Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëri-Maqedoni, bashkëpunim në energjitikë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti në takim një delegacion nga Republika e Maqedonisë, kryesuar nga Ministri i Ekonomisë Z. Bekim Neziri.

Midis temave për diskutim midis dy ministrave theks i veçantë iu kushtua projektit 400 kV largpërçues interkonektiv Manastir – Elbasan, projektit të Radikës dhe Memorandumi për bashkëpunim në sektorin energjetik.

Konferenca për shtyp e ministrave Gjiknuri dhe Neziri:

.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri

Mirëdita të gjithëve!

Kam kënaqësinë të kem këtu Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, që mbulon edhe çështjet e energjisë. Patëm një takim tepër të frytshëm, në frymën e bashkëpunimit të mirë që kemi mes dy vendeve tona, në shumë fusha me sferë ekonomike. Kryesisht, diskutimet tona u përqendruan në zhvillimet energjetike. Së pari, në projektin e përbashkët që kemi me Maqedoninë dhe që duam ta bëjmë realitet në vitet në vijim. Është lidhja e dy vendeve tona me interkonektorë, pra me linjën e tensionit të lartë 400 kilovolt, e cila do të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë, gjë që do ti shërbejë shumë më mirë tregtisë së energjisë së dy vendeve tona. E kemi thënë, sa më shumë lidhje të ketë Shqipëria me vendet fqinje nga pikëpamja energjetike, aq më të sigurta do të jenë furnizimet, aq më të qëndrueshme do të jenë çmimet, dhe aq më mundësi do të ketë për investimet në fushën energjetike. Gjithashtu, diskutuam në lidhje me krijimin e një grupi pune për shkëmbimin e informacionit në lidhje me menaxhimin e ujërave në pjesën maqedonase dhe në pjesën shqiptare. Pra, do të ketë rëndësi sidomos për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, marrja e informacionit në kohë në lidhje me derdhjet e ujërave, me nivelet e ujërave me Maqedoninë, në mënyrë që të evitojmë çdo lloj të papriture dhe të maksimizojmë prodhimin energjetik kur e lind nevoja.

Patjetër, diskutuam edhe çështjet që kanë qenë të nxehta në Shqipëri, siç ka qenë çështja e lumit Radika. Qëndrimi jonë ka qenë dhe u konfirmua edhe në këtë takim, që ky është akoma një projekt ide dhe çdo gjë duhet të bëhet konform rregullave ndërkombëtare,  në përputhje me pëlqimin që duhet të japë edhe Republika e Shqipërisë. Nuk ka asgjë të re në këtë drejtim, përveç asaj çka kemi thënë, çka kanë thënë edhe ministrat e mëparshëm, dhe çka ka deklaruar qeveria shqiptare. Gjithçka do të respektojë parimet ndërkombëtare, të drejtat për përdorimin e ujërave dhe të shmanget çdo lloj spekulimi politik për gjëra që akoma janë në fazë ideje.

Nga ana tjetër, diskutuam edhe për zhvillimet në fushën e gazit. Maqedonia ka disa vite që ka filluar një proces gazifikimi të saj ndërsa Shqipëria është në hapat e pare. Kuptohet, në këtë rast gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline, pra TAP-i është një mundësi e mirë për Shqipërinë, por edhe për vet Maqedoninë dhe për gjithë Evropën Juglindore. Hapat që ka zhvilluar Maqedonia, megjithëse janë hapa të parë në një treg jo shumë të zhvilluar, na interesojnë për të parë eksperiencën e tyre, se si mund të harmonizohen edhe interesat e palës shqiptare në zhvillimin e një tregu të brendshëm të gazit. Shqipëria ka marrë një financim për këtë çështje, është në fazën paraprake, por menduam që shkëmbimi i eksperiencave në këtë drejtim do të na ndihmojë. Të dyja vendet, janë vende të vogla nga pikëpamja energjetik dhe vetëm një harmonizim më i mirë i të gjithë tregjeve të energjisë, qoftë i energjisë elektrike, qoftë edhe më vonë me gazin, do të bëjë që vendet tona të jenë tërheqëse dhe të ketë një zhvillim më të qëndrueshëm nga pikëpamja e potencialeve, për investime, por edhe të forcimit të tregut energjetik, në gaz, qoftë edhe energji elektrike. Pra, dua të them se kemi një bashkëpunim intensiv dhe jemi të vendosur që këtë bashkëpunim ta zhvillojmë edhe më tej, me vizita të grupeve teknike, apo edhe vizita të nivelit politik ministror për të thelluar bashkëpunimin me të dyja vendeve.

Faleminderit!

Fjala e Ministrit të Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, z.Bekim Neziri

Kam kënaqësi që sot jam mysafir i homologut tim në sferën e energjetikës. Sot biseduam për vazhdimin e bashkëpunimit në sferën e energjetikës mes dy vendeve, të Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë. Biseduam për projekte të cilat i kemi të përbashkëta si dy shtete dhe për projekte të cilat i mbulojmë si dy ministri. Disa grupe në aspektin teknik për realizimin e projekteve dhe për ndjekjen e projekteve të cilat janë në realizim. Biseduam për projektin e lidhjes 400 kilovolt Manastir-Elbasan, edhe në Republikën e Shqipërisë, por edhe në Republikën e Maqedonisë, gjithçka zhvillohet konform planeve të cilat i kemi paraparë. Besoj se në pjesën maqedonase, diku në vitin 2016 ky projekt do të përmbyllet. Biseduam edhe për projekt idenë e lumit Radika. Unë e binda kolegun tim se ne si shtet do ti respektojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe ky projekt nuk do të realizohet asnjëherë pa pasur konsensus mes dy vendeve, mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Kjo projekt ide mund të realizohet vetëm nëse ka pëlqim nga të dy vendet.

Gjithashtu në republikën e Maqedonisë ekziston një masterplan për gazifikimin e Republikës së Maqedonisë. Kemi ndarë në tre rajone. Faza e parë dhe faza e dytë është në përfundim të realizimit, tashmë i kemi shpallur ankandet. Biseduam me Ministrin që të formojmë një grup të përzier nga të dy vendet që të bëjmë këmbimin e ideve për realizimin e projekteve. Besoj që për një afat të shkurtër ne do të jemi konkret dhe kemi vizionin për gazifikimin e dy vendeve të realizueshëm.

Kërkova nga Ministri që produkte të cilat prodhohen në kompaninë ARMO, të jenë sa më tepër dhe ti kemi në Republikën e Maqedonisë. Kjo është kërkesë e imja personale si Ministër i Ekonomisë dhe hasa në mirëkuptim nga ana e kolegut tim, edhe pse e dimë që kompania ARMO është kompani private, e cila funksionon dhe punon në Republikën e Shqipërisë. Mirëpo, hyrja me produktet e tyre në Republikën e Maqedonisë do jetë pozitive në aspekt të liberalizimit ose të tregtisë me hidrokarburante dhe do ketë efekt pozitiv në këmbimin tregtar mes dy vendeve, këmbim i cili për fat të keq vitet e fundit ka rënie.

Besoj që bashkëpunimi i deritanishëm do të vazhdojë edhe më tutje. Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do të vazhdojnë edhe më tutje dhe besoj do të kemi edhe rezultate më të mira në të ardhmen.

Faleminderit!