Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, fitimi që tregtarët e mbajnë për vete

Rënia drastike e çmimit të naftës në bursat botërore dhe përcjellja e paktë e tij në tregun e brendshëm shqiptar ka hapur debatin e fortë se, cilat janë arsyet që konsumatorët shqiptarë nuk po përfitojnë si fqinjët e tyre?

Ky është një debat që ka përfshirë jo vetëm politikën, por edhe mbarë opinionin publik, mbi atë nëse janë taksat e larta arsyeja që çmimi nuk bie apo kontrolli i tregut nga monopolet. Por çfarë tregojnë të dhënat?

Top Channel sjell një krahasim të kryqëzuar të shifrave zyrtare nga Drejtoria e Doganave dhe Instituti i Statistikave. Përkatësisht, koston me të cilin nafta del nga dera e doganës pasi janë shlyer të gjitha detyrimet tatimore dhe çmimin me të cilin ajo i është shitur konsumatorëve në treg.

Sipas të dhënave në muajin qershor të vitit të kaluar, kostoja e daljes së naftës nga dogana pas shlyerjes së detyrimeve ka qenë 168.5 lekë për litër.

Për të njëtin muaj sipas INSTAT, çmimi me të cilin tregtarët e kanë shitur naftën në treg ka qenë 183 lekë për litër, duke patur një diferencë prej 14.5 lekë për çdo litër naftë. Diferenca ka qenë e njëtë edhe në korrik, përkatësisht 14.6 lekë për litër. Por pas këtij muaji ajo ka filluar të rritet. Më saktësisht në dhjetor, kur në bursën ndërkombëtare nafta pati rënë ndjeshëm, diferenca mes çmimit të shitjes në treg dhe kostos me të cilën tregtarët e kanë nxjerrë nga dogana naftën, ka qenë gati 10 lekë për litër, saktësisht 9.6 lekë për litër më e lartë se sa ishte në qershor.

E thënë ndryshe, nëse do të kishin mbajtur të njëtin marzh fitimi, ashtu si në qershor, kompanitë e naftës duhet ta kishin ulur çmimin në treg edhe me 9.6 lekë të tjera në dhjetor, përkatësisht nga 166.8 lekë që ka qenë në 157.2.

Por nuk e kanë bërë këtë duke mbajtur fitime më të larta. Sipas shifrave të INSTAT dhe doganave, krahasuar me qershorin, shifra 9.6 lekë është lehtësimi që tregtarët nuk kanë përcjellë në treg.

Revista Monitor, 20.01.2015