Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çfarë po ndodh me naftën shqiptare?

Nafta, tregu shqiptar dhe kriza e rënies së çmimit. Investimet miliarda dollarëshe dhe strategjia e re e përpunimit në vend. Politika që ndihmojnë prodhimin me lehtësimin fiskal për rafineritë vendase dhe ulja e taksës doganore e naftës bruto. Përpunohen 260 mijë ton naftë në vend. Eksportet në Indi dhe Azi ndrrojnë kahje: Tani shumë naftë edhe për Fierin e Ballshin!

Kur në fillim të nëntorit 2014 prof. Ugo Bardi, në dëgjesën e Parlamentit Europian mbi sigurinë energjetike, tërhoqi vëmendjen, duke theksuar se tani “jemi dhe në një krizë tjetër-ndoshta shumë më serioze-që ka të bëjë me naftën” dhe iu tha parlamentarëve të Europës se problemet mund të jenë të ngjashme me vitin e vështirë 2008, kishte parasysh krizën që po krijohet nga rënia e shpejtë e çmimit të naftës. Dihet se çmimet e ulëta të naftës nuk janë një gjë e mirë. Çmimet e ulëta e bëjnë të pamundur për shumë prodhues nafte që të kenë fitim.

“Nëse çmimet janë shumë të larta, njerëzit nuk blejnë dot, se ndryshe “kërkesa shkatërrohet”. Nëse çmimet janë shumë të ulëta, është oferta që shkatërrohet. Prodhuesit nuk mund të shesin me humbje, jo për një kohë të gjatë. Pra ka një brez brenda të cilit çmimi i naftës mund të luhatet: çmim i lartë, konsumatori nuk e blen dot, çmim i ulët, prodhuesi nuk e shet dot”, – tha në thelb Bardi. Çmimet i naftës me siguri se do të vazhdojë të bien. Javën e kaluar regjistruan çmimin më të ulët në katër vitet e fundit. Çmimet vazhdojnë të ulen që nga qershori kur një fuçi naftë ka kushtuar 116 dollarë.

Një vështrim në naftën shqiptare…

Doemos që nuk ndihet në “atmosferë” kjo thepisje e naftës bruto. Por tregu është i ndjeshëm. Kriza këtu merr tjetër emër. Dhe ka ndjeshmëritë e veta. I gjen këto ndjeshmëri edhe përmes shifrave publike. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Gjiknuri sakaq tha se 260 mijë ton naftë janë përpunuar në vend. Më shumë planifikohen. Po kthehet koka nga prodhimi dhe jo vetëm nga importi! Po ndryshon intinerari i prodhuesve: Nga India e largët e Azia, drejt…Fierit e Ballshit. Rafineritë e “raskapitura” shqiptare po fillojnë të bien “erë naftë”. Një sport i vështirë për to, por gjithsesi një sport i dëshiruar!

Çfarë është duke ndodhur? Deri në vitin 2000 shisnin me fitim edhe më një çmim 20 USD/barrela. Po çmimi përcaktohet nga kosto. Specialistët thonë se me rritjen e kostove të shfrytëzimit, duhet të rritet dhe çmimi i naftës në treg. Sipas raportimeve të media-s, një raport i 2012-ës i “Goldman Sachs” thotë se projektet më të fundit të naftës kanë nevojë për një çmim prej 120 $/barrela që të jenë fitimprurëse. Pra me çmimin aktual rreth 10% e naftës që prodhohet sot shitet me humbje. Nëse çmimet shkojnë në 40$/barrela, çmimi normal 10 vite më parë, atëhere gjysma e prodhimit botëror të naftës do të shitej me humbje.

Në Shqipëri, “Nëse do të rritet më shumë prodhimi i naftës në Shqipëri, sot është 1.4 milion ton në vit dhe synojmë ta çojmë në 2 milion ton, atëherë do të krijohej ajo ekonomia e mjaftueshme e shkallës për të zgjeruar edhe kapacitetet e rafinimit”, thotë z. Gjiknuri për një media televizive.

Ulja e çmimit të naftës bruto patjetër që ka efektet edhe në tregun me pakicë. Rënie ka, nuk është ajo që pritet por siç thonë ekspertët e fushës, rënia e kostos së nënproduktit nuk është në proporcion të drejtë me rënien e kostos së produktit bazë. “Ka procese që kanë mbivlera dhe mbi të gjitha janë ngarkesat fiskale të vendeve ato që e bëjnë diferencën në çmimet me pakicë të karburanteve”, thotë një zyrtar i lartë i qeverisë.

Edhe qeveria nuk rri “në vend numëro”!

Nuk janë pak 260 mijë ton naftë e përpunuar në rafineritë shqiptare. Cili është efekti? Nuk është tërësisht i dukshëm në tregun e shitjes me pakicë, por nuk është as pa ndikim. Jep një presion në çmimet e importit, por jo vetëm. Vetëm një kompani punëson 2.300 punonjës, edhe rafineritë gjithashtu. Ja një faktor! Por edhe taksa e detyrime të tjera ligjore paguhen më shumë. Jo thjesht renta minerare. Po e njëjta gjë edhe nga ana e poseduesve të rafinerive të naftës.

Në paketën e re fiskale që po diskutohet “gërmë për gërmë” në Kuvendin e Shqipërisë është parashikuar se për rafineritë vendase do të ulet taksa doganore e naftës bruto nga 10 % në 0 %. Ministria e Financave e bën edhe një llogari: “Të ardhurat nga taksa doganore për periudhën janar – shtator 2014 janë rreth 4.2 miliardë LEK dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, të ardhurat nga kjo taksë janë rritur me 6 për qind. Rritja e të ardhurave nga taksa doganore është e shoqëruar me argumentin e rritjes së importeve dhe të ardhurave nga TVSH, për arsye se niveli mesatar i taksimit, për shkak të zbatimit të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë është ulur nga 1.4 për qind në 1.3 për qind”.

Ministri Shkëlqim Cani shkon edhe më tej. Ai shpjegon se: “E kemi zgjeruar taksën doganore të naftës bruto nga 10% në 0%, me synimin për të ndihmuar rafineritë vendase, në mënyrë që nafta bruto e vendit apo e importuar të përpunohet sa më shumë në industrinë ekzistuese në vend, me qëllim që këta nxitës të ndikojnë në futjen e bizneseve të tjera në këto industri, në mënyrë që ne t’’u hapim këtyre produkteve perspektivën e përpunimit në vend, duke qenë se nafta gjendet relativisht me bollëk në vendin tonë”.

Kuptohet, sipas ministrit se, duke ndihmuar rafineritë vendase me uljen 10% ose zerimin e taksës doganore ulet kostoja e rafinerive, që përpunojnë naftën bruto dhe rritet prodhimi në vend. Qëllimi përfundimtar i qeverisë kuptohet: është rritja e të punësuarve në vend. Por jo vetëm kaq: do të kemi edhe produkte të bardha të naftës shtesë në ekonominë shqiptare, me çmime më të ulëta. “Duke ulur koston ne shpresojmë që kjo të reflektohet edhe në çmimin e mallrave”- nënvizon z. Cani.

Njëkohësisht, vendoset edhe një standard që e kanë edhe vendet e BE-së dhe më gjerë, meqenëse vetëm Shqipëria aplikon sot tarifë doganore për naftën bruto. Por qeveria ka edhe një tjetër synim: Të përfitojë ndryshe nga kompanitë e nxjerrjes së naftës. Deri më sot Albpetrol, për shembull, e merrte përfitimin (kontributin në natyrë të naftës së papërpunuar) nga kompanitë e nxjerrjes në mall, në produkt, pra në naftë.

Tani “kemi iniciuar një VKM që t’i japë mundësi Albpetrolit të mos marrë më naftë bruto, pasi ajo ka qenë në vijimësi një dritare abuzimi, ku ka patur interesa. Qëllimi ynë është që pjesa që i takon shtetit shqiptar të merret në para dhe jo naftë bruto që ka kosto ruajtje, transporti apo ankandi. Shumë shpejt dhe kjo do të kalojë në qeveri dhe është një masë shumë e mirë që do të forcojë të ardhurat në sektorin e naftës”, tha dy ditë më parë ministri Gjiknuri.

Koncesionarët po auditohen rreptësisht, janë bërë ndryshime fiskale, me të cilat u mbyllën disa shtigje evazioni. U fut akciza për produktet e importit që përdoreshin në industrinë nxjerrëse të naftës. “Rezultati tregohet tek të ardhurat në favor të shtetit, të cilat këtë vit janë më shumë, jo vetëm për shkak të rritjes së prodhimit, por edhe për shkak të një auditimi më të mirë, me standarde të larta”, thotë z. Gjiknuri.

Nafta e vendit dhe nafta e importit

Era e re e ndryshimeve, jo vetëm fiskale në fushën e prodhimit vendas të naftës, sigurisht që do ndikojë edhe në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve. Importuesit do të duhet të marrin në konsideratë peshën që do të zerë në treg prodhimi vendas, ndërsa prodhuesit do të duhet të mendojnë për investime miliarda lekësh që duhen për të siguruar jo vetëm prodhim në rritje, por edhe cilësi të krahasueshme me standardit europian. Tregu është tekanjoz, çmimin e vendos kërkesa dhe oferta, por disa herë ky është edhe një çmim që ndikohet psikologjikisht.

Ajo çka është bërë prej vitesh në Fier e Ballsh do të duhen vite të zhbëhet. Nafta e vendit është mjaft e vështirë të vijë në standardet europiane, ndërsa risku i marrë përsipër në rafineritë ekzistuese është më së pakti i guximshëm. Po tregu ofron mundësi. Kjo është ekonomia e tregut dhe “loja” është e hapur për të gjithë!

Shqiptarja.com 29.11.2014