Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vendim i ri, si do kompesohen faturat e energjisë

Në bazë të një Udhëzimi, të miratuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, ministri i Financave dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka hyrë në fuqi kompensimi i energjisë elektrike për kategori të caktuara qytetarësh, që do të mbrohen nga shtetim pas ndryshimit të sistemit, nga ai me dy tarifa, në një tarifë të vetme.

Fatura e energjisë elektrike për përfituesit e këtij kompensimi do të jetë e njëjtë me faturën e konsumatorëve që nuk e përfitojnë këtë kompensim dhe vlera e saj do të shprehet me çmimin e ri të energjisë elektrike.Kompensimi për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 KWh bëhet vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe vetëm për një prej kategorive përfituese.

Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, administratori i njësisë së qeverisjes vendore harton listën emërore të personave që përfitojnë këtë kompensim. Për përfitimin e këtij kompensimi, aplikuesi së bashku me deklaratën, duhet të paraqesë pranë administratorit shoqëror: fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; certifikatën familjare dhe fotokopje të librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Ndërkohë, familjet, që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar së bashku me deklaratën, duhet të paraqesin edhe vërtetim për anëtarët madhorë të familjes nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë. Kurse të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët së bashku me deklaratën duhet të paraqesin pranë administratorit shoqëror fotokopje të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose fotokopjen e vendimit të KMCAP-it/KMPV (kempi).

Përfitojnë edhe kryefamiljarë që marrin pension invaliditeti dhe pension pleqërie. Lista emërore e tyre përcaktohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe strukturat rajonale në varësi të tij. Së bashku me deklaratën, kryefamiljari pensionist/invalid duhet të paraqesë pranë agjencive lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit fotokopje të nënshkruar të kartës së identitetit; certifikatën familjare për invalidët; për anëtarët madhorë të familjes vërtetimin nga Zyra e Punës që janë punëkërkues të papunë. Po keshtu, është e detyrueshme fotokopje e librezës së energjisë elektrike që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara.

Kryefamiljarët që janë punonjës buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, gjithashtu janë përfitues. Përcaktimi i përfituesve do të bëhet nga institucionet përkatëse buxhetore ku përfituesit marrin pagën bruto nën 35 mijë lekë.

Shqiptarja.com  16.02.2015