Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mbaron ndërtimi i përçuesit të Gadimës

Afro 1000 familje e biznese të Gadimes së Lipjanit dhe fshatrave përreth, tashmë kanë largpërçuesin e ri që mundëson furnizim shumë më kualitativ me energji elektrike. KEDS ka ndërtuar në këtë pjesë të vendit, ku ndodhet edhe një nga pikat më atraktive dhe të rëndësishme turistike, Shpella e Gadimes, largpërçuesin modern të gjatë 11.4 km.

“Largpërçuesi është i kombinuar, pra i dyfishtë në një pjesë me shtylla metalike dhe më pas kalon në largpërçues të njëfishtë me shtylla të betonit. Në fund të tij është i vendosur stabilimenti shpërndarës 20 kV”, tregon Zenel Dinaj, projektmenaxher. Ai u shpreh mjaft i kënaqur me punët e bëra.

Largpërçuesi i ri është ndërtuar pasi kjo pjesë kishte probleme me tension, gjendje kjo të cilën KEDS e kishte trashëguar.

“Ky LP do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e kualitetit të energjisë si dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike”, shtoi Dinaj.

Largpërçuesi i ri ka një shtrirje mjaft të madhe. “ Janë 23 trafostacione 10/0.4 kV nëpër të cilat kalon LP i ri i Gadimes”, tha Habib Guri, Menaxher i Rrjetit në Distriktin e Ferizajit, të cilit i takon edhe Gadimja. Sipas tij, në LP të ri përfshihen gati 1000 konsumatorë.

Këtë investim e kanë mirëpritur edhe qytetarët e kësaj ane. Një nga ta është edhe Ekrem Rrahmani, pronar i një autolarje në rrugën Prishtinë- Ferizaj, nga edhe kalon ky largpërçues. “Po vetë fakti se janë ndërruar shtyllat e drurit me konstruksione metalike është shumë i mirëseardhur për ne. Kjo na bën më të sigurt, pasi me telat e mëhershëm kishim probleme të mëdha, sidomos në kushtet e rënduara atmosferike”, tha Rrahmani.

Lëshimi në punë i LP të Gadimes është pjesë e investimeve të KEDS, të bëra sivjet në të gjitha distriktet e kompanisë anekënd vendit. KEDS ka lëshuar në punë deri tash 5 LP të rinj, ndërsa ka në finalizim edhe 2 të tjerë, duke kompletuar projektin e sivjetshëm nga një largpërçues për secilin distrikt. Specifikisht, KEDS sivjet ka ndërtuar dhe lëshuar në punë ose i ka në finalizim e sipër, pos atij të Gadimes edhe gjashtë LP të rinj, atë në Fushë të Pejës, Maxhunaj të Vushtrrisë, Bellanicë të Malishevës, Gërmovë të Vitisë, Komoran të Drenasit dhe Mamushë në Distriktin e Prizrenit.

Kjo punë madhore është pjesë e zotimit të KEDS për investime të parashikuara nga kompania në shumën prej 110 milionë euro në pesë vitet e ardhshme dhe një shumë prej më shumë se 300 milionë euro në periudhën 15- vjeçare.

energjia.al 10.09.2014