Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fatura e “fshehur” e energjisë

Qytetarët shqiptarë janë duke paguar një faturë të energjisë elektrike nëpërmjet buxhetit të shtetit, po aq të shtrenjtë sa edhe pagesa mujore që shënon matësi. Në buxhetin e 2015-s janë parashikuar 20 miliardë lekë në formën e letërgarancive dhe fondeve të drejtpërdrejta për importet emergjente të energjisë. Kjo shumë u hiqet shpenzimeve që mund të shkonin për përmirësimin e shërbimeve publike.Edhe ata që nuk e paguajnë energjinë nga matësi janë duke e paguar një faturë të fshehur nga buxheti. Qeveria pret të zerojëndikimin në buxhet të energjisë pas vitit 2018. Ja si është afektuar buxheti i shtetit në vite nga borxhet në sektorit

Para tre vjetësh, kur kriza në Eurozonë nisi të kulmonte edhe në ekonominë tonë, opinioni publik ishte duke pritur atëherë nga ministri i Financave, Ridvan Bode, se me çfarë pasojash na duhej të përballeshim. Por ai të cilin ish-ministri ekonsideroi si rrezikun e vërtetë të ekonomisë zhgënjeu shumëkënd në atë kohë, madje edhe ekspertët e fushës. Sot, pas katër vitesh, lajmërimi i Bodes se, sektori i energjisë do të jetë kërcënimi më i madh për stabilitetin e ekonomisë dhe financave publike, erdhi në përmasa edhe më të mëdha se sa pritej.Për tri vitet e fundit, orteku i madh i borxheve të kompanive është përplasur në buxhetin e shtetit me fatura miliarda lekë, të cilat po u transferohenkonsumatorëve në formën e taksave më të larta.

Buxheti i vitit 2015 është në fazën e miratimit në Kuvend dhe plot 20 miliardë lekë shpenzime ia dedikon borxheve në energjetikë. Kjo shumë është më e madhe se sa shtesa që do t’i vijë buxhetit vitin që vjen nga rritja e taksave. Të gjithë ne jemi duke e paguar faturën e energjisë shumë më tepër se sa shënon matësi.

Ajo që paguajmë, por nuk e dimë, janë faturat e energjisë që paguhen me fonde të buxhetit të shtetit, të cilat do të duheshin të ktheheshin në shërbime më të mira. Më e rënda është se, ata që paguajnë energjinë, paguajnë edhe taksat, për atë pjesë të konsumatorëve që u shmangen detyrimeve tatimoredhefaturës së dritave. Arka e shtetit, vitet e fundit, është ngarkuar nga barrë jo e natyrshme, e cila jo vetëm po shihet si rrezik për stabilitetin ekonomik të vendit, por edhe një rëndesë e pakuptimtë për pjesën e ndershme që paguan të gjitha detyrimet.

Fatura 20 miliardësh e energjisë nga buxheti 2015

Kompanisë së shpërndarjes së energjisë, në një vit, i duhen mbi 30 miliardë lekë, që janë rreth 300 milionë dollarë për të kryer blerjet e nevojshme të energjisë për mbulimin e konsumit dhe shpenzimet e tjera të personelit. Kjo e ardhur normalisht duhet të grumbullohet nga shitja e energjisë, por ky parim, në këtë rast, nuk vlen, pasi gati e gjysma e sasisë që hidhet për konsum nuk paguhet. Këtu ndërhyn buxheti, duke marrë një pjesë të barrës. Fatura e buxheti për vitin që vjen për energjinë arrin në 1.7% të PBB ose 20 miliardë lekë, sipas relacionit të buxhetit. Kjo shumë është vetëm 30% më pak se të ardhurat totale që i duhen Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për të mbuluar shpenzimet.

Këto shpenzime që buxheti ka parashikuar për energjinë vijnë si mbështetje direkte dhe indirekte, nga të cilat 15 miliardë lekë janë letër garanci që qeveria merr përsipër të lëshojë ndaj kompanive KESH e OSHEE për importin e energjisë. Një shumë tjetër prej 3 miliardë lekësh do të përdoret për importe emergjente dhe 1.6 miliardë lekë do të përdoren për subvencionin e shtresave në nevojë si rrjedhojë e heqjes së fashës mbrojtëse 300 kilovat/orë në muaj.

Por do të ishte ngushëlluese nëse buxheti do të rendohej vetëm një vit nga barra e energjisë. Parashikimet nuk janë optimiste. Nëse çmimi i energjisë elektrike do të mbetet i pandryshuar dhe niveli i humbjeve nuk do të zbresë nën 20%, buxheti do të vazhdojë të paguajë barrën e energjisë me më shumë se 15 miliardë lekë në vit edhe sipas vlerësimeve të Fondit Ndërkombëtar. Shpenzimet nga buxheti dedikuar energjisë zënë rreth 5% të totalit të shpenzimeve buxhetore dhe mbi 1.5% të PBB-së.

Ky zë i ri në shpenzimet i ka zhvendosur energjitë e qeverisë nga sektorët e tjerë që do të sillnin rritjen ekonomike të vendit. Për këtë shkak, zëri i investimeve, sidomos në infrastrukturën rrugore, ka rënë dy vitet e fundit. Qeveria ka hequr dorë nga projektet madhore të infrastrukturës, të cilat ishin burimi kryesor i rritjes ekonomike, duke financuar nga buxheti faturat e papaguara të energjisë.

Në një situatë normale buxhetimi, fatura 20 miliardëshe e shpenzimeve për energjinë duhej t’u kthehej taksapaguesve në më shumë shkolla, shërbime spitalore dhe në të mira të tjera publike që vijnë nga një qeverisje e mirë.

Akumulimet 50 miliardë lekë të këtij viti

Pas vitit 2009, mbështetja buxhetore për energjinë ka qenë e lartë. Më 2011 dhe 2012, buxheti kreditoi me fonde të drejtpërdrejta importin e energjisë, për shkak të emergjencës që lindi nga mungesa e prodhimit vendas. Kjo shënoi një precedent të paaplikuar më parë, i cili mori kritika edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Por barra erdhi gjithnjë e më shumë. Mbështetja indirekte për sektorin e energjisë vijoi të jetë gjithnjë e më e lartë. Kjo përfshin kredi të garantuara ndaj KESH për importet e energjisë elektrike, si dhe borxhin e institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore. Nevoja për kredi me kushte tregtare nga KESH u rrit në mënyrë drastike në fund të vitit 2012, kur CEZ ndaloi importimin e energjisë për të mbuluar humbjet e shpërndarjes. Si rezultat, KESH,si furnizuesi i fundit, duhet të rriste importet e energjisë elektrike për të përmbushur kërkesat e konsumatorëve tariforë. Por bankat tregtare në vend, duke parë nivelin e lartë të riskut që paraqisnin kompanitë për kthimin e kredive, kërkuan garancinë e shtetit për të dhënë hua të tjera. Si rrjedhojë, overdrafti i garantuar i KESH në fund të vitit 2013 arriti në 29 miliardë lekë dhe kjo shumë u rrit edhe mbi 13 miliardë lekë këtë vit. Aktualisht, garancitë e buxhetit ndaj KESH i kanë kaluar të 40 miliardë lekët ose rreth 400 milionë dollarë. Një faturë indirekte që duhet të paguajë buxheti është vlera 96 milionë euro që i duhet kthyer kompanisë çeke, CEZ për rimarrjen e pronësisë në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Kjo faturë, në fakt, është programuar të shlyhet nga buxheti i OSSHE, por, gjithsesi, kjo do të jetë një shumë e munguar në të ardhurat e kompanisë, duke detyruar kështu buxhetin të kompensojë CEZ për blerjen e importeve. Të gjitha këto fatura krijuan një kosto në buxhet këtë vit me mbi 50 miliardë lekë.

Humbjet në rrjet, fatura tjetër e fshehtë

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjinë kanë qenë gjithmonë një subvencion i nënkuptuar ndaj konsumatorëve. Në vitin 2012, kostoja financiare e këtij subvencioni vlerësohet të ketë qenë rreth 15.5 miliardë lekë ose rreth 1.5% e PBB-së. Para privatizimit të kompanisë, ku subvencioni përballohej nga fondet publike, por më vonë pasi OSSH kaloi në pronësi të çekëve, qeveria hoqi dorë nga subvencioni. Në këtë kohë, Enti Rregullator i Energjisë, në deklaratën rregullatore me kompanisë CEZ, miratoi një program disavjeçar për uljen e humbjeve. Në këto kushte, CEZ nuk i njiheshin humbjet deri në një nivel të caktuar si kosto në çmimin. Më tej, kontrata sanksiononte që i gjithë niveli i humbjeve të importohej me çmimin e tregut.Por CEZ, jo vetëm që nuk arriti të mbulonte nivelin e tyre, por i rriti ato në nivelet drastike, në 49% në fund të vitit 2012. Për rrjedhojë, kompania nuk mund të importonte të gjithë sasinë e humbjeve me tarifat e tregut, kështu që hoqi dorë nga importi i energjisë. Pas këtij gjesti, qeveria shqiptare hoqi licencën ndaj kompanisë CEZ dhe pas kësaj, mori përsipër importin e humbjeve me fondet e buxhetit, pasi arkat e CEZ ishin të boshatisura tashmë. Fillimi i vitit 2013, që përkoi me një krizë të thellë në prodhimin e energjisë dhe me ikjen e CEZ, ishte edhe momenti që buxheti i shtetit mori kosto të paparashikuara më parë, që sollën edhe tejkalimin e kufijve të borxhit mbi 62% të PBB-së. Tarifat aktuale lejojnë një numër të konsiderueshëm konsumatorësh që të përfitojnë nga çmime më të ulëta të destinuara për grupet më të cenueshme. Si e tillë, kjo përbën një subvencion shtesë për buxhetin e shtetit me kosto vjetore 1.6 miliardë lekë.

cez-shperndarje10 miliardë lekë, energjia e papaguar nga institucionet buxhetore

Deri më tani, shembulli më i keq për pagesën e faturave të energjisë janë shteti dhe institucionet e tij.Çdo institucion dhe ent publik në buxhetin vjetor ka fondin e vet për shpenzime koherente, ku parashikohet edhe pagesa e energjisë. Por çdo vit, fondet për shlyerjen e faturave të energjisë janë përdorur për shpenzime të tjera, duke i krijuar shtetit dy herë humbje dhe duke i ngarkuar qytetarët me një faturë të padrejtë. Kur vit pas viti, detyrimet e akumuluara arrijnë në miliona dollarë, atëherë qeveria angazhohet për së dyti të shlyejë faturat ndaj OSSHE, duke përcaktuar një fond të posaçëm, i cili merret borxh për të shlyer njëherazi detyrimet e akumuluara, të krijuara nga institucionet e shtetit. Këto të fundit, jo vetëm që nuk e paguajnë energjinë, por e harxhojnë në mënyrën më makabre të mundshme. Nisur nga kjo situatë, ka pasur një debat nga ekspertët e ekonomisë se, borxhi i enteve publike ndaj CEZ-it nuk duhet të shlyhet nga fondet e buxhetit, por nga fondet e akorduara në buxhetet vjetore të këtyre institucioneve. Pasi rritja e përgjithshme e borxhit për të shlyer shpërdorimet që ka bërë administrata publike për mosshlyerjen e faturave të veta, është më e rrezikshme dhe penalizon të gjithë shoqërinë.

Në prill të këtij viti, qeveria miratoi strategjinë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për disa institucione publike në sektorin energjetik, duke vënë në dispozicion një shumë prej 10 miliardë lekësh, pasi ky ishte niveli i detyrimeve të akumuluara nga institucionet buxhetore.Nëpërmjet kësaj nisme shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura ndërmjet institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore,ndaj shpërndarjes dhe KESH sh.a. Por, pas shlyerjes së këtij borxhi, Ministria e Financave mori disa masa shtesë për të mos lejuar krijimin e detyrimeve të reja për energjinë.Masat për të forcuar disiplinën financiare përfshinë ndërprerjen e alokimeve buxhetore, ndërprerjen e energjisë, duke përjashtuar disa shërbime jetike që kryhen nga këto institucione (si p.sh. spitalet, konviktet, burgjet etj.). Gjithashtu, me një udhëzim të posaçëm të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, faturat e energjisë u konsideruan pagesa emergjencë. Thesari ka një praktikë për disbursimin e fondeve. Hierarkinë e pagesave e zënë, interesat e borxhit, të cilat janë fondet e para që paguhen nga buxheti, më pas vijnë fondet për funksionimine qendrave spitalore dhe emergjencave, ndërsa këtë vit, si pagesë e tretë nga rëndësia është edhe fatura e energjisë elektrike. Nëse nuk paguajnë energjinë e konsumuar, institucionet përballen me bllokimin e fondeve të tjera që buxheti akordon për funksionimin e tyre.

Mosadministrimi i energjisë çon borxhin mbi 80% të PBB-së

Nëse keqadministrimi i energjisë elektrike do të afektojë buxhetin e shtetit njësoj si tre vitet e shkuara, Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë të vërtetë borxhi, e cila ka nisur të japë shenjat e para që këtë vit. Banka Botërore vlerëson se, nëse humbjet e energjisë nuk ulen poshtë niveleve 16% dhe nëse çmimi i energjisë nuk do të orientohet drejt kostove, atëherë borxhi publik do të arrijë në 80-84% të PBB-së në vitin 2018. Financimi i borxhit në këto nivele, në rast se, ekonomia nuk do të rritej përtej 3%, do të jetë mjaft i vështirë. Borxhi ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2007, duke arritur në 61.5% në vitin 2012, pikërisht kur nisën financimet e mëdha për importet e energjisë nga fondet e buxhetit.Që nga ky vit, borxhi ka shënuar prirje rritëse. Në vitet 2008 dhe 2009, deficiteve të mëdha të parashikuara në buxhetet vjetore, iu shtua edhe një zhvlerësim i lekut në 2009-n. Në vitet 2011 dhe 2012, barra e borxhit nisi e u rrit nga kreditimi i drejtpërdrejtë i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).

Në fund të vitit 2012, borxhi publik ndaj PBB-së arriti në 62.4%, sipër pragut të Mastrihtit 60% dhe pësoi një rritje të mëtejshme për të shkuar në fund të vitit 2013 në 70.5% të PBB–së. Shqipëria ka tani borxhin më të lartë të PBB-së në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.Rreth 5.8% e rritjes së borxhit publik ishte për shkak të një rishikimi të PBB-së që rezultoi nga një ndryshim metodologjik në trajtimin e subvencioneve të nënkuptuara në sektorin e energjisë. Pjesa tjetër ishte për shkak të deficitit të lartë fiskal prej 6.2% të PBB në vitin 2013 (kundrejt objektivit fillestar të planifikuar prej 3.5% të deficitit) dhe njohjen e borxheve të prapambetura.Nëse energjia nuk do të afektojë buxhetin e shtetit negativisht si deri më sot, borxhi ndaj PBB-së së Shqipërisë do të qëndrojë mbi 72% në periudhën afatmesme. Nëse detyrimet kontingjente në sektorin e energjisë do të jenë të përfshira, raporti do të arrijë 78% në vitin 2018. Por, nëse qeveria vijon të mbështesë sektorin e energjisë gjatë tre viteve në vijim, borxhi pritet të arrijë në 81% të PBB.

Fillesa e krizës buxhetore nga energjia

Me moton që energjia kushton më shumë kur nuk ofrohet, qeveria në vitin 2008, nisi furnizimin e pandërprerë ndaj të gjitha kategorive të konsumatorëve. Para këtij viti ekzistonte një marrëveshje e ngushtë me FondinMonetar, i cili nuk lejonte që të jepeshin subvencione të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit. Por, duke qenë se, Shqipëria në këto vite kaloi në një vend me të ardhura të ulëta, me të ardhura nw nivel mesatar, u vendos një marrëveshje më liberale me FMN-në, duke pasur kështu dorë të lirë të menaxhojë politikat makroekonomike.Së pari, u vendos furnizimi i pandërprerë me energji elektrike, duke shmangur kufizimet e gjata pa drita, të cilat, në dekadën e fundit, shkonin edhe 12-18 orë në ditë. Por menjëherë me vënien e këtij standardi u rrit kërkesa vjetore për energji elektrike dhe, për pasojë, lindi nevoja për shpenzime më të mëdha për realizimin e këtij standardi. Duke mos ndryshuar çmimin dhe duke mos ulur humbjet, kaskada e borxheve që krijuan kompanitë nisi të reflektohej në buxhet në përmasa të mëdha pas vitit 2010.

Energjia elektrike si mall, në kohën e sotme, përfaqëson një produkt të mënyrës së ekzistencës së shoqërisë njerëzore dhe se ajo është e domosdoshme njësoj edhe për ata që nuk kanë aftësi paguese dhe për kategorinë tjetër që mund të paguajë. Sikurse dihet, në vendin tonë, por jo vetëm, ekziston një shtresë e popullsisë me të ardhura të pakta, të pamjaftueshme për të përballuar pagesën e faturës së energjisë elektrike. E subvencionuar nga buxheti i shtetit, kjo shtresë është kthyer në debitore. Në fund të vitit 2013, borxhi i akumuluar nga qytetarët arriti në 51 miliardë lekë. Në Shqipëri, 100% e familjeve në qytet dhe në fshat ndriçohen me energji elektrike. Përgjithësisht konsumi i energjisë elektrike për ndriçim është më i madh se në vendet e zhvilluara të Europës, për shkak se kemi shkallë të ulët të përdorimit të pajisjeve që sigurojnë përdorimin eficent të energjisë. Konsumi i lartë dhe mospagesa, e cila u dha si bonus në fushatat zgjedhore, u kthyen më pas në një bumerang për vetë qeveritë.

hec hidrocentrali komanProdhimi vetëm nga HEC-et, një shkak tjetër

Po të vërejmë prodhimin e energjisë elektrike gjatë periudhës 2007 – 2013,shihen diferenca jashtëzakonisht të mëdha. Prodhimi më i ulët vjetor gjatë kësaj periudhe është ai i vitit 2007, me 2,918 milionëkilovatorëose me një prodhim mesatar ditor prej 7.9 milionë kilovatorë. Ndërsa prodhimi më i madh vjetor mbetet ai i vitit 2010, me 7,743.295 milionëkilovatorë, ose me një prodhim mesatar ditor prej 21.2 milionëkilovatorë. Diferenca ndërmjet këtyre dy prodhimeve ekstreme arrin në 2.7 herë.

Një tregues i tillë shprehshkallën e lartë të riskut hidrologjik në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga sistemet elektroenergjetike të mbështetur vetëm në HEC-e. Por, vitin e fundit, janë vënë në eficencë mbi 80 HEC-e të vogla, të cilat kanë rritur prodhimin përtej parashikimeve.

Detyrimi i KESH për blerjen e sasisë së energjisë të prodhuar përtej planifikimit dhe të pareflektuar në tarifat e miratuara prej ERE-s për periudhën 2012–2014, i ka shtuar kompanisë kosto shtesë prej rreth 11 miliardë lekësh.

Kjo kosto shtesë, si dhe blerja e energjisë nga importi për llogari të OSHEE për mbulimin e humbjeve në shpërndarje, arrin në8.5 miliardë lekë. Deri më tani, kjo shumë është financuar me ovedrafte të marra nga bankat e nivelit të dytë, përdorimi i të cilëve ka prodhuar detyrime shtesë për interesa prej rreth 2.6 miliardë lekësh, të cilat mbrohen nga garancitë që ka lëshuar qeveria nga buxheti.

Mungesa e një mënyre alternative për prodhimin e energjisë, jo vetëm nga HEC-et, është bërë shkaktare e kolapseve që kërkojnë import emergjent. Duke qenë se i gjithë rajoni pothuajse është i varur nga prodhimi i energjisë ujore, kur ka periudha ta thata importi, kushton shumë. Përpjekjet për të vënë në punë një Termocentral të ri në Vlorë kanë dështuar për shkak të kostove, tani risqet e furnizimit me energji mbeten jashtëzakonisht të larta.

Strategjia,efekti energji në buxhet shuhet më 2018

Sipas një strategjie që është duke ndjekur qeveria shqiptare, bilanci do të mund të përmirësohet mesatarisht çdo vit me rreth 12 miliardë lekë që është efekti i vjedhjeve. Zv.ministri i Energjetikës,Ilir Bejtja, thotë se, këtë vit synohet që arkëtimet të rritenme mbi 6.5 miliardë lekë, duke eçuar totalin e të ardhurave për kompaninë në më shumë se 18 miliardë lekë. Ky nuk është target vetëm për një vit, por për fazën e parë të reformës së energjisë elektrike. Synimi është që në vitin 2018, OSHEE të mos ketë më bilanc negativ dhe të ketë përmirësuar brenda kërkesave të programit humbjet teknike. Janë rreth 397 mijë abonentë familjarë që faturohen nga 0-100 kilovatorë muaj, që është një konsum i pamundur fizikisht, pasi kjo sasi,sipas Bejtes, arrihet vetëm duke mbajtur llambat ndezur, pa përfshirëshërbimet jetësore në familje. Midis tyre, rreth 240 mijë abonentëfaturohen mesatarisht me ‘zero’kilovatorënë muaj.Zyrtari i lartë i energjetikës thotë se, këto janë shifra që flasin qartë për manipulim të rrjetit dhe abuzim me energjinë elektrike, ose deformim total i qëllimshëm ndaj ‘konsumit’ të energjisë elektrike. Sipas përllogaritjeve paraprake, shifra e kësaj kategorie zë rreth 40% të totalit të abonentëve familjarë. Verifikimi dhe saktësimi i konsumit të tyre, së bashku dhe me pajisjen me sahate atje ku ato mungojnë, apo duke përfshirë edhe lidhjet e reja të mundshme që duhen realizuar në ato vende ku energjia thjesht vidhet, do të bëjnë të mundur një konsum më të kontrolluar të energjisë elektrike dhe një ulje edhe të kërkesës për energji elektrike, dhe eliminim integral total të humbjes së sotme financiare prej 150 milionë eurosh të sistemit.

Qeveria shqiptare, nga ana tjetër, sapo ka miratuar një program investimesh me ndihmën e Bankës Botërore, që në total kap shifrën e 275 milionë dollarëve deri në 2018-n, kryesisht për pjesën operative dhe të shpërndarjes. Bashkë me këto fonde, qeveria synon të investojë në të gjithë sistemin, gjenerim, transmetim dhe shpërndarje rreth 450 milionë dollarë deri në 2020. Kjo është dhe koha që qeveria shqiptare mendon se sistemi do të jetë i qëndrueshëm, të mbajë veten dhe të garantojë shërbim brenda standardeve të rajonit të energjisë elektrike. Niveli i ulët i arkëtimeve të energjisë elektrike të faturuardhe humbjet e përgjithshme të raportuara nga kompania, për vitin 2013, arrijnë në 45%.

Niveli i arkëtimeve i raportuar nga CEZ Shpërndarje, për vitin 2013, është 83% të energjisë elektrike të faturuar. Kjo shifër përfshin edhe arkëtimet e prapambetura të periudhës 2007-2012 në vlerën 8.996 miliardë lekë. Për vitin 2013, humbjet shënuan përmirësim prej 1.31% krahasua me vitin 2012. Në sistemin e transmetimit, humbjet e energjisë elektrike janë në vlerën 209.6 gigavatorw ose 2.32%.

Sektori energjetik në Shqipëri është përballur me një mori problemesh strukturore dhe financiare gjatë viteve të fundit. Me qëllim adresimin e disa problemeve të natyrës emergjente, qeveria shqiptare po ndërmerr disa masa për të mundësuar përmirësimin e situatës së rënduar financiare të tre operatorëve të sistemit energjetik.

Humbja mesatare e vitit 2013 ka qenë rreth 45% e energjisë totale të futur në rrjet, ndërkohë që objektivi i vitit 2014 (40% mesatarja vjetore) pritet të tejkalohet, duke u ulur nën 38%. Reforma e thellë ekëtij sektori strategjik kërkon kohë, burime financiare të konsiderueshme, si dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale.

Efektet e pritshme në periudhën afatmesme dhe afatgjatë përmblidhen në dy shtylla, sipas burimeve nga Ministria e Energjetikës: E para rritja e të ardhurave të sektorit, nëpërmjet uljes konstante të humbjeve në sektorin e shpërndarjes mesatarisht me 5% në vit. E dyta ristrukturim i çmimit të blerjes së energjisë prej HEC-eve koncesionare dheristrukturim i tarifave për konsumatorët familjarë, bizneset dherritja e arkëtimeve prej debitorëve e zvogëlimi i detyrimeve të prapambetura.

Banka Botërore ka vlerësuar se, investimi në brezin e brendshëm dhe diversifikimi i prodhimit të energjisë elektrike, do të ulë hendekun e furnizimit me energji elektrike dhe do të zvogëlojë nevojën për importe. Është vlerësuar se nevojat për investime janë të paktën 780 milionë dollarë për të mbuluar hendekun e pritshëm të furnizimit. Duke pasur parasysh që investimet duhet të ndërmerren urgjent, hap i menjëhershëm duhet të jetë sigurimi i funksionimit të plotë të termocentralit në Vlorë për prodhimin e energjisë termike, në mënyrë që prodhimi të mos jetë i ekspozuar ndaj kushteve klimatike dhe importi zvogëlohet në të paktën 500 gigavatorw në vit.

Monitor_655

Fatura buxhetore e energjisë më 2015

-15 miliardë lekë letër garancia ndaj kompanive të sektorit

-3.5 miliardë lekë për importe emergjentë

-1.6 miliardë lekë për subvencionin e shtresave në nevojë

Borxhet ndërmjet kompanive të energjisë më 2013

-Borxhi i OSHE ndaj KESH 36 mld lekë

-Borxhi i OSHE ndaj OST 15.3 mld lekë

-Borxhi i OSHE ndaj tregtarëve 2.8 mld lekë

-Borxhi OSHE si kredi 4.8 mld lekë

Borxhet ndaj OSHE më 2013

-Privatet 10.1 mld lekë

-Jo buxhetorë 5 mld lekë

-Familjarë 52.3 mld lekë

-Buxhetorë 3.8 mld lekë

-Totali 71.3 mld lekë

Kostot në buxhet

2013 29 mld lekë letërgaranci

2014 13 mld lekë letërgaranci

2015 20 mld lekë, nga të cilat: 15 mld lekë letërganci; 3 mld lekë për import emergjent; 1,6 mld lekë kompensime për shtresat në nevojë.

Revista monitor, 23.11.2014