Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tahiri: Po fitojmë kundër vjedhjes së energjisë

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në aktivitetin me OSHEE për aksionin kombëtar kundër vjedhjes apo abuzimit me energjinë elektrike:

I nderuar z.Kryeministër

Të nderuar pjesëmarrës,

U bë disa muaj që vijojmë një operacion, mbi të gjitha shtet-formues por edhe edukues, për të ndaluar vjedhjen e energjisë elektrike dhe për të sanksionuar thelbësisht barazinë e qytetarëve para ligjit dhe për të mos lejuar që të jenë të pabarabartë, ata shumë që e paguanin energjinë, edhe për ata që nuk e paguanin energjinë.

Drejtori i Policisë së Shtetit që foli përpara meje i lexoi shifrat kryesore, me këtë rast dua të falënderoj çdo punonjës policie, që është angazhuar në këtë prioritet absolut, të luftës tonë kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit në vjedhjen e energjisë. Por unë besoj se përtej shifrave ka diçka që ka më shumë rëndësi, sepse ka diçka që e kemi fituar, që është më e madhe se dhe vetë shifrat.

Së pari, fituam një betejë me të shkuarën historike që njohim të gjithë. Besoj që e mbani mend që në publik flitej, thuajse gjithmonë, a vidhej a s’vidhej me koncesionin e kompanisë private, a vidhte qeveria nëpërmjet kontratës koncesionare, kush u emërua drejtor, ç’bënte e kështu me radhë! Sot jemi komplet në një tjetër nivel, dhe kjo është një arritje vërtet shumë e madhe, pavarësisht se kalon e neglizhuar.

Sot flasin të gjithë, qytetarë, media, analistë, për punën reale për të zhdukur vjedhjen e energjisë elektrike dhe për asgjë tjetër që nuk ka lidhje me punën. Flas këtu për thashetheme apo për politikë mbi thashethemet.

Sot flasin vetëm për punë dhe punë për të zhdukur vjedhjen e energjisë elektrike dhe për kapacitetin tonë për ta bërë këtë. Madje dhe më kritikët na e njohin këtë meritë, pavarësisht se u ka mbetur të merren vetëm me krehjen e listës së hajdutëve të kapur për vjedhje energjie dhe për të parë a janë të vegjël, a janë të mëdhenj dhe sa të mëdhenj janë!

Por kemi fituar dhe betejën me bindjen e konsoliduar kolektive të deritanishme. Tani as që diskutohet më, në është për t’u paguar energjia elektrike apo jo?! Diskutohet, sa shpejt është për t’u paguar. Sepse deri dje ishte mall pa zot.

Sot është një e mirë publike që garantohet nga shteti dhe që njihet dhe respektohet si e tillë nga të gjithë. Sepse deri dje qeveria i dilte për zot vetëm vetes, sot qeveria i del për zot shtetit, të mirës publike dhe interesit më të lartë të qytetarit dhe ky është një dallim rrënjësor, pavarësisht se kalon duke u neglizhuar.

rimekembja energjitike didi policiaT’ju jap vetëm një shifër: – kur nisëm këtë aksion, ishin mbi 5800 punonjës policie, të cilët ose nuk kishin kontratë me OSHEE-në, ose ishin debitorë të rënduar. Ne sigurisht nuk mund ta linim vendin pa punonjës policie, ndaj vendosëm që të zbatonim të njëjtin standard si për qytetarët e tjerë, duke i detyruar në kohë rekord të shlyenin detyrimet me OSHEE-në dhe të ktheheshin kështu në qytetarë të mirë, sot që flasim janë zero!

Dhe kjo nuk është meritë e ndokujt individualisht. Eshtë meritë e frymës që sot kanë kuptuar që të gjithë. Dje vidhte qeveria dhe lejonte të vidhej gjithashtu. E s’kishte si mos të ndodhte ndryshe që as punonjës të CEZ-it, sot OSHEE të ktheheshin në banda hajdutësh kronikë, që vidhnin dhe ndihmonin të vidhej energjia elektrike, dhe punonjës policie po ashtu. Tani, boll, nuk ka më! Nuk mund të ketë as punonjës policie dhe punonjës të OSHEE-së, që mund të pretendojnë t’i shërbejnë qytetarit, pa qenë qytetarë të rregullt vetë në radhë të parë.

Dhe kjo vlen për të gjithë administratën shtetërore, sepse kemi fituar një gjë shumë më të madhe sesa çdo individ i përcaktuar. Kemi fituar përulësinë e punonjësit publik, me uniformë ose jo, dhe zbatimin e ligjit nga ata që deri dje quheshin të paprekshëm në fodullëkun e pushtetit dhe të postit në administratë, nga policët që shpesh pse ishin të tillë, zaptonin toka, ndërtonin vila, nuk paguanin as energjinë elektrike deri tek çdo nëpunës tjetër që paguhet nga taksat e qytetarëve, për të qenë më së pari qytetar dhe nënpunës i rregullt dhe pastaj për të pasur të drejtën që të kërkojë që edhe te tjerët ta respektojnë atë.

Këto janë ndryshime shumë të mëdha, radikale, që edhe më kritikët i njohin pavarësisht ç’jua do detyra që të thonë në publik, por duhet sigurisht edhe më shumë se kaq.

Kryeministri edhe qeveria kthyen timonin duke vendosur këtë standarde për të kthyer faqen e historisë në vend dhe për ta bërë Shqipërinë realisht shtet Europian.

Vetëdija publike, edukata e mbi të gjitha sistemi që të mos lejojë më hajdutë të energjisë elektrike, kërkojnë ende shumë punë nga të gjithë ne, por edhe reforma.

policiaKështu që na duhet të vazhdojmë ende të mbikëqyri imtësisht çdo metër katror të territorit, edhe atje ku kemi kontrolluar dy, tre, katër apo pesë herë, na duhet përsëri të vazhdojmë. Gjatë kësaj kohe janë arrestuar jo pak. Në flagrancë janë 744 persona, 583 prej tyre janë pronar biznesesh, të tjerët janë me godina mbi 150 metër katrorë, ndërkohë që janë mbi 60 punonjësit e OSSHE, drejtues, punonjës, faturist, e kështu me radhë.

Këta janë partia e të arrestuarve, që me demek në publik thuheshin të varfrit që vidhnin energjinë elektrike dhe që ju qahej halli nga vajtoret politike, por përtej numrave të prerjes së lidhjeve të paligjshme, të kontrolleve, të arrestimeve ka shumë më shumë punë për të bërë, për ta kthyer energjinë në mallin e vyer që duhet të ruhet nga të gjithë ne.

Ndaj ne jemi shumë të vendosur të vazhdojmë për të bërë më shumë se kaq sa kemi bërë në këto dy muaj e pak ditë. Kush ka ende hallin se mos Policia po merret me punë që nuk i takojnë, le të flerë i qetë, Policia do të merret me të gjitha punët që i takojnë, e ku ka vjedhje sigurisht që i takon në radhë të parë.

Faleminderit,

energjia.al 14.01.2015