Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Riciklimi, fillon mbyllja e fabrikave

Një vit aspak të lehtë pritet të ketë industria e riciklimit. Vetëm çmimi i ri i energjisë rrit 20% koston e prodhimit. Kompanitë kanë probleme me importin, ndërsa menaxhimi i mbetjeve në vend është një mundësi e largët, falë edhe reformës administrative.

Sipërmarrësit e industrisë së riciklimit në fillim të këtij viti nuk shohin asgjë të ndryshuar në favor të aktivitetit të tyre. Të goditur prej rreth dy vjetësh nga ndalimi i importit të lëndëve të para për industrinë, kushtet e tyre duken më të rënduara, nga rritja e çmimit të energjisë dhe rritja e disa taksave shtesë këtë fillimviti. Prodhimi i ambalazhit në vend është përkeqësuar me kufizimin e lëndës së parë dhe rritja e çmimit të energjisë shton pamundësinë për të dalë në eksport. Për prodhuesit e ambalazheve, energjia është bazë për prodhimin, pasi nevojitet në të gjitha proceset e punës. Ata që sigurojnë prodhime përfundimtare pohojnë se vetëm çmimi i ri i energjisë ka rritur koston e prodhimeve me 20% krahasuar me një vit më parë. Ata ankohen edhe për trajtimin me çmim më të shtrenjtë se tarifa mesatare, pasi nuk arrijnë të përfitojnë nga fashat e ulëta. Në tarifat e energjisë, Enti Rregullator i Energjisë ka parashikuar çmimin pik, që korrespondon me çmimin e konsumit ditor, por nuk ka një çmim minimal që mund të vendoset natën e të shfrytëzohet nga industritë.

Vullnet Haka, administratori i fabrikës “Everest IE”, pohon se pritshmëritë e tij nuk janë optimiste për këtë vit. Ai thotë se kompania nuk ka në plan të investojë, pasi edhe kapaciteti aktual i fabrikës po shfrytëzohet më pak se më parë. Kjo ndodh pasi disa procese zhvillohen jashtë, te kompanitë ku blejnë lëndën e parë, tashmë pjesërisht të përpunuar (për të mundësuar importin e saj).

Kushtet e vështira kanë ndikuar që, kompanitë që kanë investuar miliona dollarë, të mbyllin dyert e aktivitetit, e tillë është edhe “Etna Polimer” në Devoll, ku janë investuar 3 milionë euro dhe ishin të punësuar 100 persona.

Por, për një industri që kishte planifikuar të zgjerohej, dhe ka bërë investimet paraprake për këtë, edhe qëndrimi në vendnumëro (për nga numri i të punësuarve, apo niveli i prodhimit) përkthehet në një aktivitet të pakënaqshëm ekonomik. Këtë vit, për industrinë e riciklimit ka edhe “një surprizë tjetër të hidhur, reforma administrative, do të shtyjë në kohë, të paktën edhe për tre vite të tjera, çështjen e menaxhimit të mbetjeve urbane. Plani i shumëpërfolur i menaxhimit të mbetjeve jo vetëm nuk u realizua, por edhe po të ishte, do të riformulohej nga e para.

Në këto kushte nuk mund të parashikojmë asgjë, vëren Haka.

E vetmja shpresë e tyre është përmirësimi i konkurrencës përmes formalizimit të tregut. Sipas z. Haka, janë bërë hapa pozitivë në formalizimin e tregut, por kjo duhet të vazhdojë që të shtrihet në të gjithë kapilarët e ekonomisë.

Paketë mbështetëse edhe për riciklimin

Shqetësimet e vazhdueshme të përfaqësuesve të kësaj industrie, bënë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik të hapë mundësinë e një pakete mbështetëse edhe për këtë sektor. Kujtojmë se një vit më parë, paketa lehtësuese u prezantua për industrinë fason, më vonë edhe sektori i bujqësisë pati paketën e tij. Këtë e thekson edhe vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila vëren se pak ditë më parë, ministri Arben Ahmetaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të industrisë kimike dhe plastike. “Nën shembullin e paketës për industrinë e regjimit të përpunimit aktiv, paketës për bujqësinë dhe agro-industrinë, paketës për turizmin që është duke u diskutuar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik po ndërmerr nismën për hartimin e paketës mbështetëse për industrinë kimike dhe plastike. Drejtuesit e ministrisë diskutuan me përfaqësuesit e industrisë draftin paraprak me propozimet për industrinë. Në këto diskutime pritet të përfshihen 15 institucione shtetërore. Ministri Ahmetaj premtoi se, përmes kësaj pakete do të hiqen pengesat aktuale për industrinë plastike e atë të riciklimit. “Besoj se do të kemi një paketë e cila do t’ju lejojë të kërceni në nivelin tjetër”, u shpreh ministri.

Ai e ka quajtur traditë tashmë formatin e paketave, “si ajo që iniciuam pothuajse në këtë kohë vitin e kaluar për manifakturën, kryesisht për fasonët. Objektivi kryesor i kësaj pakete pritet të jetë mundësia e importit të lëndës së parë, pasi prej gati dy vitesh është ndaluar me ligj importi i mbetjeve, lëndë e parë për industrinë.

Një nismë e tillë ka ringjallur shpresat te sipërmarrësi, ndonëse do të duhet kohë për të konkretizuar nismat që do të ndërmerren, e për më tepër të shohim vënien në zbatim të tyre.

2014, riciklimi planifikonte emigrimin

Ndërsa do të konkretizohet paketa mbështetëse, sipërmarrjet pritet të pezullojnë planet që filluan të ngrenë vitin e kaluar për ndonjë zhvendosje drejt vendeve fqinje, kryesisht Maqedoni. Ashtu si pothuajse të gjitha industritë që nuk arrijnë ta realizojnë lëndën e parë në vend, ky është bërë një mision i pamundur edhe për industrinë e riciklimit. Qëndrimi i çdo individi që jeton në Shqipëri, apo që rrit fëmijët këtu duke thënë se, “le të përpunojnë mbetjet tona” duket i drejtë dhe mirëpritet edhe nga industria, por me një vlerësim pak më të thellë duket i pamundur. Të tillë e bën cilësia e dobët e mbetjeve në vend, duke mos u ndarë në burim. Këtë problem, industritë e kanë “korrigjuar” me importet e mbetjeve nga Europa, ku niveli më i lartë i jetesës siguron mbetje të riciklueshme më pak të ndotura se te ne.

Por, tashmë, dhjetëra fabrika që kanë investuar mbi 120 milionë euro janë të detyruara të punojnë me mbetje “Made in Albania”. Por, në fakt, ndalimi i importit të mbetjeve të riciklueshme (lëndë e parë për industrinë), ka ulur shkallën e përpunimit të mbetjeve në vend. Përfaqësuesit e kompanive të riciklimit thonë se kanë tkurrur me disa herë aktivitetin krahasuar me një vit më parë. Ndalimi i importit të lëndës së parë erdhi ndërsa kompanitë po përballeshin me efekte negative të krizës ndërkombëtare financiare. Vitin e kaluar, sipërmarrësit raportuan tkurrje të prodhimit 4 deri në 6 herë brenda vetëm një viti, duke vënë në pikëpyetje mbijetesën e tyre.

Për këtë arsye, disa prej tyre, bënë të ditur se po planifikojnë zhvendosjen e linjave të përpunimit në tregjet fqinje. Negociatat e filluara për ambiente me qira në Kosovë (për prodhimin e tubave) apo Maqedoni (përpunimin e letrës) u pezulluan vitin e kaluar, në pritje të lejimit të mundshëm të importit, pas një deklarate që bëri ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Sazan Pirro, sipërmarrës i fabrikës së prodhimit të tubave “Biap” në Vorë, ka bërë të ditur për “Monitor” se do ta zhvendosë linjën e përpunimit në Kosovë nëse qeveria nuk do të rihapë mundësinë për import të mbetjeve të lëndës së parë. Ai e importonte lëndën e parë nga Gjermania dhe ndalimi i importit me vendim qeverie, ka bërë që prodhimi në fabrikën e tij, të ulet me 6 herë. Sipas tij, “një vit e gjysmë më parë, fabrika punonte me tre turne, ndërsa aktualisht për përpunimin e materialit nevojitet një gjysmë turni”.

Ulje të theksuar të ritmit të punës raportojnë të gjitha kompanitë e riciklimit të pyetura nga “Monitor”, të cilat njëkohësisht kanë zhvilluar planin “B” të mbijetesës, atë të zhvendosjes në vendet fqinje, ku tregtia me jashtë nuk pengohet. Drejtuesi i fabrikës së letrës “Edipach” bën të ditur se po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së linjës, ndonëse kostoja e kësaj zhvendosjeje do të jetë e lartë. E nuk flitet vetëm për tregje ballkanike. Fabrika që furnizon një pjesë të mirë të tregut të brendshëm me ambalazh plastik ka hyrë në bisedime me kompani italiane për të zhvendosur një pjesë të linjës përtej detit. Administratori i kompanisë “Everest I.E”, ka bërë të ditur disa muaj më parë, se “po mbajnë frymën në pritje të një vendimi pozitiv nga qeveria, përndryshe do të zhvendosim një pjesë të linjës (që bën procesin e parë të përpunimit) në Itali”.

Pas pezullimit të planit tyre në muajt e fundit të vitit të kaluar, një tjetër “qëndrim në ajër” pritet të mbajnë kompanitë edhe për disa muaj, deri në vlerësimin e efekteve të paketës mbështetëse.

Revista Monitor,  02.02.2015