Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OST-KESH, penalitete për vonesat në pagesa

Si rregulohen marrëvdhëniet tregtare mes dy kompanive publike të energjisë elektrike. Interesa shumë të larta për mospagimin në kohë

Pavarësisht se janë dy kompani publike KESH dhe OST janë përfshirë në marrëdhënie të “ashpra” tregtare me kamatvonesa dhe penalitete që i ngjajnë interesave të kredive që japin bankat. Sipas një marrëveshje të publikuar së fundi në Fletoren zyrtare nëse OST sh.a. dështon në kryerjen e pagesës brenda afatit të përcaktuar në këtë kontratë, shpërblimi për dëmet e shkaktuara si rezultat i vonesës, konsiston në pagimin e kamatëvonesës në masën e REPO(miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, aktualisht 2 %) duke i shtuar 8 (tetë) pikë përqindjeje. Pra në total kamavonesa shkon në 10 për qind si normë vjetore aktualisht dhe llogaritet për afatin e vonesës(ditë/365) deri në ditën e pagesës së detyrimit.

Marrëveshja për humbjet teknike

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka miratuar me vendimin e parë të vitit të datës 2 shkurt 2015 marrëveshjen midis KESH sh.a. dhe OST sh.a. për shitblerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit për vitin 2015.

Objekt i kësaj kontrate është përcaktimi i të drejtave dhe detyrimeve të palëve për skedulimin, deklarimin dhe garantimin në sasinë dhe cilësinë e kërkuar të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit, mënyrën e llogaritjes dhe faturimin e saj.

Sipas kontratës KESH sh.a. merr përsipër të sigurojë energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit për OST sh.a., në sasinë dhe kohën e kërkuar prej saj ndërkohë që kjo kontratë ka prioritet mbi të gjitha kontratat e tjera të shitjeve që bëhen nga KESH sh.a.

OST sh.a. merr përsipër të skedulojë energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit për OST sh.a., me bazë mujore, javore dhe ditore/orare, në përputhje me përcaktimet e dispozitave përkatëse të Rregullave të Tregut dhe akteve të tjera në fuqi. Skedulimet do të paraqesin vlerësimin më të mirë të nivelit të humbjeve teknike.

Lëvrimi i energjisë elektrike do të bëhet në dalje të zbarave ngritëse të transformatorëve që ndodhen në HEC-et Fierza dhe/ose Koman dhe/ose Vau i Dejës.

Lihur me çmimin, OST sh.a. paguan KESH sh.a. për energjinë elektrike të blerë për mbulimin e humbjeve në sistemin e transmetimit, me çmimin të miratuar, nga ERE. Çmimi i aplikueshëm në momentin e lidhjes së kësaj Kontrate është çmimi në fuqi i miratuar nga ERE. Nëse ERE miraton një çmim të ndryshëm nga ai i aplikuar në këtë kontratë, palët do të bëjnë korrigjimet e nevojshme për sasitë e faturuara në përputhje me vendimin përkatës së ERE-s.

Llogaritja/Matja, faturimi i energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në sistemin e transmetimit. OST sh.a. do të përllogarisë, sipas procedurave të përcaktuara në Rregullat e Tregut dhe Kodin e Rrjetit të Transmetimit, sasinë e energjisë elektrike që i korrespondon humbjeve teknike në sistemin e transmetimit, me bazë mujore dhe ia dërgon KESH sh.a. të evidentuar si zë në Bilancin Energjetik mujor, brenda datës 4 të muajit pasardhës ose në ditën e punës pasardhëse, nëse dita e 4-t e muajit korrespondon ditë zyrtare pushimi.

Menjëherë pas marrjes së Bilancit Energjetik, KESH sh.a., lëshon për OST sh.a., faturën tatimore përkatëse për sasinë e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit, sipas çmimit të miratuar me vendimin përkatës të ERE-s.

Pagesa jashtë afatit

OST sh.a. do t’i kryejë pagesën KESH sh.a. kundrejt vlerave të faturave mujore përkatëse për energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve. Pagesa do të bëhet brenda ditës së 30 të muajit kalendarik në të cilin është lëshuar secila prej faturave nga KESH sh.a.

Kontrata parashikon kamatvonesa në kryerjen e pagesës. Nëse OST sh.a. dështon në kryerjen e pagesës brenda afatit të përcaktuar në këtë kontratë, shpërblimi për dëmet e shkaktuara si rezultat i vonesës, konsiston në pagimin e kamatëvonesës në masën e REPO(miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të vitit paraardhës, duke i shtuar 8 (tetë) pikë përqindjeje.

Kamatëvonesa paguhet pa qenë i detyruar që KESH sh.a. të provojë ndonjë dëm. Në llogaritjen e kamatëvonesës nuk përfshihet data kur kryhet pagesa. Vlera totale e kamatëvonesave të aplikuara për çdo faturë nuk mund të kalojë vlerën e vetë faturës.