Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vidhte energjinë, 20 mijë euro për lirinë

Arrest me burg ka qenë masa e sigurisë e Gjykatës së Shkallës së parë në Shkoder për 9 të ndaluarit që akuzohen për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, ndersa vetëm futbollisti i klubit Vllaznia Elvis Kraja do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë pasi ka paraqitur një garanci prej 20 mijë eurosh.

Seanca gjyqësore ndaj 10 të arrestuarve të parë në qytetin e Shkodres u zhvillua me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur afro 60 minuta. Një pjesë e te akuzuarve kanë përdorur si argument faktin që vetë shteti ai qe nuk i ka pajisur me matësa të energjisë, ndersa të tjerët kanë sqaruar se biznesit që ushtronin aktivitet i kishin me qera dhe nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e pronarëve.

Në të njëjtën kohë prokuroria ka paraqitur provat e OSHEE- së, të cilët kanë mbajtur procesverbalet përkatëse ku paraqiten shkeljet e të akuzuarve.

Tiranë, nga 33 të arrestuar gjykata lë në burg 21

Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar masat e arrestit për 33 personat e arrestuar nga ana e policisë për akuzën e vjedhjes së energjisë.

Ndërsa Prokuroria kërkoi masën arrest me burg për të gjithë personat e arrestuar, Gjykata e Tiranës është pajtuar me kërkesën vetëm për 21 persona duke marrë masa më të lehta për 12 të tjerët.

Për 6 persona të cilët i “shpëtuan” burgut Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet vendosi detyrim paraqitjeje, ndërsa për 6 të tjerët vendosi masën arrest shtëpie.

Korçë, Gjykata lë në burg 4 persona të arrestuar për vjedhje energjie

Gjykata e Korçës ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitje për të arrestuarit e aksionit të OSSHEE në akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Në seancat e zhvilluara njëra pas tjetrës gjykata ka dhënë masat e sigurisë për 4 prej personave të arrestuar.

Detyrim paraqitje gjykata ka vendosur për Remzi Cenollin i cili u arrestua në flagrancë për rilidhje të paligjshme të energjisë elektrike pasi sipas të dhënave ai ishte debitor prej disa muajsh.

E njëjta masë u caktua edhe për Soel Dersniku, pronar i një lokali në qytetin e Korçës, Ilir Kolami pronar i një furre buke i cili akuzohej për rilidhje të energjisë elektrike dhe Kostika Xega pronar i një stalle i akuzuar për lidhje dyfishe.

Tropojë – Gjykata arrest me burg për 3 punonjës të OSHEE

Gjykata e Tropojës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masës arrest me burg për 3 punonjës të OSSHE, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, si edhe për një shtetas, administrator i një lokali, i akuzuar për “vjedhje të energjisë elektrike”.

Këta shtetas janë ndaluar gjatë zbatimit të planit të përbashkët operacional ndërmjet Policisë së Shtetit dhe OSSHE. Nga materialet paraprake që ka në dispozicion Prokuroria e Tropojës, rezulton se punonjësit e OSSHE, shtetasit Shaqir Lamnica me detyrë elektriçist, Enea Madani me detyrë specialist faturimi dhe Bilbil Hykaj me detyrë specialist arkëtimesh, në kundërshtim me detyrën e tyre, nuk kanë konstatuar rilidhjet e paligjshme të kryera nga disa biznese. Këta shtetas dyshohet se, nëpërmjet proces-verbaleve fiktive, deklaronin pranë zyrave të tyre në OSSHE se bizneseve që u ishte ndërprerë linja elektrike, nuk kishin kryer rilidhje. Por, pas verifikimeve në terren, rezultoi se këto biznese kishin rilidhur energjinë elektrike.

Ndërsa shtetasi Florian Qehaja, administrator i një lokali, është konstatuar se vidhte energji elektrike nëpërmjet një linje të dytë, të fshehtë.

Shqiptarja.com 02.11.2014