Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Transparencë dhe nxitje të investimeve

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në Konferencën Kombëtare Antikorrupsion:

Të nderuar pjesëmarrës,

Faleminderit për mundësinë që më jepni për të trajtuar çështjet që mbulon Ministria që unë drejtoj. Trajtimi e menaxhimi i sektorëve strategjikë dhe i burimeve natyrore është testi i vërtetë se si një qeveri është në të mirën e popullit, është e ndershme dhe mendon për interesat e qytetarëve. Në fakt, ky ka qenë testi i vështirë që ne morëm, kur gjetëm një sektor strategjik energjetik të zhytur në kolaps dhe në korrupsion, ashtu si dhe një sektor të burimeve natyrore totalisht jashtë kontrollit, çka shërbente si terren për krimin ordiner apo të organizuar. Çfarë bëmë ne?! Vumë nën kontroll këta sektorë, realizuam një mirë administrim të sektorit energjetik, rishikim të koncesioneve, të cilat një pjesë ishin bërë pengesë për zhvillimin e sektorit në mënyrë të ndershme për investitorët seriozë. Gjithashtu bëmë transparencë për të gjithë sektorët strategjikë.

Përsa u përket koncesioneve bëmë një rishikim të atyre që duhet të rishikoheshin. Shpeshherë, jemi akuzuar sikur kemi pasur qëllim të rrënojmë biznesin privat. Përkundrazi! Kemi mbajtur pjesën e premtimit për të vendosur rregullin. Koncesionet të cilat duhet të zbatohen, të zbatohen me përpikmëri. Ata që kanë marrë letra për ti tregtuar nuk kanë pse ti mbajnë më. Prandaj, kemi anuluar 40 të tilla dhe do të vazhdojmë. Kushdo që mban letra kot, të mos ti mbajë më. Do ti krijojmë mundësinë investitorëve seriozë që të vazhdojnë të investojnë në këtë vend. Ashtu siç ndodhi edhe me lejet minerare, u hoqën 200 leje pikërisht për degradim të standardeve dhe mospagesa të interesave që i takojnë shtetit. Kemi vazhduar garat në mënyrë transparente dhe përmes ligjit minerar kemi mundësuar rritjen e transparencës në këto procese duke mos neglizhuar në asnjë moment interesin në mbrojtje të mjedisit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, përsa i përket koncesioneve dhe proceseve që kanë të bëjnë me investimet në sektorin energjetik, do të vazhdojmë të liberalizojmë këtë proces duke miratuar edhe ligjin e ri të energjisë elektrike. Ky ligj shumë shpejt do të kalojë në qeveri e më pas në Parlament dhe do të lehtësojë shumë procedurat për gjenerimet e reja. Ne nuk premtojmë pagesa false apo kontrata të cilat nuk janë të bazuara në qëndrueshmëri ekonomike. Shpeshherë ka debat edhe për këto. Dua të them një gjë; kontratat dhe investimet të cilat nuk kanë qëndrueshmëri ekonomike, janë e keqja e vetes. Ajo çka ne premtojmë është një treg më likuid, më i hapur, që do të krijojë siguri afatgjatë për të gjitha investimet. Pikërisht këtë synojmë edhe me legjislacionin që po bëjmë.

Përsa i përket sektorit elektroenergjetik, vërtet kolapsi është i ditur, fatura është e madhe, borxhet janë të mëdha, patjetër në këtë mjedis kanë gjallëruar lloj-lloj praktikash korruptive. Nuk është rastësi që energjia rrinte në kuota 150 milion euro humbje në vit. Pikërisht, për faktin se ka korrupsion, ka korrupsion brenda sektorit energjetik, brenda kompanive, në bashkëpunim edhe me pushtetarë të caktuar. Operacioni i fundit, nuk është një aksion i rastit, por do të jetë një sjellje e vazhdueshme e shtetit me çdo lloj abuzuesi në sektorin e energjisë elektrike. Ka dhënë në fakt rezultatet e para, vetëm në vitin e parë kemi reduktuar humbjet me 7%, që në vlerë monetare do të thotë 44 milion dollarë dhe kjo pa investime.

Po ashtu, kemi rritur arkëtimet me 60 milion dollarë, pa marrë parasysh këtu gjithçka që po vjen, siç e përmendi edhe Ministri i Rendit, nga intensiteti i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes. Numri i njerëzve të proceduar penalisht ka arritur mbi 700, prej të cilëve 53 janë punonjës të Operatorit të Shpërndarjes. Ne nuk do të heqim dorë, por do të vazhdojmë në këtë drejtim. Gjithashtu, ekzistenca e fashave krijoi hapësirën më të madhe për abuzim dhe një pjesë e këtyre vjedhjeve janë fshehja mes atyre strukturave të ndryshme të tarifimit, duke e bërë sistemin energjetik vazhdimisht pre të abuzimit, nga lexuesi poshtë deri tek menaxheri sipër. Kjo reformë tarifore do të jetë një mbyllje e dritares së abuzimit me energjinë elektrike. Ne jemi të vendosur, sepse në fund të fundit na duhet sigurimi i energjisë në plan afatgjatë dhe qytetarët shqiptarë të marrin cilësinë e shërbimit që duan. Por, kjo vjen me një administrim të mirë dhe me investime afatgjata, që mbyllin zinxhirin e abuzimeve nga poshtë deri në nivelet e drejtimit.

Dua të flas diçka edhe për sektorin hidrokarbur, një sektor i cili ka premisa të mëdha, pavarësisht se ditët e fundit, tregu i naftës ka pësuar goditjen e tij në tregun ndërkombëtar. Shqipëria ka potenciale dhe ky është fakt tanimë i pranuar nga të gjithë. Nga miradministrimi, kemi bërë për herë të parë të mundur që në Shqipëri Albpetroli të kontribuojë me 35 milion dollarë në Buxhetin e Shtetit. Një shumë e përfituar pikërisht nga mirëmenaxhimi i kontratave të hidrokarbureve. Jemi të vendosur të heqim edhe licencat në kërkim të cilat nuk kanë zbatuar kushtet që kanë marrë përsipër, për ti dhënë mundësi të gjithë investitorëve seriozë në fushën e naftës dhe të gazit, që të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë. Ky do të jetë premtimi që do ta mbajmë. Ashtu si dhe për çdo burim natyror në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe ato minerale, ne kemi standard praktik, garë, transparencë, kushdo është i mirëpritur, asnjë pengesë burokratike.

Së fundi, besoj deri në pranverën e ardhshme do të vihet në funksionim regjistri elektronik i koncesioneve. Kushdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, çdo aplikues, ka të gjithë mundësinë të monitorojë hap pas hapi, ku janë koncesionet, si po zbatohen ato. Shpeshherë, korrupsioni nuk ndodh vetëm me faktin se si i siguron këto burime, por edhe fakti se si zbatohen këto kontrata. Në shumë raste, mbyllja e syve nga ana e administratës shtetërore për moszbatimin e kontratave është pikërisht një dritare e vazhdueshme e korrupsionit në Shqipëri.

Ne e dimë që në Shqipëri fenomeni korruptiv është i përhapur, metastaza shumë e përhapur është një problem sistemik dhe kulturor. Reformat e thella prekin shumë njerëz, të cilët në një farë mënyre janë mësuar me këtë mjedis por dua të them se shumica e njerëzve e kuptojnë dhe shumë shpejt do ta kuptojnë më shumë, që këto reforma të thella, megjithëse mund të prekin disa njerëz, në terma afatgjatë janë për një jetë më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo është garancia e vetme që Shqipëria të ketë zhvillim ekonomik dhe investime të qëndrueshme.

Ju faleminderit,

energjia.al 10.12.2014