Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ulet çmimi i energjisë për HEC-et private

Sipas qeverisë, çmimi i lartë me të cilin KESH detyrohet të blejë energjinë e prodhuesve privatë është një nga shkaqet kryesore të krizës financiare të Koorporatës dhe sektorit energjetik në tërësi.

Në vitin 2007, për të nxitur investimet private qeveria e mëparshme miratoi një formulë, e cila e llogariste tarifën që KESH paguan për blerjen e energjisë nga privatët në çmimin e importit të vitit paraardhës, plus dhjetë përqind.

Aktualisht, sipas kësaj formule prodhuesit privatë ia shesin energjinë KESH-it me 9.2 lekë për kilovat/orë. Paralelisht, në 5 vitet e fundit, për shkak të ndërtimit të dhjetra HEC-eve të reja private prodhimi i tyre është rritur me ritme shpërthyese, mbi 12 herë.

Ligji e detyron KESH-in që ta blejë të gjithë këtë energji edhe nëse ka prodhim të vetin. E kombinuar dhe me çmimin, që sipas qeverisë është i lartë, kjo ka çuar në rritjen e fortë të kostove për Koorporatën, e cila nuk mund t’i përcjellë ato te çmimi final i konsumatorëve, duke e thelluar krizën financiare të saj dhe të gjithë sektorit.

Për të korrigjuar këtë, qeveria propozon një formulë të re tarife, e cila bazohet te çmimi mesatar vjetor i energjisë në bursën hungareze, të konvertuar në lekë me kursin zyrtar të këmbimit.

Në rastet kur hidrocentralet janë të lidhura në rrjetin e shpërndarjes, mbi to do të aplikohet edhe një bonus shtesë prej 10 përqind.

Formula e re bën, që çmimi i privatëve të zbresë nga 9.2 lekë për kilovat, që është aktualisht, në 6.4 lekë për kilovat.

Sipas përllogaritjeve, përmes kësaj mase, vitin tjetër kostoja totale që KESH paguan për energjinë e tyre do të ulet me 23 milionë dollarë dhe efekti rritet në vitet në vazhdim. Kjo, sipas Ministrisë së Energjisë, përveç se lehtëson financat e rrënuara të Koorporatës, shkon drejtpërdrejt në përfitim të konsumatorëve, pasi ndikon në çmimin final që ata paguajnë për energjinë.

Qeveria thotë se ky është hapi i parë për të stabilizuar sektorin e energjisë, që prej vitesh ndodhet në një krizë të thellë financiare, me një borxh total prej 1.1 miliardë dollarësh. Sipas Ministrisë së Energjisë, ndryshimi i çmimit nuk ka as risqe ligjore, pasi nuk përbën ndryshim të njëanshëm të kontratës, që shteti ka me koncesionarët.

Por, ajo që mbetet për t’u parë është se si do të pritet kjo masë nga investitorët privatë dhe çfarë efektesh financiare do të ketë te ta.

Top Channel, 25.11.2014