Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Beteja e qeverisë për borxhet e energjisë

Kur kanë kaluar katër muaj nga nisja e aksionit të qeverisë kundër hajdutëve të energjisë elektrike dhe ka mbetur vetëm një javë nga afati i vendosur për lidhjen e aktmarrëveshjeve përfituese për shlyerjen e borxheve të dritave, shifrat e debitorëve mbeten ende shumë të larta. Deri në fund të janarit të këtij viti rezulton se nga 1.2 milionë klientë, familjarë dhe biznese, që kanë kontratë me OSHEE-në, janë rreth 700 mijë abonentë debitorë. Kjo mësohet nga të dhënat zyrtare pranë OSHEE-së, prej të cilave rezulton se për një vit, numri i debitorëve është ulur me mbi 200 mijë, pavarësisht se mbetet ende në nivel të lartë. Megjithatë, ekspertët tregojnë se qeveria ka arritur objektivat e vendosur nga Banka Botërore për të ulur nivelin e humbjeve me mbi 5 për qind në vit, pasi për vitin 2014, ky nivel ka rënë me më shumë se 7 për qind. Në tabelat e siguruara nga gazeta “Shqip” duket qartë se cilat rajone mbeten më problematikë për numrin e lartë të debitorëve, pavarësisht se në përqindje renditja e tyre ndryshon. Po ashtu vihet re sesi ka ndryshuar numri i debitorëve ndër vite, ku në 2013-n, i cili ka qenë vit elektoral, borxhet ndaj OSHEE-së, në atë kohë kompania administrohej nga CEZ Shpërndarje, është rritur ndjeshëm.

Krahasimi mes rajoneve

OSHEE, ndryshe nga ndarjet administrativo-territoriale, operon në zona nëpërmjet ndarjes me 10 drejtori rajonale. Nga totali i dhjetë rajoneve rezulton se sot numërohen ekzaktësisht 708 mijë e 377 abonentë, të cilët janë debitorë ndaj OSHEE për mospagesat e energjisë elektrike. Këtu nuk përjashtohen as ata, të cilët mund të kenë pa paguar qoftë edhe një faturë me vlerë të vogël monetare. Pra nga rreth 1.2 milionë abonentë të OSHEE-së, rezulton se afërsisht 60 për qind e familjeve dhe bizneseve shqiptare bashkë, kanë borxhe për dritat. Numri më i lartë i debitorëve, ashtu siç mund të pritej për shkak të numrit më të lartë të abonentëve, është në rajonin e Tiranës, me 145 mijë e 295 borxhlinj. Në vitin 2013, numri i tyre ka qenë 203 mijë e 637 debitorë, pra 58 mijë e 342 veta më shumë. Megjithatë, po të bësh krahasim në përqindje, Tirana renditet e treta, pikërisht pas Elbasanit dhe Gjirokastrës. Elbasani mban vendin e parë për shlyerjen e detyrimeve për person në përqindje dhe ka 56 mijë e 920 debitorë. Ky rajon e ka ulur numrin me 27 mijë e 450 debitorë krahasuar me vitin 2013, ose në masën 32.5 për qind, që është përqindja më e lartë në dhjetë rajonet e ndara nga OSHEE. Pas Elbasanit vjen Gjirokastra, me 46 mijë e 938 debitorë, ku rezulton se numri i tyre krahasuar me vitin 2013 ka rënë me 29.89 për qind, ose me 20 mijë e 19 veta. Në vendin e tretë është Tirana, e përmendur më lart, e cila ndiqet nga Fieri, Korça dhe Berati, të cilat e kanë ulur numrin e debitorëve me afërsisht 25 për qind secila. Sipas të dhënave, Fieri, i renditur i katërti, ka 97 mijë e 226 debitorë, ose 33 mijë e 962 debitorë më pak se në vitin 2013, ndërsa Korça, e renditur e pesta, ka 53 mijë e 268 debitorë, ose 18 mijë e 321 më pak se viti paraardhës. Berati renditet i gjashti, me 53 mijë e 26 debitorë, ose 18 mijë e 168 më pak se viti 2013. Burreli rezulton të jetë i shtati, me 44 mijë e 228 debitorë, i cili krahasuar me vitin 2013 rezulton me 12 mijë e 535 debitorë më pak, ose 22 për qind më pak. Durrësi rezulton të jetë i teti në përqindje, megjithëse nga numri i ulur i debitorëve vjen menjëherë pas Tiranës. Ky rajon ka 110 mijë e 362 debitorë, ku rezulton se në krahasim me vitin 2013, ky numër është ulur me 25 mijë e 648 veta, ose 18.8 për qind. Dy rajonet e fundit renditen Shkodra dhe Kukësi. Shkodra numëron 81 mijë debitorë, ose 18.6 për qind më pak se në vitin 2013, ndërsa Kukësi rezulton me 19 mijë e 438 debitorë, ose 10 për qind më pak se në vitin 2013.

Krahasimi në katër vite

Nga përmbledhja e dhjetë rajoneve rezulton se në të gjithë vendin janë 708 mijë e 377 debitorë, por ky numër është ulur me 235 mijë e 394 abonentë, krahasuar dhjetorin e vitit 2013. Në përqindje rezulton se numri i debitorëve në një vit është ulur me rreth 25 për qind, pasi në dhjetor të vitit 2013, OSHEE numëronte 943 mijë e 771 borxhlinj të energjisë elektrike, duke shënuar edhe pikun më të lartë të debive në katër vitet e fundit. Kjo mendohet se është shkaktuar edhe për faktin se 2013-a ishte vit elektoral. Madje, qeveria e asaj kohe pati përplasje të forta me CEZ Shpërndarjen, duke kryer edhe arrestime. Duke dalë në mbrojtje të debitorëve, numri i tyre u rrit ndjeshëm krahasuar me vitin 2012, kur kishte filluar aksioni i parë për mbledhjen e borxheve. Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2011 janë regjistruar rreth 942 mijë debitorë, pra mbi 75 për qind e abonentëve rezultonin debitorë. Në fillim të vitit 2012, CEZ nisi një aksion dhe atë vit e uli numrin e debitorëve me rreth 80 mijë, konkretisht në dhjetor të vitit 2012 janë regjistruar 867 mijë e 873 debitorë. Për një vit, pra në vitin 2013, ky numër shkoi edhe një herë atje ku ishte, madje e tejkaloi me një përqindje të vogël, pra në dhjetorin e vitit 2013 u regjistruan mbi 943 mijë debitorë, rreth një mijë më shumë se në 2011, ose 80 mijë më shumë se në vitin 2012. Tashmë, që jemi sërish në një vit elektoral, duhet parë nëse numri i debitorëve do të vazhdojnë të jetë në ulje, siç ka ndodhur në këta katër muaj, apo në fund të vitit do të kemi sërish shifra surprizë.

Vendimet, Dy nismat e qeverisë për vjedhjen e energjisë

Aksioni për vjedhjen e energjisë, për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe mbledhjen e borxheve nisi në fund të tetorit të vitit të kaluar, menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve që u bënë në Kodin Penal. Këto ndryshime u propozuan nga Ministria e Energjetikës, bashkë me Ministrinë e Brendshme dhe u mbështetën fort nga Kryeministri Rama, i cili deklaroi se për këtë mund të ketë edhe kosto politike, por që ishte i vendosur që një aksion i tillë të shkojë deri në fund. Rreth një muaj pas aksionit, qeveria nuk u duk fort e kënaqur me mbledhjen e borxheve dhe për këtë arsye mendohet se u bë edhe zëvendësimi i drejtorit të OSHEE, pavarësisht se zyrtarisht u deklarua se ai u dorëhoq për arsye personale. Në fillim të muajit dhjetor, qeveria paraqiti platformën tjetër për të zeruar borxhet ndaj OSHEE, që duket se në një moment kur të arrihet diçka e tillë, do të rinisë privatizimi. Kjo platformë kishte të bënte me një vendim të qeverisë, sipas të cilit, të gjithë debitorët që paguanin borxhet njëherësh u falej kamatëvonesa në masën 80 për qind. Tashmë, ky afat po përfundon dhe pritet se cila do të jetë lëvizja e radhës e qeverisë për të mbledhur borxhet, megjithëse drejtuesit e OSHEE kanë deklaruar se nuk do të ketë asnjë lehtësim tjetër.

Gazeta Shqip, 23.02.2015