Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shqipëria publikon raportin EITI 2012

EITI Shqiptar, si pjesë e nismës globale për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse dhe në emër të Qeverisë Shqiptare, ka publikuar raportin e 4-të EITI për Shqipërinë në nxjerrjen e naftës, gazit dhe minierave, kontributit të kësaj industrie në buxhetin e shtetit, si dhe shpërndarjen dhe shpenzimin e këtyre të ardhurave me qëllimin përfundimtar të promovimit të transparencës në mënyrë që të parandalohet korrupsioni, dhe rritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët, në mënyrë që ti kërkojnë qeverisë së tyre përdorimin e duhur të të ardhurave fiskale dhe jo fiskale të gjeneruara nga eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore në Shqipëri.

Raporti flet për të dhënat e monitoruara në periudhën 1 janar 2012- 31 dhjetor 2013, është përgatitur nga një Administrator i Pavarur, përfaqësuar për të dytin vit radhazi nga Deloitte Albania. Ky është raporti i dytë për Shqipërinë i lëshuar sipas Standardit të Ri EITI.

“LEXO RAPORTIN E PLOTË EITI 2012”

Fjala e Zëvendësministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Ilir Bejtja në ceremoninë e prezantimit të raportit:

Përshëndetje,

Elementët kryesorë që unë do të doja të vija në dukje, janë marrëdhëniet që ne kemi me komunitetin tonë të industrive nxjerrëse, por gjithashtu edhe me komunitetin ndërkombëtar të industrive nxjerrëse.

Dua të theksoj se ka pasur një neglizhencë totale, të paktën gjatë vitit 2013 për përmbushjen e detyrimeve që ne kemi si vend anëtar EITI-t për raportimin e të gjithë aktivitetit të industrive nxjerrëse, për të bërë një transparencë lidhur me kontributet që kjo industri ka në ekonominë shqiptare, por gjithashtu edhe kontributet që kjo industri jep në nivel lokal atje dhe ku shfrytëzohet lënda e parë ose minerali apo çdo material i cili konsiderohet pjesë e produktit të industrisë nxjerrëse.

Është për tu theksuar që neglizhenca lidhet jo me mundësinë e gjetjes së të dhënave. Ne nuk e kemi pasur të pamundur ti garantojmë këto të dhëna, pavarësisht se kemi bërë një selektim dhe selektimi lidhet me volumet që realizojnë kompanitë. Pra, ato 78 kompani që janë marrë në konsideratë, realizojnë edhe pjesën më të madhe, mbi 80% të volumit të të gjithë industrisë nxjerrëse në vendin tonë. Pjesa që nuk janë marrë në konsideratë, nga të dhënat që ne kemi marrë në dogana, të paktën si volum përfundimtar final, mendojmë se më shumë sesa 90% e kësaj industrie nxjerrëse është e përfaqësuar në raport. Pra, nuk kemi pasur probleme në të dhëna.

Do të thoja që kjo lidhet me nivelin e transparencës së kërkuar nga qeveria shqiptare në raport me industritë nxjerrëse në këto vite, lidhet me nivelin e lartë të informalitetit që ne kemi pasur e që reflektohet pak edhe në koeficientin e punësimit që paraqesin të dhënat. Në realitet, nuk është aq i vogël, pra 0.8% e totalit të punësimit në vend, pasi ka pasur një shkallë shumë të lartë informaliteti. Të gjithë jeni informuar në vazhdim për masat që ne kemi marrë për ta formalizuar këtë industri, industrinë nxjerrëse, sidomos në zonën minerare jo në atë të hidrokarbureve, në mënyrë që ne të jemi sa më të saktë si për volumet që realizon kjo industri, po ashtu edhe për efektet që ajo ka në ekonomi, por edhe në nivelin e jetesës nëpërmjet punësimit.

Do të shikojmë që në vitet që do të pasojnë, raportet do të paraqesin të tjera të dhëna, do ti pasurojmë ato edhe me të dhëna shtesë që lidhen me krahasueshmërinë aktuale të të dhënave të vitit që realizohet me atë që ne kemi aktualisht. Kuptohet nuk do ti devijojmë metodologjisë, pra baza do të jetë të dhënat e vitit që analizohen dhe synimi kryesor është që publiku ta dijë se si shfrytëzohet pasuria e tij natyrore. Është një pasuri e cila pavarësisht se shfrytëzohet nëpërmjet iniciativës private, pothuajse 100% të saj. Në fund të fundit është një e mirë publike.

Do të zgjerojmë edhe volumin e raportimit, duke futur brenda saj dhe elementë të tjerë si peshkimi apo energjia elektrike, të cilat janë gjithashtu pjesë e industrive nxjerrëse, pra të ardhura që garantohet nga shfrytëzimi i burimeve tona natyrore. Do të mund të shohim se sa është kontributi që ne kemi nga burimet tona natyrore në ekonominë shqiptare dhe për të pasur mundësi të prioritizojmë ato degë dhe sektorë të ekonomisë apo të industrive nxjerrëse të cilat kanë të ardhme dhe kanë mundësi të rrisin kontributin e këtyre industrive në të ardhurat kombëtare.

Një element tjetër i rëndësishëm është ndikimi që këto industri sjellin në mjedis atje dhe ku operohet. Jemi të njoftuar tashmë nëpërmjet mediave apo edhe nëpërmjet raportimeve që ne kemi bërë në mënyrë konstante që këto industri, krahas efekteve pozitive që sjellim me punësim apo me rritje të të ardhurave ekonomike, sjellin edhe probleme me mjedisin. Duke filluar nga lëkundjet që vijnë për shkak të shfrytëzimit të naftës, akoma ne nuk e kemi nxjerrë arsyen pse. Vazhdon të mbetet një dilemë, vazhdon të mbetet një problem teknik në matje, për ta ditur nëse këto vijnë për shkak të industrisë. Kemi probleme me ndotjen e mjedisit që shkaktohet për shkak të nxjerrjes së mineraleve apo hidrokarbureve nga nëntoka, rikuperimit të mjedisit. Kemi bërë një ndryshim në ligjin aktual minerar, ku ne nuk presim më vitin e 10-të apo të 15-të kur mbaron koncesioni për shfrytëzimin e mineralit dhe pastaj merren me rikuperimin e mjedisit. Më ndryshimet e fundit ligjore, garancia mjedisore do të jetë e përdorshme në fund të çdo viti për të rikuperuar në mënyrë progresive çdo pjesë e cila është shfrytëzuar nga mjedisi natyror, dëmet që janë shkaktuar për këtë punë. Gjithashtu duam të monitorojmë ose të kemi një mekanizëm më të qartë shpërblimi, të vendeve, të njësive vendore, të cilat preken nga shfrytëzimi i nëntokës.

Në këtë aspekt kemi bërë edhe një ndryshim në ligjin mbi taksat kombëtare, ku nuk është më ajo formula e pamundur për t’ia transferuar të drejtat e tyre nga të ardhurat kombëtare të komunave apo bashkive të cilat preken. Ka qenë një formulë 25% e rentës minerare ju kalonte pushteteve vendore, por ato duhet të realizonin 150% të të ardhurave lokale, domethënë një histori që nuk çonte asgjëkundi lekë, përveçse në arkën e shtetit edhe pse efekti i tyre do të ishte shumë më i madh nëse këto para do të ishin transferuar direkt për Pushtetin Vendor. Kjo do të mund të plotësonte një pjesë mjaft të madhe të kërkesave të tyre modeste që kanë për të përmirësuar cilësinë e jetës. Asnjë një variant më i mirë se ai që ti kemi të përqendruara në Buxhetin e Shtetit dhe pastaj në mënyrë politike do të ndahen këto në mënyrë jo proporcionale për komunat dhe bashkitë në vend, thjesht me justifikimin që pushteti vendor nuk ka kapacitetet e duhura për menaxhimin e të ardhurave të tyre.

Gjë e cila bie në kundërshtim edhe me filozofinë e decentralizmit që është tashmë e evidentuar, e kristalizuar. Pushtetet vendore i kanë edhe ato detyrime për të qenë rigoroz në planifikim, ashtu edhe në respektimin e ndarjes së buxhetit, që në planifikimin bazë në zëra, pra nuk mundet të vendosi më titullari, apo dikush tjetër në bashki, t’ia ndryshojë orientimin, zërave, bilancit, pa marrë më parë miratimin e këshillit. Pra duke qenë se edhe filozofia e planifikimit është përmirësuar jashtë mase për administrimin buxhetor në pushtetin lokal. Qeveria ka ndërmarrë një hap cilësor do të thoja dhe ka vendosur që nga taksat kombëtare pa asnjë lloj kufizimi të lidhur me realizimin e të ardhurave lokale t’ju kalojë 5% të rentës minerare menjëherë në momentin që ajo arkëtohet.

Pra, kjo do të jetë një tjetër risi dhe ndihmë direkte. Nuk di nëse është e duhura, duhet të jetë më pak apo duhet të jetë më shumë, është për tu verifikuar ndër vite, po të paktën tashmë e kemi elementin ligjor i cili bën të mundur transferimin e menjëhershëm të detyrimit që këto industri kanë për rikuperimin ose për të ndikuar në komunitetet lokale ku ato operojnë, të të ardhurave që vijnë nga renta minerare. Ndoshta, në të ardhmen, për të parë edhe se kush do të jetë efekti i tyre do të kemi mundësi të marrim në konsideratë ndryshimin e kësaj tarife. Tashmë nuk është problemi për të pasur një nen në ligj, neni ekziston, çështja është vetëm për të amenduar një pjesë të të ardhurës kombëtare sesi ajo do të shkojë në pushtetin lokal menjëherë, pra pa planifikim buxhetor siç bëhet me gjithë pjesën tjetër të të ardhurës kombëtare. Do të na ndihmojë në mënyrë konstante ky raport për të nxjerrë jo vetëm sa pjesë e këtyre të ardhurave shkojnë në pushtetin lokal, por pushteti lokal do të ketë edhe ai detyrimin e raportimit për mënyrën sesi i përdor këto të ardhura.

Kemi pasur raste më përpara kur është transferuar direkt për ndonjë bashki ose ndonjë komunë, pjesë shumë e rëndësishme e rentës minerare. Bashkia Patosit, për shembull merr 1 milion e 200 mijë dollarë rentë minerare brenda një viti dhe buxhetin e vet nuk e ka as 300 mijë dollarë në total. Nuk merret vesh se cili ishte ndikimi që sollën këto para nga renta minerare në bashkinë e Patosit kur nuk është as sa një bllok banesash i Tiranës. Nuk dallohet kush është efekti, kjo do të thotë që ne nuk mundet që ta tolerojmë as këtë. Pra, pjesë e transparencës do të jetë edhe mënyra se si do të përdoren këto të ardhura nga pushteti lokal. Nuk do të jenë të ardhura që do ti përdorin sipas qejfit për shpërblime e paga të pushtetit lokal, por për të rikuperuar dëmin që shkaktohet nga industritë nxjerrëse në mënyrë eksplicite.

Në këtë aspekt them që iniciativa EITI është një domosdoshmëri për të gjithë vendet që kanë industri nxjerrëse. Eksperiencat e fundit të shkëmbimeve që ne kemi me 150 vendet të cilat aderojnë në iniciativën e industrive nxjerrëse. Na kanë treguar që efektet e kësaj transparence janë mjaft të larta. Tashmë aderojnë në të të gjithë vendet e Bashkimit Evropian dhe EITI nuk do të jetë më thjesht një raportim i vendeve të cilat kanë interes të ndajnë eksperiencën e tyre me njëjti tjetrin, por do të jetë nj raportim i detyrueshëm global në të gjitha industritë nxjerrëse për të parë se ku është sot bota, ku jemi dhe ne në këtë iniciativë, me efektet që industritë nxjerrëse shkaktojnë në prodhueshmërinë biofizike të vendeve ku ato shfrytëzohen. Dihet që e pakësojnë, po sa është efekti pozitiv që sjellin të pakën në formën e krediteve ambientaliste për mjedisin ku ato shkaktojnë dëm në formën e të mirave që mund të përdorin mjediset ku këto shfrytëzohen.

Çështja është që këto industri duhet të kthehen miqësore me mjedisin, miqësore me komunitetet lokale dhe nuk mundet më të vazhdojë thjesht një përqasje me dy kolona nga 2002-shi Shqipëria është aderuese dhe firmëtare, deklaratë e Johannesburgut për zhvillimin dhe zhvillimi nënkupton kolonë të tretë të domosdoshme fokusin e mjedisit, pra zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit dhe ne nuk mundet më të ecim në linjën që zhvillimi ekonomik është një zhvillim i çfarëdoshëm që rrit të ardhurat, pavarësisht sesi ai ndikon mbi mjedisin apo mbi komunitetin lokal.

Në këtë aspekt them që është për tu përshëndetur puna shumë e mirë e bërë edhe nga AlbEITI edhe nga auditi i pavarur. Unë i përgëzoj dhe shpresoj që një punë e tillë do të ndodhë edhe me raportin e 2013, në të 2014 dhe gama e veprimtarisë raportuese dhe analizuese e tyre për industrisë nxjerrëse, do të rritet në produkte. Pra të mos jetë vetëm raporti vjetor, por të ketë edhe produkte të tjera të ndërmjetme sektoriale apo të fokusuara edhe mbi bazë territori, të cilat në mënyrë specifike nxjerrin problematikat më në thellësi të çdo një veprimtarie që lidhet me industritë nxjerrëse.

Ky është pra dhe fokusi apo përqendrimi ynë kryesor në të ardhmen e këtij institucioni.

Ju faleminderit!

energjia.al 04.12.2014