Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rënia e eksporteve nga kromi

Tremujori i tretë i këtij viti nuk ishte shumë pozitiv për eksportet shqiptare. Në tre muaj, vlera totale ishte 62.8 miliardë lekë, në rënie me rreth një miliardë lekë ose 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia ka prekur sektorë mjaft të rëndësishëm në strukturën e eksporteve, si mineralet apo bimët medicinale. Sipas shifrave që raporton Instat, eksportet e kromit në këtë tremujor kanë pësuar një rënie drastike. Gjithsej u eksportuan 128 mijë tonë krom, rreth 43% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në vlerë eksportet e kromit në tremujorin e tretë ishin 1.9 miliardë lekë, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin afro 2.9 miliardë.

Në total, produktet minerale gjatë tremujorit të tretë siguruan rreth 20 miliardë lekë eksporte, në rënie të ndjeshme vjetore prej 24%. Një faktor i rëndësishëm besohet se ka qënë ulja e çmimeve të naftës në bursat botërore, që ka goditur të ardhurat nga eksporti i naftës bruto. E njëjta gjë mund të thuhet për një grup tradicionalisht të rëndësishëm të eksporteve shqiptare, atë të bimëve medicinale dhe aromatike.

Eksporti i tyre në tremujorin e tretë të vitit 2014 ra në rreth 2,400 tonë, 24% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë, bimët medicinale dhe aromatike i sollën bilancit tregtar 846 milionë lekë, nga më shumë një miliardë lekë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. I vetmi sektor që këtë vit po shfaq ecuri bindëse pozitive në eksporte është ai i fasoneve.

Për tremujorin e tretë, nëgrupi i veshjeve eksportoi 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa nëngrupi i këpucëve gati 32% më shumë. Në tërësi, ky vit pritet të jetë më pak i mbarë për eksportet shqiptare dhe shpresat për një rritje më të lartë të ekonomisë janë të gjitha te përmirësimi i kërkesës së brendshme.

Scan TV, 27.12.2014