Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gazprom ‘anekson’ Ukrainën lindore

Gjiganti rus i gazit, Gazprom, ka bërë të ditur se Ukraina nuk ka pse të paguajë për gazin me të cilin janë furnizuar krahinat nën kontrollin e separatistëve pro rusë në Luhans dhe Donjeck.

Por, furnizimi me gaz për pjesën tjetër të Ukrainës mund të ndërpritet që të hënën e ardhshme, sepse nuk janë bërë pagesat e mjaftueshme.

Në sinkron të plotë me presidentin rus, Vladimir Putin, zëdhënësi i Gazprom tha se shumat e paguara prej qeverisë së Kievit mjaftojnë për furnizim me gaz vetëm deri në fund të javës.

Kompania energjitike, Naftogaz, ka akuzuar Gazpromin se nuk po furnizon me gaz vendin edhe pse janë kryer disa pagesa në avancë.

Qershorin e kaluar, Moska ndërpreu furnizimin me gaz për Ukrainën dhe rifilloi aktivitetin vetëm në dhjetor, pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Një ditë më parë, Komisioni Europian ftoi palët në një takim trepalësh për të diskutuar këtë problem madhor, që ndikon drejtpërdrejtë furnizimin me gaz të Europës, pasi 40% e sasisë së gazit që importohet nga Rusia kalon përmes Ukrainës.

Megjithatë, nuk ka ende asnjë konfirmim nga pala ruse për pjesëmarrjen në këtë takim.

Ora News, 27.02.2015