Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Marrëveshja me CEZ, më e mira

Fjala e mbajtur nga Ministri Gjiknuri në seancën parlamentare ku u diskutua projektligji “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhen me mirëkuptim, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë CEZ,A.S.”. Pas diskutimit Kuvendi e miratoi  projektligjin me 85 vota pro.

Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për interesat jetikë dhe financiarë të Republikës së Shqipërisë. Në fillim, dua të bëj këtë ekspoze, pastaj dua të ndalem në disa çështje, që së fundmi janë ngritur si akuza, pas edhe një periudhe heshtje të plotë për një gjë që normalisht duhet të heshte opozita e sotme shqiptare. Publiku shqiptar meriton të mësojë disa të vërteta ashtu siç janë dhe bazuar në dokumente.

Së pari, pse hymë në një diskutim për të arritur në një marrëveshje? Kjo është e rëndësishme. Konflikti kishte filluar shumë herët, qeveria shqiptare kishte fiksuar sytë përpara një problemi që sa vinte dhe agravohej. Kjo kompani nga një vlerë pozitive që ka pasur në momentin e privatizimit, kaloi në një vlerë tregtare negative që arrin deri në mbi 300 milion dollar. Gjithçka ndodhi për shkak të neglizhencës dhe mos ushtrimit të duhur të detyrës nga ana e autoriteteve shqiptare, në bashkëpunim me administratorët e asaj kompanie në atë kohë. Mos ushtrim i detyrës dhe mos mbrojtje e interesave të publikut shqiptar. Kjo është e faktuar në të gjitha dokumentet, një pjesë të të cilave do ti bëjmë publike në këtë seancë.

Në vend që qeveria shqiptare mbas heqjes së licencës së operatorit të shpërndarjes, të fillonte çështjen gjyqësore, praktikisht nuk bëri asgjë dhe humbi shanse shumë të mira në favor të Republikës së Shqipërisë. Këto shanse u humbën dhe nuk mund të ripërtëriheshin më. Pse?! U hoq licenca në janar të 2013, u emëruar administratori i ri dhe praktikisht qeveria shqiptare nuk bëri më asgjë!! Megjithëse të sugjeruar për të marrë një sërë masash, nga studio e avokatisë që ata kishin kontraktuar, ato nuk u ndërmorën. Të ndodhur para këtij fakti, çekët, në maj qenë të parët që paditën Republikën e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit, për mbrojtjen e investimeve të huaja. Një traktat i cili i jepte shumë mundësi palës çeke të mbronte interesat e saj, dhe shumë pak mundësi sipas edhe konfirmimit nga zyra avokatore, palës shqiptare që të ngrinte pretendimet e saj. Prapë, një shans i humbur që i dha mundësi palës tjetër.

Ndërkohë, sektori i energjisë elektrike në Shqipëri po zhytej përditë në krizë, me borxhe të akumuluara për shkak të këtij keqadministrimi dhe për shkak të mbylljes së syve të autoriteteve që duhet ta kryenin këtë detyrë. Po shkonte në borxhe që kalonin 1 miliard dollarë dhe kërcënohej seriozisht publiku me furnizimin e energjisë elektrike.

Përpara qeverisë së re shtroheshin dy zgjedhje. E para ishte të rrezikonte dhe të shkonte drejt një arbitrazhi i cili do të donte 6 vjet, një vlerë financiare disa milionë euro për shkak të kostove që përfshin ky proces, dhe një faturë potenciale që shkonte mbi disa qindra milionë euro. Mundësia e dytë, ishte të gjente një zgjidhje, në mënyrë që të vinte dorë në sektorin energjisë elektrike, tashmë të falimentuar. Për shkak të gjithë këtij procesi të dështuar privatizimi, për shkak të gjithë atyre vendimmarrjeve të autoriteteve që ishin ngarkuar të mbronin interesat e publikut shqiptar, dhe në pikën kur ne e morën qeverinë në shtator, gjendja ishte katastrofale. Sipas edhe çdo sugjerimi të institucioneve ndërkombëtare financiare, Bankës Botërore, FMN-së dhe të gjithë institucionet që na mbështesnin në këtë proces, ju sugjerua qartë qeverisë shqiptare se e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e sistemit energjitik ishte gjetja e një zgjidhjeje ligjore për konfliktin mbi kompaninë e shpërndarjes. Prandaj, qeveria zgjodhi me plot kurajo politike të gjente zgjidhjen më të favorshme dhe me sa më pak kosto për interesat e Republikës së Shqipërisë, që ishte zgjidhja me mirëkuptim.

U përmend edhe në disa akuza nga lideri i opozitës, letra e 30 shtatorit nga zyra avokatore e kontraktuar nga ish qeveria për procedurat e arbitrazhit. U pretendua se qeveria shqiptare nuk ka thënë tërësisht të vërtetën. Në fakt, letra është këtu, unë do ta bëj edhe publike, nuk e kam bërë deri më tani për shkak të konfidencialitetit, por meqenëse ata zotërinjtë e kanë përmendur dhe e kanë thyer këtë konfidencialitet, unë do të përmend pikat se çfarë thotë zyra avokatore në 30 shtator 2013, pra ditët që ne kemi marrë pushtetin.

Thotë: “sipas memorandumit të 31 dhjetorit 2012, që e kemi bërë së bashku me Avokaturën e Shtetit, duhet që të ndiqeshin disa rekomandime esenciale, disa veprime esenciale, në mënyrë që Shqipëria të kishte shanse të fitonte këtë çështje. Me një rendësi të veçantë janë përmendur përfshirja, angazhimi i ekspertëve për vlerësimin teknik dhe financiar të kompanisë”. Kur u bë kjo do të thoni ju?! U bë vetëm në kohën e qeverisjes sonë. Pra, nga dhjetor 2012 deri në shtator 2013, nuk u bë asgjë për angazhimin e këtyre ekspertëve. Ne i morëm ekspertët për një arsye, nëqoftëse nuk do të funksiononte procesi i negocimit, patjetër do të përgatiteshim për tu përballur edhe me procesin gjyqësor të arbitrazhit.

Gjithashtu, rekomandimi i avokatëve ishte për ngritjen e një grupi pune nga përfaqësues të disa institucioneve shtetërore për të mbledhur dokumentet e duhura, për mbledhjen e provave, vlerësimin financiar si dhe për komunikimin me zyrën avokatore, nuk u realizua.

Pika e tretë e letrës, vazhdon, duke shkruar se “rreziku për të cilin kishim paralajmëruar qeverinë shqiptare në memorandumin për çështjen e arbitrazhit të CEZ-it ndodhi pasi çekët e bënë padinë në bazë të traktateve shumëpalëshe ku qeveria shqiptare është palë. Duke përkeqësuar shumë pozitat tona dhe duke na përjashtuar nga mundësitë për të bërë kundërpadi”.

cez-shperndarjePika e pestë e letrës thotë se në takimin e Tiranës, të prillit 2013, në të cilin kanë qenë prezent z.Mima, Z.Bozdo dhe përfaqësues të tjerë, u diskutua që menjëherë që në prill qeveria të padiste e para shoqërinë çeke në arbitrazh, por fatkeqësisht edhe pas ikjes së avokatëve asgjë nuk u bë. Madje edhe pagesat për shërbimet juridike nuk u kryen. Pika gjashtë është shumë e rëndësishme pasi thotë se “asnjë nga rekomandimet tona nuk është përmbushur, përveç mbledhjes së një pjesë të vogël të dokumenteve, të cilat ne po i përkthejmë sot e kësaj dite”.

Së fundi, avokatët ngrënë shqetësimin për kohën e humbur me përzgjedhjen e kompanive për vlerësimin financiar dhe teknik të situatës. Pastaj, letra flet për mos komunikimin e autoriteteve shqiptare me zyrën avokatore, kjo thotë edhe për shkak të interesave të tjera që ka pasur qeveria, për zgjedhjet dhe të tjera si këto, si dhe nuk janë realizuar konferencat e duhura të telefonatave në lidhje me koordinimin e veprimeve.

Gjithashtu, thotë letra, të gjitha këto e kanë bërë të pamundur që masat tona të përmbushen në kohë, duke rrezikuar thelbësisht interesat e Shqipërisë që mund të shkojnë në miliona e miliona dollarë. Fatkeqësisht, letra ka mbi 25 pika, ku thuhet plani i veprimit që duhet të ndërmerrnin autoritetet shqiptare dhe që fatkeqësisht nuk i bënë, duke dhënë një situatë alarmi për qeverisjen tonë.

Çfarë bëmë me të drejtë ne?! Bëmë takimin direkt me zyrën avokatore, pra morëm kontratat dhe lidhëm kontratat, bëmë dhe pagesat e duhura ndaj zyrës avokatore, ndaj kompanive të konsulencës, në mënyrë që procesi të fillonte të ecte paralelisht. Përpara Shqipërisë, shtroheshin dy opsione. I pari është që procesi të mund të vazhdonte me vite dhe i ngrirë, që do të thotë as regjim rregullator nuk do të ndryshoje, as proces tjetër të administrimit të CEZ-it, po do ta lije me një administrator të përkohshëm dhe pa llogaridhënie për publikun, as investime në këtë sektor. Situata ishte jashtëzakonisht e rëndë.

Ne zgjodhëm rrugën tjetër, të gjenim një zgjidhje të shpejtë me sa më pak kosto financiare. Për shkak se morëm parasysh edhe ato raportet që përmendi lideri i opozitës, që e nxjerrin CEZ-in me vlerësim negativ, dhe kjo dihet pasi ne këtë e kemi thënë që në opozitë, që kompania CEZ ka kaluar në një faliment total. Pikërisht, kjo është arsyeja që ne nuk njohëm asnjë vlerë të asaj kompanie, megjithëse pretendimet çeke qenë mbi 113 milion euro. Nuk i dhamë asnjë para për këtë dhe u quajt vlera zero.

E vetmja vlerë që u pranua dhe u negociua, kanë qenë një pjesë e kredive, kredi dhe furnizim energjie elektrike, disa fatura tashmë të njohura, madje dhe të paguara nga ish qeverisja përpara se sa të vinim ne në pushtet. Vetëm vlera e arritur ka qenë 87.1 milion euro, një marrëveshje që unë them është në dobi të Shqipërisë, shmangu një detyrim financiar shumë më të madh. Potencialisht, po të përballeshim në një gjykatë arbitrazhi dhe me të gjitha shanset, e them me bindje këtë edhe nga konsultat e shumta, me shanse jashtëzakonisht të pakta, për të mos thënë asnjë shans për ta fituar atë çështje.

Edhe gjatë procesit të negocimit, jemi konsultuar përsëri me zyrën avokatore të kontraktuar nga qeveria, që ai e përmend dhe në maj na ka dërguar letër zyrtare ku thotë: “siç jua kam thënë edhe më parë, të gjitha mosveprimet e palës shqiptare, duke filluar nga Dhjetori i vitit 2012, në bazë të këtij memorandumi mirëkuptimi, çuan në dëmtimin e interesave të shtetit shqiptar dhe në një zvogëlim të shanseve për ta fituar këtë çështje”.

Kjo letër mund të bëhet publike, megjithëse kanë qenë komunikime konfidenciale. Për këto arsye thotë letra, risku i vazhdimit të procesit do të thoshte një risk i shtuar në gjykatën ku kishte paraqitur pala çeke kërkesën, dhe nuk mund të garantohet që pretendimet e palës çeke mund të rrëzoheshin apo pretendimet e mundshme të palës shqiptare që akoma nuk kishte bërë padinë, të mund të pranoheshin nga Gjykata Arbitrazhit.

Pra, konkluzioni ishte se qeveria shqiptare ndodhej para një vendimmarrje shumë të rëndësishme. Këto vërtet janë vendimmarrje që mund të spekulohen lehtësisht politikisht. Pse?! Sepse zotërisë që akuzon për mungesë transparence, dua ti përmend disa fakte, që shqiptarët nuk i dinë. Lexova deklaratën e kryetarit të opozitës, tha studio e avokatisë kështu, e studio avokatisë ashtu. Dua ti drejtohem publikut, realiteti është shumë i qartë, zyra profesioniste e arbitrazhit tha “Shqipëria humbi shanset në momentet e para”.

Sekuestroi një kompani, por nuk bëri as vlerësim financiar, as vlerësim teknik, madje as shpronësim se edhe shpronësimin e patën të vështirë ta bënin, pasi duhej një shpronësim i drejtë, që të kënaqte edhe interesat e palës çeke, pra do shkonim tek pika zero.

Së dyti, thonë për aspektet e transparencës së negociatave. Negociatat, jo pa qëllim vendosëm ti zhvillojmë me prani ndërkombëtare, në një zyrë të mirënjohur, që është zyra e Komunitetit të Energjisë, një instrument i Bashkimit Evropian, për reformat në sektorin e energjisë për gjithë Evropën juglindore. Pikërisht, është ky organizëm që mbikëqyr progresin e sektorit energjetik në të gjithë Evropën juglindore apo vendet që janë kandidate të BE-së. Zëvendësdrejtori, një personalitet i fushës, ka qenë ndërmjetës i këtyre negociatave.

Pra, gjithçka e zhvilluar në mënyrë transparente dhe me një mbikëqyrje të fortë ndërkombëtare. Përpos atyre, unë kam një pyetje për zotin Basha, apo të pyesë atë babain e tij të plakur, se ai duhet ti di më mire. Të thotë, ku i zhvilluan takimet në Vjenë, në muajt mars dhe prill, kur tentuan negociatat? Kush kanë qenë dëshmitarë? E vetmja gjë që dihet është se janë mbyllur në një dhomë hoteli privat dhe nuk ka asnjë ndërmjetës ndërkombëtar, madje nuk kemi gjetur asgjë se çfarë kanë biseduar aty.

ministria energjise logo meiSali Berisha me atë diabolizimin e tij ndoqi parimin ‘të lë litarin jashtë’. Ai tha, “po të fitojmë pushtetin, do ta zgjidh vetë çështjen, të gjithë atë gurgule, apo të gjithë atë problematikë të madhe që krijova me një dështim të një privatizimi dhe megjithë ato efekte financiare që do ti vuajnë shqiptarët për shumë vite”. Në rastin e humbjes së zgjedhjeve, ai tha “do tia lë litarin socialistëve dhe le të merren ata me të gjithë poshtërsinë dhe me të gjithë pasojat financiare me të cilat vërtet e përballëm sektorin energjitik”.

Të gjithë ato miliona që pretendon z.Basha në deklaratën e tij, që thotë çfarë u bë me 300-400 milionët që i detyrohen KESH-it, aty janë ato, janë detyrime të akumuluara për shkak të keqadministrimit. Madje, në diskutimet që kanë bërë me palën çeke, zotërinjtë në maj të vitit 2013 për të gjetur mirëkuptim në lidhje me problemet që kishin krijuar, marrin edhe vendimin që të ulin çmimin e energjisë për ta furnizuar CEZ-in me 2.2 lekë. Një lëshim në kurriz të publikut shqiptar, pikërisht për shkak të problemeve që kishin krijuar me vet atë kompani.

Gjithashtu, pranoi që ti rrisin edhe studimin mbi borxhin e keq, pra i bëjnë favore përsëri çekëve, për interesa gjithmonë të tyre. Pranojnë që të njohin edhe detyrime që i ka KESH-i në vlerën 1.9 miliard lekë CEZ-it. Pra, të gjitha këto me qëllimin e vetëm që ti vinin kompanisë çeke në ndihmë, dhe të vazhdonin keqadministrimin e atij sektori që e çuan në gjendjen më të rëndë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha këto janë të dokumentuara, madje të faturuara edhe shqiptarëve në çmimet e energjisë elektrike.

Pse do të thoni ju?!! Kanë pranuar edhe ti rivlerësojnë asetet në favor të çekëve, me një vlerë 1.5 miliard lekë. Pra të shkonin edhe 15 milion dollarë më shumë në favor të çekëve. Çfarë bënë? Nuk paguan kompaninë e auditimit teknik dhe financiar. Çfarë bënë njëkohësisht, se është shumë interesant ky fakt për ta ditur. Paguan Patton Boggs-in për çështjen me CEZ dhe i kërkuan Patton Boggs-it, bënë një kontratë në shkurt të atij viti, që ti bëjë rregulloren për emërimin e Sahit Dollapit, i cili tashmë ishte emëruar.

Dhe kontrata është 300 mijë euro. Pra, nuk paguhej firma avokatore, nuk paguheshin konsulentët financiarë dhe teknik por paguhej Patton Bogs. Ishte llogaria e hapur për lobizmin. Patton Bogsi nuk shoh të ketë dhënë ndonjë shërbim këtu, përveçse një draft rregullore që duket që është përkthyer nga shqipja, dhe ku thotë çfarë detyrash do të ketë administratori i përkohshëm i emëruar nga rregullatori. Pra, ky ishte i vetmi shërbim, ndërkohë që interesat e Shqipërisë nëpërkëmbeshin me muaj të tërë, vetëm e vetëm se paratë duhet të shkonin në favor të Patton Boggsit.

Zoti Basha apo të tjerë opozitarë të sotëm duhet tu thonë shqiptarëve se përse u paguan këto para tek Patton Boggs. Tani ata janë ithtarë për ta sulmuar marrëveshjen pasi çdo gjë që do të bënim ne ata do ta sulmonin.

Flet për pjesën e investimeve. Po është e vërtetë, kush tha që i kemi njohur çekëve investimet? Përkundrazi, një nga pretendimet tona dhe në negociata ka qenë që çekët nuk i kanë realizuar të gjitha detyrat e tyre. Pavarësisht pretendimeve qindra milion euro që kishin ata, ne negociuam vetëm një vlerë që përfshirë interesat shkon në total 95 milionë.

Po çfarë bënë organet shtetërore përkatëse që duhet të mbikqyrnin interesat e publikut? Përmendet raporti i auditit, i cili me të drejtë mund të ketë thënë se Shqipëria mund të kërkojë kaq e aq dëmë, si çdo ekspert që merret për të ngritur vlerën e padisë, vlerat potenciale të padisë. Çfarë thonë dokumentet zyrtare? ERE i ka njohur në vitin 2010, plot 43 milion dollar investime CEZ-it, në vitin 2011 i ka njohur 48 milion dollar. Më vonë, pasi kanë bërë kontrollin, e për të rritur interesat e çështjes sonë karshi çekëve, i kanë nxjerrë se investimet e çekëve të realizuara janë shumë pak.

Ju e dini shumë mirë se në momentin kur ke marrë një kompani, pa bërë vlerësimin teknik e financiar, e ke mbajtur për një vit, e ke çertifikuar investimin, merren dokumentat dhe këto janë vendime të Entit Rregullator të Energjisë. Kush është ajo gjykatë që do ta hajë këtë? Kush do ta hante që një pretendim i bërë pas dy vitesh të mohonte kaq lehtësisht. Pra, ai zotëria që del e thotë, duhet të marrë parasysh se këto vlera ja kanë njohur organet që i kontrollonte Sali Berisha me telekomandë.

Ashtu sikurse bëri edhe procedurat e tjera për uljen e çmimit të KESH-it për CEZ-in, dhe që qe në themel të akumulimit të gjithë këtij borxhi për të cilin flasim. Në fakt, ata duhet të heshtin, ata duhet të ulnin kokën me turp përballë një mega afere, përballë një mega skandali, dhe një mega dështimi. Unë e kam thënë disa herë, ata portretizuan në mënyrë metaforike superfuqinë energjitike, por lanë në të vërtetë një kufomë energjitike që u ndihmua pikërisht nga neglizhenca e autoriteteve shqiptare. Neglizhencë që ka sjellë edhe këto pasoja, miliarda e miliarda që ne i vuajmë.

Çdo njeri mund të thotë, dhe unë si zyrtar mund të thoja po çmë duhet mua kjo, le të rrijë çështja në gjyq. Është pra si ajo familja që do të pretendonte për vite të tëra në gjyq për shtëpinë e pretenduar, por në fund do të merrte një gërmadhë. Kjo është një qeveri që do të përballet me këtë realitet, ëhtë një qeveri që ka marrë vendime të rëndësishme, pikërisht sepse ka vënë interesat e publikut përpara interesave spekulative të një kaosi që e krijoi një ish-kryeministër.

Ai tha, “kaosin që e krijova unë, shkoni tani gjejeni në gjyq me gjithë kostot e gjashtë apo shtatë viteve për të ngrirë sektorin, për të ngrirë investimet, për të ngrirë gjithçka”. Unë e them me bindje, se pa ndërhyrje themelore në sistem, pa investime dhe pa ndryshuar modelin e tregut, rregullat në fuqi, sistemi energjitik do të kalonte në kolaps. Vitin tjetër, do të kalohej në kolaps nëse ne nuk do të bënim këto ndërhyrje të nevojshme për të cilat po flas tani. Pikërisht, kjo marrëveshjeje e mirënegociuar e transparente, ka patur mbështetjen e të gjitha organizmave ndërkombëtare duke nisur nga Banka Botërore. Banka Botërore ka gati një paketë investimesh prej 150 milion dollar, për të vazhduar më pas me BERZH-in dhe kfW-në.

Gjatë gjithë këtij procesi i kemi informuar vazhdimisht për ecurinë dhe të gjithë e kanë thënë, e kanë thënë edhe publikisht se e vetmja mënyrë se si Shqipëria mund të përmirësojë klimën e investimeve e do tu hapë rrugë investime, do të kryejë reformat e thella, ishte gjetja e një zgjidhje juridike me çekët. Çdo sugjerim i atyre të papërgjegjshmëve që e sollën situatën këtu ku e sollën, duke thënë shkoni zgjidheni në gjyq se pisllëkun e bëra, shkoni pastroni ju edhe ciflat që kanë rënë, është pikërisht për ta mbajtur vendin peng, për të rrezikuar mirëqeverisjen e kësaj mazhorance, por mbi të gjitha për të rrezikuar interesat e publikut.

E them me bindje, se kjo është zgjidhja më e mirë që ka bërë Republika e Shqipërisë dhe e kemi shpëtuar kufomën energjitike që fatkeqësisht do të vdiste fare, e vendi do të rrezikonte një krizë shumë të madhe në vitet në vijim.

Ndaj, të nderuar deputetë, mendoj se qeveria sqhiptare ka bërë gjithçka ka patur në dorën e saj, më të mirën për publikun. Disa të vërteta meritojnë përgjigje dhe ne këtë përgjigje do tua japim nëpërmjet punës tonë, duke evidentuar edhe këtë problematikë për të cilën fola, këtë neglizhencë të autoriteteve shtetërore, të gjitha marrëdhëniet në favor të interesave private që e çuan situatën me CEZ-in në këtë gjendje ku është.

Madje, përmendën edhe diçka tjetër në konferencën e shtypit se pse nuk paskeni bërë kallëzime. Kanë bërë në fakt edhe kallëzime penale për administratorët e CEZ-it dhe pikërisht kjo drejtësi që ata e kontrollonin dhe e kontrollojnë, ka bërë të gjitha pushimet e tyre, duke rënë plotësisht të gjitha pretendimet që ne mund të kishim ndaj palës çeke. Nga kjo pikëpamje, gjithçka që u tha sot ishte një spekulim, të vërtetat janë shkruar dhe mbi të gjitha, kemi vënë prioritet interesat e publikut shqiptar, për të zgjidhur një mosmartrëveshje me mirëkuptim e për ti hapur rrugë investimeve. Vetëm reformat e thella dhe investimet do ta kthejnë këtë sektor në likuid e do ta mbyllin njëherë e mirë kapitullin e privatizimit më të dështuar që ka bërë Sali Berishën me sektorin më jetik të Republikës së Shqipërisë.

Ju faleminderit dhe shpresoj të gjejmë mbështetjen për miratimin e kësaj marrëveshjeje.

energjia.al 31.07.2014