Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komani, Zeqo: Linja mund të spostohet

Mbas një muaji debati e ecejakesh, deklaratash, intervistash dhe reagimi të komunitetit shkencor e jo më pak të shoqërisë civile, mbledhur nën strehën e “Forumit për mbrojtjen e trashëgimisë” duket se shpëtimi i Komanit nuk është i largët.
Gjithçka nisi me mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë më datë 12 dhjetor, ku projektit të Ministrisë së Energjetikës për kalimin e linjës së tensionit të lartë mbi Koman iu hap udhë nga Ministria e Kulturës. Veçse kjo linjë u pa që në krye të herës nga specialistët si shkatërrimtare e sitit mesjetar.
Çështja është bërë publike nga “Gazeta Shqiptare” më 30 dhjetor 2014 përmes një interviste me Etleva Nallbanin, bashkëdrejtuese e misionit arkeologjik të Komanit, ndërsa përgjatë muajit janar “GSH” ka bërë pjesë të debatit, që nga zyrtarë të Ministrisë së Kulturës si Xhuli Harasani, arkeologë si Iris Pojani, Elio Hobdari, Skënder Muçaj, Luan Përzhita, ish-drejtues të KESH-it si Gjergj Bojaxhi e Andis Harasani, studiues si Pëllumb Xhufi, arkeologun e antropologun francez Luch Buchet, ish-zyrtarë ministrie si Arbër Kadia, etj. Më 22 janar, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, pjesë e të cilit janë emra të njohur të shoqërisë civile (Gjergj Bojaxhi, Anila Basha, Arben Biçoku,etj.) doli me një konferencë për mediat, ku rëndësia e çështjes u bë më e dukshme.
Sërish, Ministria e Kulturës vijoi me qëndrimin e saj: zbatuam ligjin (ligji e lejon kalimin ashtu si lejonte ndërtimin në lagjen romake të Durrësit); spostimi i linjës ka kosto dhe Komani nuk dëmtohet!
Por, mbas gjithë kësaj armate emrash, shtetit iu desh të zgjohej, por shteti përmes zyrave të M.Energjetikës jo atyre të M.Kulturës.
Engjëll Zeqo, drejtor i OST-së, ka deklaruar dje për “News 24″ se Komani nuk do rrezikohet dhe se po shihet mundësia e spostimit të linjës së interkonjeksionit nga siti arkeologjik.
Ndërkaq, Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë ka sqaruar për “GSH” me detaje një mbledhje të Institutit të Arkeologjisë dhe një takim me OST-në, mbajtur javën e kaluar si dhe ç’pritet nga vizita e sotme.
“Në mbledhjen e Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë, ku bëjnë pjesë drejtorët e departamenteve dhe profesorët e këtij institucioni, ku ishte e pranishme edhe drejtoresha e ASHA-s, u diskutua gjerë e gjatë lidhur me projektin e kalimit të linjës së interkonjeksionit nëpërmjet Komanit. Vlerat e Komanit njihen, e nëse deri tani i njihnin vetëm specialistët, tani falë medias i njeh edhe publiku i gjerë dhe të interesuarit për trashëgiminë e arkeologjinë”, – tha ai.
Përzhita konfirmoi se “pas shumë debatesh, çka sipas tij është proces normal ne i kemi propozuar grupeve të interesit si OST-së dhe institucioneve të tjera të shikojnë mundësinë e ruajtjes së këtij siti të unifikuar. Kjo vjen si rezultat i një komunikimi me këto institucione, që ta ruajmë Komanin si dëshirojmë ne”.
Përzhita bëri me dije se konkluzioni i Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë i është bërë me dije edhe OST-së në një takim të javës së kaluar. “Kemi pasur një takim me ata që kanë bërë projektin dhe kemi rënë dakord që të bëjmë një konsultë në terren dhe të shikojmë gjithë opsionet e mundshme dhe të gjejmë një bonsens lidhur me këtë çështje shqetësuese. Të mos harrojmë se ligji thotë se në zonë B lejohen ndërtimet, e ky është një vendim i marrë tashmë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i cili do të ketë impaktin e vet lidhur me zbatimin e kësaj linje interkonjeksioni”, – sqaroi Përzhita.
Pyetjes a është tërhequr OST-ja, ai i është përgjigjur: “Ne kemi gjetur një bonsens bashkëpunimi me OST. Do ta shikojmë të gjithë planin e bërë në Koman. Unë do jem aty, bashkë me specialistë të tjerë të fushës”.
E pas gjithë kësaj, pyetja është: A do të tërhiqet vallë Ministria e Kulturës (e cila ishte shumë e shqetësuar për koston e spostimit të linjës)?
E pyetur dje për një qëndrim në lidhje me çështjen, pas zhvillimeve të reja, zyra e shtypit pranë kësaj ministrie tha se grupi i punës që shkon në Koman përbëhet nga Ministria e Kulturës, Instituti i Arkeologjisë, Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik dhe OST dhe se nuk mund të flitet para se të shkojnë ata në terren.
Duket, se ministria që duhet të mbrojë trashëgiminë kulturore po fillon ta kuptojë se rolin e saj duhet ta luajë ajo dhe jo shoqëria civile, e as OST-ja me Ministrinë e Energjetikës.

Gazeta Shqiptare,  04.02.2015