Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nqs rritet energjia, keni disa alternativa

Reagimi i parë ndaj lajmit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike për shumë klientë të rregullt me pagesat e energjisë elektrike, është ankthi dhe indinjata. Vërtet do të dyfishohet çmimi? Si do të përballojë familja rritjen e çmimit të energjisë elektrike, të kostove të shkollimit të fëmijëve, të cigares, rritjen e pritshme të çmimit të ujit, çmimet në rritje të ushqimeve etj., kombinuar me uljen e të ardhurave? Përse duhet të paguajë klienti i rregullt më shumë për dritat, kur lagje e qytete të tëra nuk i paguajnë fare dritat?

Kompania e shpërndarjes në fakt është po aq viktimë e kësaj situate sa dhe konsumatorët e ndershëm të saj. Çdo vit humbet 160-200 milion euro nga humbjet teknike dhe vjedhjet në rrjet. Nëse nuk mbulon humbjet rrezikon falimentin. Nëse humbjet e kësaj i mbulon shteti është ky i fundit që rrezikon falimentin. Duhen të paktën disa vjet që të ndryshohet me mjete demokratike kultura e vjedhjes, dhe deri atëhere një rritje e çmimit të energjisë elektrike do të pakësonte humbjet financiare të kompanisë.

Në çdo rast, me apo pa humbje të energjisë elektrike në rrjet, çmimet e energjisë elektrike dhe kostot e prodhimit e shpërndarjes së energjisë kanë një trend afatgjatë në rritje në gjithë rajonin. Nëse çmimi i energjisë është më i ulët se kostua, prodhuesi e transmetuesi i energjisë nuk investon dot në mirëmbajtjen e investimit.

Përballë një problemi të tillë me të cilën do të përballen gjithë konsumatorët e rregullt të energjisë elektrike, ka alternativa. Ato janë: kursimi i energjisë dhe prodhimi i saj në vend aty ku konsumohet.

Le ti marrim me rradhë pajisjet elektroshtëpiake:

Bolieri i dushit është konsumator i madh energjie. Çdo bolier ka një termostat ku temperatura mund të gradohet deri në 100 oC. Por mjafton ujë me temperaturë 38 oC për larjen e trupit, prandaj termostatin mund ta vemë në 50-60 oC, siç këshillon OSHEE në faqen e saj zyrtare. Më të guximshmit mund të eksperimentojnë me temperatura dhe më të ulëta. Bolieri mund të lidhet dhe me një panel diellor, duke e nxjerrë nga rrjeti elektrik. Panelet diellore për ngrohje tashmë importohen pa TVSH, janë produkt që e kanë provuar rentabilitetin e tyre. Energjia e diellit mund të shfrytëzohet për ngrohje dhe me mjete më primitive, si depozita metalike të lyera me ngjyrë të zezë e të vendosura në taracë, në kuti druri me sipërfaqe pasqyruese; apo versione me shishe plastike, me kanoçe etj. Janë të shumta idetë e projektet e thjeshta që presin për zbatuesit e tyre me shpirt sipërmarrës e dëshirë për kursim.

Nëse kemi llampa inkandeshtente, mund ti zëvendësojmë me llampa ekonomike që harxhojnë 5 herë më pak. Nëse kemi llampa ekonomike mund ti zëvendësojmë me llampa LED që harxhojnë 5 herë më pak dhe se llampat ekonomike. Sot në treg ka llampa LED që si në ndriçim ashtu dhe në pamje të jashtme nuk dallojnë farë nga një llampë inkandeshente, por në konsum harxhojnë 10 herë më pak.

Po për ngrohjen e ftohjen e banesës a kemi alternativa? Termoizolimi i ndërtesës, kur gjithë banorët e ndërtesës bien dakort, është një mundësi. Nëse planifikojmë të blejmë shtëpi mund të interesohemi pranë ndërtuesit nëse ndërtesa është apo jo e termoizoluar. Sot duhet të pyesim, por nesër banesat e reja do të shoqërohen me një çertifikatë efiçence që tregon se sa energji harxhojnë. Gjatë verës një ndërtesë e rrethuar nga gjelbërimi dhe e lyer me të bardhë, një qytet me shumë parqe e pak beton janë më të freskët. Për fat të mirë jetojmë në gjerësi gjeografike mesatare, nuk duhet të përballemi me temperaturat dyzetepesëgradshe të tropikut, por as me ato minus dhjetëshe të Europës Veriore. Njerëzit kanë jetuar në këto klima ekstreme përpara se të shpikej elektriciteti, kur një veshje e trashë ishte mburoja e vetme ndaj të ftohtit, e uji freskuesi i vetëm në kohë të nxehtë.

Pajisja tjetër konsumuese e madhe e elektricitetit është soba me korrent. Dikur përdornim tava me korrent, shumë më efiçente se sobat, por që dolën nga përdorimi masiv kur energjia elektrike ishte me çmim të lirë. Edhe sot ka tava të ngjashme në treg, që mund të rikthehen në përdorim me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Por, nëse as tava nuk kursen mjaftueshëm, ka zgjidhje të tjera më ekonomike si tenxherja me presion, kutia termoizoluese (një praktikë e lashtë gatimi me termoizolim), skuqja e shpejtë, apo dhe sobat diellore. Soba diellore?! Po, janë shumë të thjeshta për tu ndërtuar. Dikur, në një vizitë në fshatin ekologjik “Agave” në Porto Palermo, ekologjisti Xhemal Mato u tregonte vizitorëve se si të gatuajnë makaronat me një saç të vjetër të veshur me folie alumini. Versioni tjetër i sobës diellore është ai i sobës kuti: një kuti kartoni me dopio mure me material termoizolues në mes, e veshur me folie alumini, ku vendoset një enë e zezë, me kapak hermetik.

Le të kalojmë tek frigoriferi e lavatriçja. Këto janë pajisjet më të domosdoshme elektrike të shtëpisë. Me legjislacionin e ri për etiketimin e efiçencës së pajisjeve, çdo frigorifer e lavatriçe duhet të kenë etiketë për efiçencën energjitike të tyre. Pajisjet etiketohen nga A në G, ku A është pajisja më efiçente. Kemi mundësi pra të zgjedhim pajisjen më efiçente.

Për familjet bujqësore impiantet shtëpiake të biogazit janë një alternativë e mirë. Ka 2 milion të tilla në Indi e 6 milion në Kinë. Në Shqipëri asnjë. Këto mund të ndërtohen në vend, prej betoni, nga inxhinjerët tanë, e të shfrytëzojnë energjinë e mbetjeve organike të kafshëve bujqësore, të njerëzve, e të tokës për të prodhuar biogaz.

Teknologjia tjetër më e re që po përhapet në Shqipëri është ajo e paneleve fotovoltaike. Kombinuar me masat e kursimit dhe me rritjen e çmimit të energjisë përdorimi i kësaj teknologjie mund të fillojë të gjejë interes dhe tek ne.

Mundësitë e kursimit janë të mëdha. Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të jetë një stimul për përhapjen e impianteve të vogla të energjive të rinovueshme si panelet diellore, impiantet e biogazit, sobat diellore, dushat diellorë etj. si dhe për kursimin e energjisë. Ndërkohë shteti duhet të bëjë gjithçka për të ndalur vjedhjen masive të energjisë elektrike.

Ekolëvizja, 28.11.2014