Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

VNM-ja mashtruese e HEC “Lengarica”

“Projekti i HEC Lengarica nuk ndërhyn në “Zonat e Mbrojtura” të zonës së Përmetit, siç janë Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës” deklaron në faqen nr. 94 të saj VNM-ja 180 faqshe e HEC “Lengarica” e përgatitur në vitin 2011, 2 vjet pas shpalljes së parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës.

Në faqen 84 VNM-ja deklaron se “Zona e ekosistemit ujor të lumit Lengarica nuk është zonë e mbrojtur”.

Në faqen 140, Aneksi II, pyetjes nr. 8 “A ekziston rreziku i ndikimit negativ në zonat e mbrojtura” përgjigja është “Jo. Nuk ka zona të mbrojtura në afërsi të projektit”

Ndërkohë vetë kompania “Lengarica & Energy” shpk pranon në prezantimet e saj se punimet e HEC-it janë bërë brenda parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës.

Harta e projektit dhe harta e parkut nuk të lënë të dyshosh se punimet janë bërë plotësisht brenda parkut kombëtar. VNM-ja nuk bën asnjë ballafaqim të tillë mes hartave, që dhe publiku me të cilin do të konsultohet projekti, të bindet.

Por ekspertët mjedisorë Gëzim Haxhiu dhe Feim Hoxha nuk kanë arritur të errin sytë e Ministrisë së Mjedisit, e cila në refuzimin e lejes mjedisore për HEC Lengarica, më 4 tetor 2011, shprehet se “Nga planimetria e projektit konstatohet se ai do të zbatohet brenda sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Bredhit të Hotovës..”.

Plot 37 ligje dhe akte nënligjore mbi mjedisin liston VNM-ja si kuadër ligjor relevant për projektin. Por jo VKM-në nr. 1631, datë 17 Dhjetor 2008, për shpalljen e parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës. Fakti që pranë zonës ku po ndërtohet ka një park kombëtar përmendet për herë të parë vetëm në faqen e 51 të VNM-së.

Dhe çfarë thotë VNM-ja? Se është Vjosa që mbrohet, dhe vetëm 1200 ha që nuk kuptohet se çfarë përfaqësojnë, sepse parku kombëtar në fakt mbron 34,000 ha sipërfaqe.

fotoja-e-parkut-kombetar-bredhi-i-hotoves projekti-i-hec-lengarica

A do të ketë ndikime në florën dhe faunën e zonës së projektit?

VNM- ja shprehet se për shkak të HEC-it të Kalivaçit që po ndërtohet 70 km larg HEC “Lengarica” ka një fragmentim të ekosistemit ujor të lumit Vjosa dhe për pasojë dhe të rrjedhës së poshtme të lumit Lengarica. Për shumë specie ujore migruese dhe endemike kjo përbën zvogëlim të habitatit të tyre sipas VNM-së. Por sipas autorit “fauna ujore e lumit Lengarica dhe veçanërisht peshqit, nuk përbëjnë rëndësi ekonomike shfrytëzimi. Ajo thjesht ka vlera si ekosistem natyror për disa specie endemike që jetojnë në kushte natyrore të stresuara për shkak të kripësisë së lartë”. Troç, fauna ujore e Lengaricës nuk na jep gjë, edhe ajo pak që është, është e stresuar, gati për zhdukje, ndoshta zhduket dhe pa ndihmën tonë..

Sipas VNM-së në lumin Lengarica janë identifikuar peshqit Alburnoides Bipunctatus, Barbus spp, Nemachileus barbatulus, Pachychilon, Leuciscus, Pseudorasbora dhe Anguila anguila, Peshku Anguila Anguila mund të dëmtohet më shumë se peshqit e tjerë.

Por nuk janë vetëm peshqit që preken. “Pakësimi i rrjedhës në shtratin e lumit do të kufizojë habitatet e specieve të florës dhe faunës ujore. Më të rrezikuarat do të jenë disa specie të rralla florale përgjatë lumit dhe sidomos në rrjedhën e poshtme deri në afërsi të burimeve termale. Të tilla janë Sambucus Nigra, Cladium Mariscus, Ranunculus Lingua, Salix Triandra, Juglans Regia etj. Në mesin e llojeve të rralla të njohura dhe të rrezikuara të faunës janë kryesisht amfibët si Salamandra Salamandra, Triturus Vulgaris, Bufo Bufo, Rana Dalmatin.

Por përsërit VNM-ja, “Fauna ujore e lumit Lengarica dhe në veçanti peshqit nuk përbëjnë rëndësi ekonomike shfrytëzimi. Ajo ka vlera shkencore si ekosistem natyror për disa specie endemike që jetojnë në disa kushte natyrore të stresuara për shkak të kripësisë së lartë të ujit.”

VNM-ja vazhdon se për shkak të ndërtimit të HEC-it do të dëmtohen 6300 m2 sipërfaqe pyjore me rreth 346 dru e shkurre. Drutë do të priteshin në hyrje të tunelit psh., ku VKM-ja fshatarëve të Lengaricës u lejon vetëm veprimtari sezonale të llojit që nuk cënojnë integritetin ekologjik të zonës, si kullotje e mbledhje bimësh mjekësore. Sigurisht VNM-ja nuk e përmend këtë fakt.

Me të drejtë Ministria e Mjedisit refuzoi dhënien e lejes mjedisore. Çuditërisht 2 muaj më vonë ministria ndërroi mendje dhe e dha lejen mjedisore, duke revokuar vendimin e saj të mëparshëm. Ky revokim u bë pa dhënë asnjë arësyetim për shkaqet e revokimit, pa bërë asnjë konsultim me palët e interesuara, siç e kërkon kodi i proçedurave administrative.

Këto janë arësye për ta shpallur të pavlefshme lejen mjedisore të HEC “Lengarica”.

Ekolëvizja, 11.11.2014