•    Sigurinë e përmirësuar të energjisë përmes diversifikimit te burimeve
•    Rritjen ekonomike përmes një kuadri të forcuar për investime
•    Reduktimin e ndotjes përmes uljes së importeve të energjisë që vjen nga burimet fosile

Gjatë fjalimit të tij Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tha: “Shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar qeverinë zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme për sektorin e energjisë në Shqipëri. Me qeverinë zvicerane ne tashmë kemi një program intensiv për diversifikimin e burimeve energjetike përmes këtij fondi të rëndësishëm që i shërben objektivit strategjik të gazifikimit të vendit”.

Ndërsa Ministri i Financave, Shkëlqim Cani u fokusua në bashkëpunimin e frytshëm midis dy qeverive. Ai falënderoi autoritetet zvicerane dhe Ambasadoren Maser për kontributin dhe përkushtimin në këtë bashkëpunim të veçantë me Shqipërinë.

Ndërsa fillon zbatimi i projektit TAP, ky kontribut i fundit i Zvicrës synon të përmirësojë kapacitetet e institucioneve shtetërore për menaxhimin e tregut të sapo-shfaqur të gazit në Shqipëri. Ndërmjet viteve 2011 dhe 2013 Zvicra lehtësoi hyrjen e Shqipërisë në projektin TAP duke krijuar kushtet e përshtatshme të kuadrit dhe duke përgatitur terrenin për një furnizim të mundshëm me gaz të vendit.

Vizita e Ambasadores Maser shënon një hap të rëndësishëm në mbështetjen që Zvicra i jep Shqipërisë në kuadrin e projektit TAP dhe zhvillimit të infrastrukturës për gazin. Në takimet e saj të mëparshme me Zv. Kryeministrin Niko Peleshi, Ministrin e Financave Shkëlqim Cani, dhe Ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ajo gjithashtu diskutoi zhvillimet thelbësore në fushat ku Zvicra ka dhënë mbështetje si zhvillimi ekonomik, menaxhimi i financave publike, reforma territoriale administrative, reforma e sektorit të energjisë, dhe në veçanti përmirësimi i kushteve për zhvillimin e sektorit privat. Ambasadorja Maser përgëzoi qeverinë për nismat dinamike të reformave dhe inkurajoi një zbatim të plotë të rregullave, proçedurave dhe standarteve të qeverisjes së mirë.

Marrëveshja e re do të synojë të përmirësojë kapacitetet teknike dhe menaxheriale të administratës publike në sektorin e ri të gazit veçanërisht në lidhje me projektin TAP. Si një burim i ri energjie, gazi mund të kontribuojë shumë në sigurinë e energjisë duke plotësuar burimet aktuale hidro-energjetike.
Zvicra ka mbështetur sektorin energjetik në Shqipëri në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës së digave që nga fillimi i viteve 90, dhe po konsideron efiçiencën e energjisë si një fushë e re ndërhyrjeje.

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes së grantit 6.6 milion euro nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) për zhvillimin e infrastrukturës së lartë të gazit në Shqipëri:

Të nderuar pjesëmarrës,

Faleminderit që ndodheni në këtë ceremoni të firmosjes së një marrëveshjeje shumë të rëndësishme mes qeverisë zvicerane dhe  qeverisë shqiptare. Me këtë rast, dua të falënderoj ambasadoren Maser, drejtuesen e programit të ndihmës zvicerane, për bashkëpunimin shumë të mirë që ka patur me Ministrinë e Energjisë, por edhe me Ministrinë e Financave. Një koordinim që vjen në vazhdën e një bashkëpunimi shumë të mirë që kemi me qeverinë zvicerane në sektorin energjitik. Zvicra, që në vitet e para të demokracisë ka qenë një mbështetëse e vazhdueshme me investime në sektorit energjetik shqiptar. Ka dhënë një ndihmë të posaçme për sigurinë e digave në kaskadën e Drinit, ka dhënë një ndihmë të posaçme për përfundimin e marrëveshjes me projektin TAP, si dhe po jep një ndihmë shumë të rëndësishme, siç është edhe kjo marrëveshjes së sotme prej 6.6 milion eurosh për zhvillimin e kapaciteteve të gazit në Shqipëri.

Ju e dini që projekti TAP është i rëndësishëm për Evropën në tërësi por veçanërisht për Shqipërinë për shkak të investimeve. Ne mund të përfitojmë gaz, por për të përfituar gaz duhet të ndërtojmë kapacitetet tona të brendshme. Pikërisht, asistenca e qeverisë zvicerane, nëpërmjet kësaj marrëveshje bën të mundur që tregu i gazit, krahas me mbështetjet e tjera financiare, me punën që ka filluar qeveria shqiptare për zhvillimin e masterplanit, të bëjë të mundur që gazi të jetë një realitet në vitet që do të vijnë në Shqipëri.

Kjo ndihmë është në kohën e duhur dhe në drejtimin e duhur. Me Zvicrën dëshirojmë të kemi edhe bashkëpunime të tjera, prapë në fushën energjetike, kemi biseduar me zonjën ambasadore dhe për projekte të mundshme të eficencës energjetike apo fusha të tjera ku Zvicra vërtet mund të japë kontribute. Shqipëria është e gatshme të thellojë edhe më tej këtë bashkëpunim me Zvicrën.

Së fundi, dua të them se kjo mbështetje vjen pikërisht për shkak të rikthimit të besimit tek sektori energjetik shqiptar. Këtë e konfirmon edhe kjo marrëveshje dhe e kanë konfirmuar gjithashtu institucionet ndërkombëtare financiare, për hapat e domosdoshme dhe të mira që po ndërmerr qeveria shqiptare në arritjen e objektivave për ta rimëkëmbur siç duhet këtë sektor. Edhe njëherë, dua t’u falënderoj Ju, të falënderoj qeverinë zvicerane dhe ambasadoren për këtë ndihmë të çmuar. Shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar më tutje me qeverinë zvicerane.

Faleminderit!

energjia.al  19.03.2015