Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI prezanton studimin e fizibilitetit për TAP

Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me kompaninë shtetërore azere të naftës SOCAR organizuan në Tiranë seminarin e Nivelit të Lartë për Studimin e Fizibilitetit të Master Planit të Gazit në Shqipëri. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, EBRD.

Aktualisht, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka ndërmarrë hapa konkrete në drejtim të realizimit të objektivit për gazifikimin e Shqipërisë. Me qeverinë e Azerbajxhanit është nënshkruar në dhjetor 2014 “Memorandumi i Mirëkuptimit” për bashkëpunimin për zhvillimin e Master Planit të Gazit të Shqipërisë.

Sipas këtij memorandumi, kompania SOCAR, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësin TAP, si dhe aktorët e tjerë të interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë Studimin e Fizibilitetit të Master Planit të Gazit.

Nga ana tjetër, Western Balkans Investment Framework (WBIF) ka miratuar financimin prej 1.1 milion euro për hartimin e Master Planit të Gazit (GMP) dhe të Project Identification Project (PIP), sipas aplikimit të MEI-t në shkurt 2014.

Tryeza përbën hapin e radhës në kuadër të projektit për gazifikimin. Përmes këtij takimi u realizua koordinimi midis Master Planit dhe studimit të fizibilitetit, për të shmangur mbivendosjet mes njëra tjetrës, si dhe në përfitimin maksimal të mundshëm.

Ministri Gjiknuri deklaroi se ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline(TAP),  krijon mundësinë për të patur gaz dhe që Shqipëria të përfitojë, patjetër duhet të zhvillojë një treg gazi.

“Por, që të zhvillosh një treg gazi duhet patjetër përfshirja e investitorëve në këtë drejtim dhe përfshirja e investitorëve do të vijë kur ata të kenë të qartë se ka një treg të mundshëm, ka një konsum të mundshëm, ka industri të interesuar dhe ka një plan”, u shpreh ministri.

Për ti paraprirë këtyre zhvillimeve, theksoi ministri, ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat e duhura si qeveri për të shkuar në këtë drejtim, në mënyrë që në vitin 2019-2020, kur parashikohet që gazi të kalojë në tubacionin në fjalë, edhe Shqipëria të jetë jo vetëm e lidhur, por të ketë mundësi, infrastrukturë të zhvilluar, plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit.

“Nga të dhënat paraprake, interesi është i madh. Ka industri të cilat kanë nevojë për gaz. Edhe për prodhim të energjisë elektrike do të ketë nevojë për gaz”, insistoi Z.Gjiknuri.

Ndërkaq, Këshilltari i Presidentit të kompanisë shtetërore azere të naftës SOCAR, Z.Murad Heydarov deklaroi se viti 2015 është viti i fazës aktive të ndërtimit të Korridorit Jugor të Gazit dhe kjo aplikohet gjithashtu për të gjithë elementët e këtij zinxhiri të madh vlerash, duke filluar nga projekti i Shah Deniz dhe gjithashtu infrastrukturës së gazit në Azerbajxhan.

“Shqipëria është një pjesëmarrës shumë i rëndësishëm i korridorit jugor të gazit dhe do të thoja që ky projekt është me përfitim si për Evropën ashtu edhe për Shqipërinë”, tha Heydarov i cili sqaroi më pas se në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit mes qeverisë së Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, SOCAR do të financojë studimin e fizibilitetit në funksion të gazifikimit të vendit.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në seminarin e Nivelit të Lartë për Studimin e Fizibilitetit të Master Planit të Gazit në Shqipëri

Përshëndetje,

Kam kënaqësinë si Ministër i Energjisë dhe Industrisë të hap këtë aktivitet që është i pari i llojit të tij në Shqipëri. Pse them i pari?! Sepse për herë të parë, Shqipëria po ndërmerr hapa në drejtimin e zhvillimit të një masterplani të gazit. Gazi është një burim i ri energjie për Shqipërinë, ka pasur dikur aq sa ka pasur, por nuk u krijua një treg i zhvilluar gazi. Shqipëria, si një vend importues energjie dhe një vend i varur kryesisht nga energjia elektrike, ka nevojë të diversifikojë burimet e saj për sigurinë e furnizimit dhe për të diversifikuar portofolin e energjisë. Kjo, në mënyrë që varësia ndaj elektricitetit të bjerë dhe shoqëria shqiptare të konsumojë edhe burime të tjera të energjisë.

Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht falenderoj përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Ky organizëm ka qenë një mbështetës i hershëm i planeve të Shqipërisë për diversifikimin e burimeve të Shqipërisë. Fakti që WBIF ka dhënë edhe një fond për fillimin e zhvillimit të masterplanit të gazit është një angazhim i qartë i Bashkimit Evropian për mbështetjen e këtij procesi në Shqipëri.

Nga ana tjetër, dua të falënderoj përfaqësuesin e SOCAR, qeverinë e Azerbajxhanit. Ju e dini se së fundmi Azerbajxhani dhe SOCAR kanë nënshkruar një marrëveshje me qeverinë shqiptare për mbështetjen e studimit të fizibilitetit të gazifikimit të Shqipërisë. Ne mendojmë se këto janë hapat e duhur në mënyrë që tregu i gazit në Shqipëri të jetë një realitet. Ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline(TAP),  i cili shpresojmë do të fillojë në kohë dhe do të përfundojë brenda skedulës, krijon mundësinë për të patur gaz dhe që Shqipëria të përfitojë, patjetër duhet të zhvillojë një treg gazi. Por, që të zhvillosh një treg gazi duhet patjetër përfshirja e investitorëve në këtë drejtim dhe përfshirja e investitorëve do të vijë kur ata të kenë të qartë se ka një treg të mundshëm, ka një konsum të mundshëm, ka industri të interesuar dhe ka një plan.

Për ti paraprirë këtyre zhvillimeve, ne kemi ndërmarrë të gjitha hapat e duhura si qeveri për të shkuar në këtë drejtim, në mënyrë që në vitin 2019-2020, kur parashikohet që gazi të kalojë në tubacionin në fjalë, edhe Shqipëria të jetë jo vetëm e lidhur, por të ketë mundësi, infrastrukturë të zhvilluar, plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit.

Qëllimi i këtij seminari është pikërisht shkëmbimi i ideve, por mbi të gjitha hartimi i një strategjie të qartë se si do të shkohet në atë drejtim. Jo vetëm për të koordinuar ndihmën që vjen nga Bashkimi Evropian, angazhimin e SOCAR-it dhe të TAP-it. Edhe TAP-i është një kontribuues direkt i këtij procesi, në mënyrë që të mos kemi përplasje dhe të harmonizojmë dhe ekonomizojmë më mirë edhe burimet duke shkuar drejt objektivave të qarta, që është në fund të fundit përgatitja e një plani, më vonë e një studimi fizibiliteti.

Eksperienca e përfaqësuesve këtu është shumë e rëndësishme. Pjesëmarrës në këtë tavolinë janë nga të gjitha industritë e interesuara në fushën e naftës dhe të gazit. Siç thashë, kemi kompaninë shtetërore SOCAR, kemi përfaqësues të British Petrolium, përfaqësues të Shell, përfaqësues të kompanive të tjera të naftës në Shqipëri që kanë një aktivitet tashmë të zgjeruar dhe të konsoliduar, si dhe ekspertizë të ndryshme. Besoj është momenti i duhur në këtë tavolinë të parë për të shkëmbyer idetë dhe për të filluar për të hedhur hapat e parë në mënyrë që brenda një skedule të qartë të dimë se ku do të shkojmë. Të kemi në treg edhe partnerë strategjikë, investitorë të interesuar për zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri.

Nga të dhënat paraprake, interesi është i madh. Ka industri të cilat kanë nevojë për gaz. Edhe për prodhim të energjisë elektrike do të ketë nevojë për gaz. Shqipëria ka shumë burime hidro, por hidrot janë gjithmonë vulnerabël ndaj tekave të motit. Ne duam një burim të vazhdueshëm e të sigurt të energjisë, në fund të fundit është edhe burim i pastër, gazi natyror është nga hidrokarbonet më të pastra.

Është një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë për të përfituar në këtë drejtim, për të mos thënë pastaj për planet edhe të mëtejshme strategjike, të cilat do të zhvillohen me partnerët ndërkombëtarë dhe kryesisht shpresojmë me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Shqipëria duhet të kthehet edhe në një nyje lidhëse, duke u lidhur me gazsjellës të tjerë të mundshëm, duke u bërë pjesë e interkonektorëve evropianë e më pas do të kontribuojë edhe në diversifikimin dhe sigurinë e furnizimit të vet Bashkimit Evropian. Pa interesin e unionit evropian, projektet e gazit nuk do të ishin realitet, sepse Evropa prapë do të mbetet një konsumator i madh i gazit dhe Evropa ka interes të diversifikohet.

Shqipëria ka një pozicion të rëndësishëm tranzit çka është një avantazh që dhe ne si shqiptarë duhet ta shfrytëzojmë në dobi të vendit tonë. Evropa Juglindore i ka të gjitha mundësitë që të përfitojë nga këto zhvillime në këtë drejtim.

Edhe njëherë, unë dua ti uroj suksese kësaj tavoline dhe dua të inkurajoj të gjithë përfaqësuesit këtu që të shprehin idetë e tyre, të bashkëpunojnë, madje të krijojnë një rrjet komunikimi në mënyrë që herë pas here kjo çështje të ndiqet dhe sidomos fillimet e punës me gaz masterplanin të diskutohen herë pas here në tavolina të ndryshme. Duhet që të marrim feedback-un e vazhdueshëm nga të gjithë pjesëmarrësit e përfshirë, të gjithë të interesuarit në mënyrë që në Shqipëri të dalë një produkt i mirë fizibël, i mundshëm dhe që realisht do të atraktojë investime në këtë drejtim.

Ne si qeveri e mbështesim shumë këtë proces. Dua ta falënderoj më këtë rast edhe njëherë përfaqësuesit e kompanisë SOCAR, përfaqësuesit e TAP-it, përfaqësuesit e delegacionit Evropian për mbështetjen që i kanë dhënë qeverisë shqiptare dhe gjithashtu edhe për kuptimin e rëndësisë se sa i nevojshëm është difersifikimi i burimeve në vendin tonë dhe sa e nevojshme është ndihma juaj që ky projekt të bëhet realitet.

Nga ana e Ministrisë së Energjisë nuk do të mungojë asnjë gjë, për të vënë në dispozicion gjithçka, ekspertizën tonë, ashtu siç edhe nga Enti Rregullator i Energjisë, megjithëse është një institucion i pavarur, por shumë i interesuar për këto zhvillime. Në fund të fundit është edhe pjesë e stabilitetit nga pikëpamja energjetike e Shqipërisë.

Edhe njëherë ju uroj sukses!

energjia.al  17.02.2015