Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tahiri: Denonconi paligjshmërinë me energjinë

Nga inagurimi i Zyrës së Shërbimit Unik për qytetarët në Komisariatin e Policisë nr.4 në Tiranë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me policinë e shtetit duke denoncuar lidhjet e paligjshme të energjisë apo ndërtimet pa leje.

“Do ta shfrytëzoja edhe këtë hapësirë për t’i ftuar qytetarët t’i konsiderojnë këto zyra shërbimi si hapësira e shërbimit të policisë për interesat e ligjshme të qytetarëve siç do ta shfrytëzoja këtë hapësirë për t’i garantuar qytetarët se ne jemi shumë të gatshëm, madje jemi në dispozicion të qytetarëve që të gjithë bashkë të bëjmë ç’është e mundur nëpërmjet informacionit që japin qytetarët për lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike, për ndërtimet pa leje, për paligjshmërinë në tërësi, për zyrtarët e korruptuar që shërbimin e këmbejnë me para, në mënyrë të paligjshme, për t’ju gjendur qytetarëve aty dhe për të bërë detyrën, t’i çojmë përpara drejtësisë dhe para ligjit, të gjithë ata që shpërdorojnë detyrën, shpërdorojnë misionin e Policisë së Shtetit, duke e kthyer besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Shtetit, në një marrëdhënie të cenuar.Ne këtë nuk do e lejojmë, prandaj këto zyra janë pararoja e marrëdhënies dhe urave të komunikimit që ka Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme me qytetarët”.

Ministri Tahiri theksoi se ambientet e reja janë pjesë e një mendësie të re në policinë shqiptare, jo duke e parë atë si një mjet represiv por si mikun dhe aleatin e qytetarëve.

“Siç e shikoni ne vazhdojmë me përurimin e hapësirave të reja të shërbimit në Policinë e Shtetit për qytetarët, duke synuar ndryshimin e mendësisë, filozofisë, që deri dje ka shoqëruar marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Shtetit.

Sot, Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, punonjësit e Policisë së Shtetit punojnë me mendësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, sepse ne besojmë që kjo marrëdhënie, sa më shumë të konsolidohet, aq më e lehtë është për ne lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe paligjshmërisë në tërësi”.

Ora News, 08.12.2014